Rigon imët shiu sot në Tiranë, aq sa për ta penguar Papin të veshë njeren anë të Ures se Lanës, me librat e tij të perdorur, ato qindra tituj që janë dekori i përditshëm i kesaj zone te Drejtoria si i thonë, mjaft të shkelur nga njerëzit.
Eshte ngujuar në një bodrum pak metra më larg, te ato pallatet e vjetra buzë unazës, ku po mundohet të vendosë rregull.
Pse vallë dikush e nxjerr nga shpia një liber dhe ja nenshtron transaksionit në urë. Papi thotë se këtë e bejnë të moshuarit, që s’kanë kuj t’ia lënë, pasi femijet kanë ikur jashtë.
Perveç kthinës me lageshti, 25 metra katrore, ku mezi kalohet, e ka dhe një garazh deng në shtëpi.
Duhet të jetë lamtumirë e veshtirë kjo, me një autor, një histori, një kopertinë. Papit nuk i ben më pershtypje.
Pasi ke kaluar shumë orë, darka e mëngjese, pandemi, derte e pasione, vjen momenti që duhet ta lësh, ta vendosësh butë në raftin ku rrinë dhe të tjerët, në heshtje të plotë, të ngratë, të mugët, të verdhë, të lënë pas dorë. Ndarja me një libër ka diçka sentimentale. Edhe pse ankorohet aty, vetëm pak metra larg, ti e di që s’do shihesh më me të. Përbetimet për rilexim, në përgjithësi, të kota. Një autor i ri është rrugës, një nobelist ka ardhur, një tjetër pret. Si të përballohet ajo gjithnajë, nga një i zakonshëm që ka pak kohë në dispozicion.
Të pakuvend siç janë, ato kanë lënë megjithatë diçka tek ti, që do të zgjasë, ndoshta shumë. Një atmosferë, një shije, një hije, a shpirt.
Po kur i kërlesh bashkë në të njëjtën kohë, disa syresh, ç’fantazmagori krijohet? Ç’thurimë të mbulon?
Ke aty një simbioze mes fakteve historike dhe trillit të Besnik Mustafajt në librin e tij më të fundit, “Fati i marrë”, zhvendosur në tre kohë. Të pasionit të Skenderbeut me vajzën e Huniadit, atë të zbulimit të madh romantik të Benjamin Disraelit, gjatë udhëtimit në trojet tona, ngjashem më Bajronin, e po ashtu hulumtimet moderne të një studiuesi e biografi, me inicialet B.J, (Mendja ta do se është Boris Johnson), e gjitha kjo rrymë në telat që mbajnë sërish të lidhur, gati dy shekuj më pas Londrën me Tiranën.
Aty ku ngjan se ka një kordon sigurie për të ndarë kronikën me fiksionin, ndodh dhe shkrirja më e madhe, e prej asaj krizalide nxjerrin krye ca flatra letrare që të shoqërojnë gjatë.
Vjen më tej sheshi i përzishëm i sendertimit të shumë komploteve të Ben Blushit, të çifutëve me afganët, në një ankth që nuk di të mbarojë, në arenën e tërheqjes në dy skaje, mes Lindjes e Perendimit, ku rolet janë përmbysur. Një trill tërheqës në truallin e disa kulturave, një manual për komunkimin dhe realizimin e fushatave. Zhvillime haluçinante ku në fund, shqiptari qendron në aspiratën historike, zgjedh diellin që lind nga perendon.
“Nata” e Preç Zogajt zbret me gjithë anën tragjike. Një angushti që nxjerr krye prej nisjes, e ti nuk e lëshon dot nga dora, derisa ta prekësh vetë kobin e lajmëruar. Dështimi i një familje në tranzicion, që mundohet të rrijë e bashkuar e të ecë përpara me ambicie të ndrydhur në ambjentin e ri në qytet ku vendosen të ardhurit, aty ku parimet e nderi që gjakojnë të ruajnë me fanatizëm, mbyten e asfiksohen prej mashtrimeve, manipulimit, hileve e korrupsionit. Një betejë e pashmnagshme, zgjedhje tjetër nuk ka, të cilën të mbërriturit në polis, me projekte të mëdha, nuk e përballojnë dot, e humbin, dhe e paguajnë shtrenjtë, me një jetë. Me jetën e më endërrimtares, më të pafajshmes, teksa prej kohësh mbajnë gjallë në kokë idenë e kthimit sërish në gurin e lindjes, aty ku i përkasin e nuk janë të huaj.
Fantazma e Baltazar Ketës, të Agron Tufës, nuk të shqitet. Lysieni i Balzakut, i këtyre anëve, që tenton të mbijetojë e t’i imponohet metropolit të madh, vjen me dy portrete, dy ndërgjegje. Edhe si Baltazari, edhe si Adriani. Janë nënshtresat e vetëdijes, dilemat që ziejnë, lufta e pandalshme, e pameshirshme e emocioneve të brendshme, e pamundësisë për të qendruar tek e dlira, e virtyti, tek e qashtra dhe e drejta, në një ambjent e shoqëri që ofron vesin, të ligën, rrenën, shtirjen, pabesinë, lakminë, abuzimin, shthurjen, kompromentimin. Dyzim që lë pas kocka e dhimbje. Ai që nuk u prek nga mëkati ikën prej kësaj bote. Iken ai që donte të ishte, ngelet ai që s’donte. Një kaos psikologjik që të detyron prore të ballafaqohesh me veten tende në ato 600 faqe ku stili e gjetjet nuk ta mërzisin në asnjë moment.
Për t’i vënë një kulm, këtij moti me diell e shtrengata që i zene vendin njëra-tjetres, “Founding Father”. Nga të mbijetuarit libra që nuk e ka marrë përgjithmonë rafti, bashkë me fantazmen. I kthehesh, sa herë sheh ngado politikanë të vegjël me zhurmë të madhe. Gjen aty idetë ku u ngjiz një komb i ri, në kohën e ‘Letrave të Federalistit’. Gjen atë që Migjeni kërkonte me dëshpërim; “kur do shfaqet ai burrë, i madh sa një madhni”. Xhorxh Uashingtonin gjen, me mundimet e tij, i cili, edhe pse ishte i pari dhe ndoshta i fundit lider në planet, me konsensus absolut të popullit, pa asnjë kontestim, sërish vonoi shumë ta pranonte detyrën e Presidentit të parë. Sepse, vriste mendjen gjithë kohës, a ishte i denjë, a do ta bënte dot mirë, a do t’i shërbente si duhet qytetarëve të tij.