E martë, 25 Gusht, 2026
Klima

Emergjenca nga vala e të nxehtit, The Guardian: “Të paktën 35,000 të vdekur në Evropë këtë verë”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit


Numri më i lartë i vdekjeve u regjistrua në Gjermani, e ndjekur nga Spanja dhe Franca. BE: “Perspektivat për të korrat verore bien ndjeshëm.”


Gjatë katër valëve të të nxehtit rekord në Evropë, “vdiqën të paktën 35,000 njerëz më shumë sesa pritej”. Kjo është shifra që na vjen nga gazeta britanike The Guardian, pas një analize të të dhënave të vëna në dispozicion nga vende të ndryshme. “Vdekshmëria e tepërt në tre vendet më të mëdha të BE-së — Gjermani, Francë dhe Spanjë — e ka kaluar tashmë shifrën e 25,000-shes, sipas të dhënave paraprake kombëtare, dhe ekspertët pohojnë se bilanci do të rritet ndjeshëm, pasi të finalizohen shifrat për muajin gusht.”


Bilanci më i lartë në Gjermani: Numri më i madh i viktimave u regjistrua në Gjermani. Deri në fund të javës së kaluar, vendi kishte raportuar afërsisht 14,000 vdekje të lidhura me të nxehtin midis 6 prillit dhe 9 gushtit. Agjencia e shëndetit publik, Instituti Robert Koch, deklaroi se 9,600 njerëz vdiqën vetëm gjatë javës së 22–28 qershorit. Të dhënat theksojnë se kjo ishte, me diferencë të madhe, vera më e rëndë e regjistruar ndonjëherë në Gjermani sa u përket vdekjeve të lidhura me të nxehtin. Për krahasim, kulmi i mëparshëm ishte rreth 8,900 në vitin 2018, ndërsa vdekjet verore lidhur me të nxehtin zakonisht janë më pak se 2,000, sipas Institutit Robert Koch.


Ndërkohë, në Spanjë, shifrat nga sistemi i monitorimit të vdekshmërisë i Institutit Shëndetësor Carlos III tregojnë se 4,947 vdekje mund t’i atribuohen të nxehtit midis muajit maj dhe fundit të gushtit. Kështu, edhe për Spanjën, viti 2026 do të ishte viti më i rëndë i regjistruar për vdekjet e lidhura me të nxehtin, duke tejkaluar shifrën prej 4,520 të regjistruar në vitin 2022.

Sa i takon Shqipërisë, nuk dihet ende se sa mund të ketë qenë ky numër, për shkak se statistikat zyrtare nuk ofrojnë asnjë të dhënë.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top