Përgatiti Albana N. Lekaj
Një nismë e bukur nisur prej regjisores Albana Kozeli, na shpie as më pak e as më shumë tek tingujt e filmave me të cilët jemi rritur.
Një emër, shpesh i dëgjuar e në dukje i njohur, na vjen në fakt nën një tjetër vështrim, përmes një dokumentari që përpiqet të evokojë një prej kompozitorëve më të dashur për adhuruesit e kinemasë e jo vetëm: Kujtim Laron, kompozitorin numër një të kinematografisë shqiptare, që mban në portofolin e tij artistik, tingujt e thuajse tridhjetë e pesë kolonave zanore të filmit shqip.
E kemi shijuar Laron përmes filmave aq të dashur, si “Udha e Shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Lulekuqet mbi mure”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Në fillim të verës”, “Nëntori i dytë” e shumë e shumë të tjerë, por përmes dokumentarit të Kozelit, personaliteti i tij del më në pah. Përmes një sërë intervistave të atyre që e kanë njohur nga afër Kujtim Laron, bashkëpunëtorë e të afërm, Kozeli përpiqet të na i risjellë në jetë këtë kompozitor kaq të famshëm të muzikës shqiptare, duke na ofruar përmes tyre edhe profesionistin, edhe njeriun, edhe kohën, edhe vlerën njëkohësisht.
Kureshtarë se përse zgjodhi këtë figurë “që nuk sjell klikime”, krahasuar me shumë të tjera që “thyejnë” rrjetin, MetropolPost.al iu drejtua regjisores Kozeli për ta pyetur më tepër mbi nismën dhe dokumentarin e saj.
MetropolPost.al/ Pse zgjodhe Kujtim Laron si subjekt të dokumentarit tënd?
Albana Kozeli, regjisore/ Kujtim Laron nuk e zgjodha, më zgjodhi. Dhe për këtë i jam shumë mirënjohëse. Por po ta shpjegoj përse. Personalisht jam marrë shpesh me dokumentarë, sidomos kur punoja në Qendrën Kulturore të Ministrisë së Mbrojtjes. Por temat atje, zakonisht përzgjidheshin e diktoheshin nga struktura e asaj qendre (pra flitej për ushtrinë e tema të ngjashme, një dokumentar për Feti Voglin që u vra në Afganistan, një tjetër për Ansamblin e Ushtrisë, etj.) Por edhe me studio të ndryshme filmike, kam realizuar dokumentarë historikë, institucionalë dhe për turizmin. Ndërkaq, kam studiuar violinë që femijë, pra jam rritur me muzikën. Filmi mandej hyri më vonë në jetën time si medium dhe ndjeva që këto dy shtylla të artit, po bashkoheshin gradualisht në një hulli, në një shtrat të përbashkët artistik e të përvojës ndër vite. Ndjeva që kishte ardhur momenti të realizoja diçka më të plotë, ku të përmblidhej në një farë mënyre përvoja e mbledhur ndër vite. Kujtim Laro ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe muzikën e tij, veç filmave me të cilët jemi rritur, e kam ndeshur dhe atje, në arkivën e tyre. Muzika e tij e jashtëzakonshme në filmat ikonë të kinemasë shqiptare, ka shenjuar jetën e brezave të tërë, motivet e tij na kanë ndjekur në ngjarje e episode domethënëse të jetës. Pra, të flasësh për Kujtim Laron, është sikur të flasësh për kujtesën emocionale të shqiptarit, është përgjegjësi dhe krenari njëherësh. Dhe këtë e them me bindje.
MetropolPost.al/ Çfarë të ka rezultuar gjatë hulumtimit të kësaj figure, teksa punoje për dokumentarin? A ka ndonjë gjë që do të doje ta veçoje, përtej atyre që ndodhen në dokumentar?
Albana Kozeli, regjisore/Nuk besoj se ka mbetur gjë pa rrëfyer në dokumentar, edhe pse shumë personazhe u lanë jashtë për shkak të minutazhit. Ajo që vura re dhe që ndihet edhe në vepër, është se të gjithë njerëzit me të cilët fola, kishin një entuziazëm të brendshëm kur rrëfenin për të, një lloj admirimi çarmatosës, dhe dhimbje, shumë dhimbje. Thuajse të gjithë rrëfenin me lot në sy jashtë kamerave, madje dhe në kamera disa herë. Ajo që më goditi më shumë ishte se shumë prej tyre nuk kishin foto me të ose i kishin humbur, nuk ishte njeri që ekspozohej, ndërkohë që mbante brenda gjithë atë vullkan krijimtarie. Një thjeshtësi unikale. Për këtë arsye kisha zgjedhur në fillim një tjetër titull, dhe shpesh, në dokumentar shihet hija si metaforë. Njeriu që nuk kishte menduar as edhe një çast për dekorata, çmime apo lavdi. Njeriu që e kishte dashur Shqipërinë më tepër se shumëkush që bërtet tribunave.
MetropolPost.al/ Mendon se artistit tek ne nuk i jepet vendi që meriton?
Albana Kozeli, regjisore/ Jemi të gjithë koshientë që jetojmë në një epokë kapitalizmi të egër dhe antivlerash, dhe, jo vetëm në rastin konkret, por në shumë raste, artistët janë të margjinalizuar, sidomos në fund të jetës. Gjatë procesit të këtij dokumentari njoha njerëz të jashtëzakonshëm, për të cilët thuajse nuk flitet fare e jo t`u kushtohet vëmendja e medieve me dokumentarë, etj. Bën më tepër “scoop” ndarja e ndonjë reperi nga e dashura sesa vdekja e ikonave të tilla që duhet të ishin tashmë në panteonin e artit dhe, pse jo, të vetë kombit.
Xhelozirat janë normale në botën e artit kudo në botë, bërrylat, ligësitë dhe prapaskenat, por nuk e di pse në Shqipëri, kjo është kaq e theksuar sa është ngritur në sistem. Vepra me shumë vlerë kalohen pa u vënë re, ose injorohen plotësisht. Artistët e vërtetë lihen qëllimisht mënjanë, talenti nëpërkëmbet, zbehet, e madje, mbytet, nëse nuk është pjesë e klaneve të caktuara. Madje unë e them shpesh si barcoletë, që të të marrin seriozisht në Shqipëri, duhet të bësh një emër jashtë shtetit e pastaj e ke si pasaportë këtu. Dëgjoj: ‘Aaa po ky paska qenë talent. Pse tani që iku jashtë e kuptuam?”
Kemi njëlloj kompleks inferioriteti ballkanas që s`po na lë të përballemi me botën, duke u nisur nga Shqipëria.
Një artist diku ‘off camera’ më tha qësa janë gjallë figura të tilla, duhet të vlerësohen, gjë që nuk ndodh kurrë. E më pas shtoi, “e shoh që po punon me shumë pasion e po sakrifikon që të dalë diçka e bukur. Mos prit që kur ta shfaqësh të të thonë bravo, përkundrazi, përgatitu të bësh armiq”. Vura buzën në gaz dhe shpresoj të mos jetë kështu, por e kundërta. Madje-madje, të më mbështesin më shumë në projekte të tilla në të ardhmen.
MetropolPost.al/ Cili është dokumentari i radhës ku është fokusuar Albana Kozeli?
Albana Kozeli, regjisore/ Të them të drejtën ende nuk e kam vendosur, por më intrigojnë tema që kanë të bëjnë me komunikimin tonë si shoqëri, etj. Temë tjetër që po mendoj, ka të bëjë me transformimin urban e social që po ndodh para syve tanë e që fsheh shumë të pathëna. Po. E kam menduar dhe një artist tjetër, por më mirë të mos e zbuloj, se thonë që kur i thua, nuk të bëhen gjërat. Le të shpresojmë që kjo nismë e imja të bëhet një nismë e tërë shoqërisë, sepse artistët që i kanë dhënë vendit, që kanë hedhur themelet e artit shqiptar, duhen nderuar e u duhet dhënë vendi i duhur edhe në sytë e brezave të rinj.
MetropolPost.al/ Kur dhe ku transmetohet dokumentari
Albana Kozeli, regjisore/ Dokumentari “Katër masa shpirti”, mbi kompozitorin Kujtim Laro, transmetohet të enjten, më 26 qershor, në Televizionin Shqiptar, në 21.30. Ju mirëpresim!