Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se brenda kësaj jave grupi parlamentar i PD-së do të paraqesë tri amendamente ligjesh, mes së cilave edhe ajo e vetingut të politikanëve, një çështje shumë e diskutuar në opinionin publik shqiptar.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, tha Basha, ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në Parlamentin e Shqipërisë, amendamentin kushtetues për vetingun e politikanëve, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018, ku qëllimi për të bërë vetingun e politikanëve, për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, për pasuritë e tyre, të familjarëve të tyre apo të ortakëve të tyre, të hapura apo të fshehura, brenda apo jashtë Shqipërisë, në parajsa fiskale apo banka offshore, është një qëllim legjitim. Respektojnë po kështu edhe kërkesën për proporcionalitet, që është pjesa e dytë e Komisionit të Venecias, duke e kërkuar në këtë amendament kushtetues. Venecia thotë që i gjithë parashikimi i procesit duhet bërë në Kushtetutë, në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, njohur ndryshe si SPAK , që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme , pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortaket e tyre.
Dy amedamentet e tjera, deklaruar nga Basha përpara gazetarëve, qenë ajo e zhbërjes së ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës të 30 korrikut dhe miratimi i komisionit të reformës zgjedhore, si dhe amendamenti i nisjes së reformës territoriale në vend.
I pyetur nga gazetarët mbi ndonjë kompromis të mundshëm me Partinë Socialiste mbi reformën zgjedhore apo vetingun në politikë, Basha deklaroi se: Nuk bëjmë pazar dhe nuk futemi për pazar. Këto janë çështje të rëndësishme për shqiptarët. Rikthimi i institucionit të votës së lirë pa të cilën nuk ka demokraci, do të thotë nuk ka mirëqenie, nuk ka zhvillim, por ka vetëm emigracion, papunësi, varfëri. Është çështje e shqiptarëve, jo e Partisë Demokratike, s’mund të jetë çështje pazari. Vettingu i politikanëve do të thotë pastrimi i politikës, nga personat që kanë lidhje me krimin e organizuar apo janë të korruptuar. Është interesi më i mirë i shqiptarëve, nuk është çështje thjesht e Partisë Demokratike. Reforma territoriale është çështje e shqiptarëve, nuk është çështje thjeshtë e Partisë Demokratike, tha mes të tjerave Basha.