Është kallëzuar penalisht në prokurori, kreu i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, nga tre efektivë të policisë së shtetit, me pretendimin se i penguar të ushtrojnë detyrën.
Ka reaguar pas kallëzimit penal të tri policëve edhe kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu. Për mes një statusi në Fejsbuk ai i cilëson policët në fjalë barkderra, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.
Në statusin e tij Ndreu, shprehet se do t’u drejtojë një shkresë me sqarimet përkatëse, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e SHÇBA-së dhe prokurorinë, e cila duhet të pyesë me cilësinë e dëshmitarit të gjithë personat pjesëmarrës në darkë.
Statusi i plotë i Pjerin Ndreut.
Kallzim penal nga policë barkderrë, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejne veprime në kundërshtim me ligjin?!
-Që ndërhyjnë në një darkë zyrtare më prezencën e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës, me veprime të dhunshme, kur mund të shkruanin gjobën sipas ligjit që është detyra që duhet të bënin në këto raste!
-Më e keqja është se ndërsa kryenin veprime të dhunshme, në një darkë zyrtare, shumica e lokaleve të Shengjinit ishin hapur, apo rrinë hapur çdo natë deri në orën 02, gjë që vërtetohet me hapjen e kamerave lehtësisht.
– Pretendimi që janë fyer është mënyrë për të shmangë tejkalimin e kompetencave, veprimet e dhunshme në një darkë zyrtare dhe shpërdorimin e detyrës, duke mos vepruar në lokalet e tjera që ishin hapur pothuaj të gjitha.
Duke kërkuar ndjesë për tejkalimin e orarit me 20 min, theksoj se gjoba do ishte korrekte, por jo veprimet e dhunshme.
Zhargoni që vesh media me pretendime policesh me bark të fryrë nga birra, është i tepëruar.
Si drejtuesh i pushtetit vendor, e kam për detyrë të mbaj qendrim kur policia tejkalon masën dhe kryen veprime të dhunshme, kur nuk kishte asnjë kontigjent kriminal në atë darkë.
Por pikërisht kjo është problematike, se ndërsa kontigjentet kriminal bëjnë ça të duan dhe s’i prek njeri, një shkelje që meriton gjobë për cilindo, edhe për mua, bëhet gurgule!
Nesër do ju drejtohem me një shkresë me sqarimet përkatëse, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Drejtorin e SHÇBA-së dhe Prokurorisë, e cila duhet të pyesë me cilesinë e dëshmitarit të gjithë personat pjesëmarrës në darkë!
Kujtojmë që ngjarja ka ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, kur tri policët, të cilët thonë se kanë dëgjuar muzikë të lartë pas orës 11 të natës, janë përpjekur ta ndërpresin atë, por kanë ndeshur në agresivitetin e pronarit me thënien tipike “nuk e rruaj për ju”. Në mes të debatit ka ndërhyrë edhe kreu i Bashkisë Lezhë, i cili, ka dalë dhe i ka urdhëruar policët të largoheshin, me frazën tipike të pushtetarëve shqiptarë: “Këtu ligjet i bëj unë!”
Dëshmia e policëve që qarkullon në rrjet
Aktualisht punoj si punonjës Policie pranë Drejtorisë Vendorë Lezhë, oficer i Patrullës së Përgjithshme, Stacioni i Policisë Shëngjin. Mbrëmë, më datë 24.06.2021, rreth orës 22:00, kam marrë shërbimin. Kam qenë duke patrulluar me kolegun tim. Kemi qenë në makinë, me mjetin e Policisë, në shëtitoren e re.
Te lokal “F…” kemi dëgjuar muzikë. Ora ka qenë 23:14 dhe muzika pas kësaj ore, në bazë të aktit normativ, nuk lejohet. Kemi hapur krahun, kemi ndaluar makinën, kemi zbritur dhe kemi shkuar tek lokal “F…”. Kemi kontaktuar me një nga kamerierët e lokalit dhe i kemi kërkuar që të na thërriste pronarin. Pas 5 minutash ka dalë pronari V. Gj. Në vend që ai të fliste me etikë ndaj nesh, ai na është drejtuar duke na thënë fjalë banale si: “Nuk e rruaj për ju, jeni legena, nuk ju pyes”.
Ne kemi komunikuar duke i thënë se arsyeja se pse kemi ardhur këtu është se ti ke shkelur aktin normativ të qeverisë për ndalimin e muzikës, e cila duhej të ishte fikur në orën 22:00 dhe se kishte një numër të lartë njerëzish brenda në lokal, në verandë. Ai na ka thënë se po e bezdisnim, se në lokal kishte ambasador, kryetarin e bashkisë, “kush jeni ju që më fikni muzikën?”
Pas këtij komunikimi është tërhequr dhe është futur në lokal dhe muzika ka vazhduar. Ne kemi njoftuar menjëherë në radio për problemin sallën operative Lezhë 50, sallën operative Shëngjin 70, shefin e Stacionit Shëngjin 396 dhe shefin e Komisariatit 395, duke iu thënë se shtetasi V.Gj. nuk e fik muzikën dhe kërkojmë ndihmë, forca të tjera. Pas pak ka ardhur një patrullë “Shqiponja”. Jemi afruar të dy patrullat te lokali, kemi marrë kontakt me pronarin V.Gj. dhe i kemi bërë të ditur se do ta shoqëronim në Komisariat.
Në këtë moment ka ndërhyrë duke na penguar në punën tonë kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, si dhe stafi i lokalit, kamerierët, të cilët na kanë kundërshtuar me forcë.
Kur ne po përpiqeshim për të shoqëruar në Komisariat V.Gj., ata na kanë mbajtur për krahu dhe na kanë shtyrë duke na penguar që ta shoqëronim. Meqenëse përballë nesh u fut kryetari i Bashkisë, i cili na tha se: “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: “Lëreni mos u merrni më, largohuni prej aty”.
Jemi larguar dhe kemi shkuar menjëherë te Stacioni i Policisë, kemi përpiluar raportin e shërbimit për ngjarjen, si dhe procesverbalin mbi kundërvajtjen administrative, të ndotjes akustike ndaj V.Gj. Kërkoj që të gjithë personat që na kanë kundërshtuar dhe na kanë penguar në punën tonë, të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet që kanë kryer ndaj meje dhe kolegëve të mi.