Fitues i dy çmimeve Gloden Globe, një për imazhin më të mirë e tjetrin për aktorin më të mirë, filmi “Poor things”, ka nisur të shfaqet edhe në rrjetin e kinemave në Shqipëri.
Me një skenar e skenografi thuajse si fantashkencë, e nën lojën e mrekullueshme të aktorëve Emma Stone, Mark Ruffalo dhe William Dafoe, subjekti është qysh në krye të herës mahnitës: në Londrën viktoriane, studenti i mjekësisë Max McCandles bëhet ndihmësi i kirurgut Godwin Baxter. Ai takon dhe bie në dashuri me të shtrenjtën e Godwin-it, një grua e re si fëmijë të quajtur Bela. Godwini i rrëfen se gruaja, e cila ishte shtatzënë, u vetvra duke u hedhur nga ura. Ai e ringjalli Belën, duke e zëvendësuar trurin e saj me atë të foshnjës ende gjallë. Me lejen e Godvinit, Maksi kërkon dorën e Belës për martesë. Bela pranon, por ndërsa mendja e saj zhvillohet me shpejtësi, ajo fillon të dëshirojë autonominë e këtu nis tërë intiga e filmit.
Por ç’përfaqëson ky film në kinematografinë botërore? Ja se si i përgjigjet kësaj pyetje të MetropolPostit, regjisori i ri Gjon Muçi
GJON MUÇI/ “Poor things” i regjizorit Yorgos Lanthimos i qëndron besnik stilit që autori ka përpunuar në dy dekadat e fundit. Filmit nuk i mungojnë çudirat, abstraksionet dhe skenat surrealiste, por njëkohësisht, mund të jetë ndër filmat me ngjarjet më të qarta dhe të drejtëpërdrejta prej tij. Drama është një lloj ritrajtimi i FrankensteinIT, me thërrime Pinoku të hedhura sipër si kripë.
Si një lloj tribute të parë ndaj autores Mary Shelley, autori vendos që personazhi kryesor të jetë i gjinisë femërore, edhe pse ky nuk është i vetmi funksion që përmban në film; me ndryshimin e gjinisë, transformohen edhe rreziqet e problemet që brengosin “përbindshen” tonë.
Tributi i dytë dhe i menjëhershëm që në hapje të filmit është ndaj filmave horror të viteve ’30 të Frankenshtajnit, kur sheh fytyrën e Godëin për herë të parë në bardhë e zi, të krijon një lloj déjà vu-je që të sjell ndër mend filmat e vjetër klasik të studios Universal, ku bashkë me Frankeshtajnin prodhoheshin dhe shfaqeshin filma të shumtë me përbindësha të shpërfytyruar, pothuajse 100 vjet më parë. Por edhe ky njëlloj si tributi i mëparshëm mbart një kuptim të dyfishtë: të tregojë gjendjen shpirtërore dhe emocionale të “përbindëshit”. Ngjyrat vijnë e shpalosen me evoluimin e brendshëm të protagonistit, një formë estetiko-funksionale nga ana dramaturgjike.
Pavaresisht shijes dhe qëndrimit të gjithësecilit ndaj filmit, mendoj se nuk ka të mohuar kur them se ky film ka një përdorim të veçantë dhe mjeshtëror të kamerës dhe muzikës. Kamera përdor lente të ndryshme si fish eye, për të dhënë pamje të pazakonta dhe surreale, si dhe lëvizjet e vazhdueshme sigurojnë ruajtjen e një kuadri dinamik. Si bardhë-e-zia klasike me ndriçimin e stërllogaritur dhe estetik, që i jep ca nota pikante horrorit, ashtu si dhe ngjyrat e saturuar që shkrihen bashkë në mënyrë surreale, të bëjnë të ndihesh se po sheh një ëndërr të Terry Gilliamit, pasi ka zbrazur tri shishe vere me Monet-në. Muzika përdoret në mënyrë efikase, gjithmonë në kohën dhe masën e duhur, pa ia ndjerë nevojën të jetë e kudondodhur, për të përcjellë më së miri emocionin e çastit, gjithashtu në stilin e filmave klasik e riprodhuar me instrumente, pavarësisht kësaj me tinguj, stil dhe ndjeshmëri që i përkasin një filmi modern. Njëlloj si muzika, ka një tjetër lojë mes së vjetrës dhe të resë që ndodh në film.
Ngjarjet e filmit duket se ndodhin në shek. IXX, por me një ndryshim. Qoftë për të justifikuar çudirat e gjithëpranishme, si për t’i thënë shikuesit që në fillim, mos e vrit shumë mendjen, filmi “Poor Things” zhvillohet në një univers alternativ dhe të veshur në stilin steampunk. Kjo vihet re nga disa elementë teknologjikë që shpesh ndodhin në plan të tretë ku mund te mos vihen re, si puna e tramvajit qiellor në Lisbonë, por si edhe te veshjet e personazheve. Janë në stilin e kohës, por me ndryshime të imta fashioni, si për të përforcuar idenë se është film i marinuar mirë në fantazi dhe ti, si shikues, të mos marrësh gjithë çfarë ndodh në të tepër seriozisht ose që ta ndjekësh nga një këndvështrim tepër të ngushtë dhe realist. Fantazia komplimenton dhe forcon tonin komedi-horror, që shoqëron shikuesin përgjatë gjithë filmit, një subzhanër me të cilin duket se sa vjen e rehatohet më shumë regjizori.
Aktrimi përmban dy prej performancave të preferuara të vitit, Emma Stone dhe Willem Defoe. Emma si një fëmijë të burgosur brenda një kufome të cilën shikojmë të rritet para syve tanë dhe Willem si një shkencëtar i paskrupullt që mëson çfarë është dashuria dhe të qenit baba; ky i fundit, kthehet nga një përbindësh brenda dhe jashtë në fillim të filmit në njeriun më babaxhan dhe pozitiv, duke përftuar metamorfoza ekstreme por tepër të natyrshme dhe aspak të sforcuara. Meritë e skenarit, por padyshim edhe e aktorëve që kanë arritur të mishërojnë dhe t’iu japin jetë dy personazheve tejet kompleksë. Fatkeqësisht ka një përformancë që për mua është e tepërt dhe më nxirrte nga filmi sa herë që e shihja. Është fjala për rolin e avokatit, i interpretuar prej Mark Ruffalosë, një aktor që zakonisht më ka kënaqur, ndërsa këtu sa herë fliste ose aktronte dukej sikur kalonte rreth 50 përqind mbi atë që i takonte skenës. Mbiaktrim, siç thonë amerikanët. Theksi dhe mimikat janë tepër të ekzagjeruara, siç bëjnë njerëzit në komedi groteske dhe në fakt personazhi i tillë është, grotesk; Marku mund ta ketë interpretuar në mënyrë të përsosur sipas kërkesave të regjizorit, por fatkeqësisht ngjan e sforcuar dhe vazhdimisht shpërqëndruese përgjatë rrjedhës së filmit.
Nga kjo pikë e tutje e filmit mendoj, duke filluar nga Aventura në Lisbonë, e humbasim pak atë hollësinë e mendimit dhe ndërlikimin e realitetit të ngjarjeve që rrethojnë personazhet kryesorë. Nga marrëdhënia interesante e saj me “babain” që e kyç në shtëpi, larg rreziqeve, ku ajo është një fëmijë i madh me tendenca agresive, e shohim sesi hap pas hapi fillon të kthehet në njeri, përmirësimi i të ecurës dhe të folurës në mënyrë mjaft graduale, shpalosja e botës dhe kureshtja e saj deri në gjërat më të imta, të gjitha këto ndërkohë që ajo është e rrethuar nga kafshë hibride që të kujtojnë ishullin e Dr. Moreua-së së H. G. Wellsit dhe një marrëdhënie komplekse me një njeri me fytyrë përbindëshi që e përdor si kavje dhe e quan eksperiment, por njëkohësisht i lexon para gjumit dhe e trajton si bijën e vet, këto janë nuanca komplekse dhe interesante, kalojmë nga kjo, te vajza që po ha një darkë në një restorant luksoz me një shok në Egjipt dhe teksa hanë ai i tregon sesi po vdesin foshnje dhe njerëz poshtë restorantit.
Në thelb nuk ka asgjë të keqe me ketë skenë, thjesht kur kalon nga diçka aq e freskët, ndryshe, pickuese dhe interesante si fillimi dhe kalojmë te klishetë e para mijëra herë dhe s’na thonë domosdoshmërisht diçka të re, por thjesht e çojnë personazhin dhe ngjarjen përpara, çka është diçka e pranueshme, por jo e shkëlqyer.
Këtë rrugëtim ndjek filmi deri në fund; ka skena të këndshme dhe interesante që të mbajnë mbërthyer, të shoqëruara si gjithmonë me nga pak deus ex machina. Fundi është logjik dhe ka një mbyllje të kënaqshme, por do të thosha jo me të njëjtin grusht dhe vrull si të fillimit.“
Gjon Muçi