
Takimi i së martës mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit Donald Trump është i pari që kur dy liderët nisën një luftë të përbashkët kundër Iranit, dhe një mundësi për Netanyahun që të zbusë tensionet në marrëdhënien e tyre.
Takimi zhvillohet ndërsa të dy përballen me presione në rritje në vendet e tyre. Netanyahu kandidon për rizgjedhje dhe ndodhet në vështirësi, pjesërisht për shkak të marrëdhënies së tij të përkeqësuar me Trumpin. Trump ndodhet nën presion për t’i dhënë fund një lufte jopopullore që ka shkaktuar kaos ekonomik dhe ka rritur çmimet, në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme të këtij nëntori.
Dy liderët planifikojnë gjithashtu të diskutojnë marrëveshjen kuadër që SHBA-ja dhe Izraeli nënshkruan me Libanin lidhur me luftën Izrael-Hezbollah, si dhe zgjerimin e “Marrëveshjeve të Abrahamit”, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti për të dhënë detaje paraprake rreth takimit.
“Kemi njëfarë mospajtimi të vogël,” tha Trump të hënën, kur gazetarët e pyetën nëse ai dhe kryeministri izraelit ndanin të njëjtin qëndrim për Iranin. “Por jemi mjaft afër, po.”
Marrëdhënia mes Trumpit dhe Netanyahut ka kaluar edhe më parë në faza uljesh e ngritjesh.
Ndër vite, marrëdhënia e Trumpit me Netanyahun ka qenë luhatëse, por me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, aleanca e tyre dukej më e fortë se kurrë. Kur ata e nisën luftën së bashku në muajin shkurt, e bënë këtë me një front të përbashkët, duke theksuar se forcat e tyre ushtarake po vepronin në koordinim të plotë, për të eliminuar udhëheqjen e Iranit, dhe për t’i hapur rrugën një qeverie më miqësore ndaj Perëndimit.

