Janë kthyer më në fund ditën e djeshme nga kampi famëkeq Al Hawl në Siri, edhe 14 fëmijë e 5 gra, mes së cilëve edhe vogëlushja e intervistuar nga gazetari Taulant Kopliku, e cila në videon e publikuar prej tij nga brenda kampit, rrëfen mes lotëve se e ka marrë malli të kthehet në shtëpinë e saj, e të takojë dy shoqet në Tiranë. Mes të tjerave, ajo rrëfen po ashtu se në Shqipëri ka njerëzit e të ëmës, me të cilët komunikon rregullisht e të cilëve u thotë se do të kthehet në Shqipëri.
Në faqen e vet në fejsbuk gazetari Kopliku bën me dije se janë riatdhesuar Klodilda Zani (Cami), Tiranë, me 3 fëmijët (Jasmina), Brunilda Koçellari, Tiranë me 5 fëmijët, Entela Vladi nga Dibra me 4 fëmijët, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, më e moshuara nga gratë, dhe L. K. me dy fëmijët.
Ndërkaq, kreu i shtetit Rama, gjatë intervistës nga Bejruti, ku kishte shkuar të merrte gratë dhe fëmijët, u shpreh se ky operacion kaq i ndërlikuar, qe bërë i mundur falë lidhjes së ngushtë që ai vete ka vendosur me Gjeneralin Abass dhe bashkëpunimit të ngushtë të Ministrisë së Brendshme me autoritetet e Bejrutit.
Ne, tha Rama, deri më tani kemi mundur të tërheqim vetëm ata për të cilët kemi informacion, sepse vetëm marrja e informacionit nga kampi është diçka e shumë e vështirë, histori me shërbime inteligjente, me rregjistrime etj, etj, po gjithësesi, lajmi i mirë është se ata nesër rikthehen.