Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, i ka deleguar figurës së policit, përgjegjësinë e plotë për çdo dhunim territori në Republikën e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, mbi mbrojtjen e territorit dhe zbatimin e Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme në të, Çuçi u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarët ta njohin Policinë e Shtetit si garantin e tyre lidhur me çdo dhunë apo krim që bëhet, si ndaj personit, ashtu edhe territorit e mjedisit.
Tashmë ka ardhur koha që Policia duhet konsideruar një e vetme, tha Çuçi, në kuptimin e vendosjes kontrollit mbi territorin. E gjithë përgjegjësia për çdo lloj vepre penale që ndodh në territor, duhet t’i bjerë, dhe do ta ketë, siç e ka në fakt me ndryshimet ligjore që kemi bërë dhe ndryshimet strukturore organizative që kemi bërë, Policia e Shtetit. Duhet të krijojmë ekipe të përhershme të përbashkëta, tha Çuçi, midis punonjësit që ka në ngarkim një territor të caktuar të Republikës së Shqipërisë, me inspektorin që përgjigjet për ndërtimet pa leje, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e mjedisit, për inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e pyjeve. Dhe është ky ekip që duhet të funksionojë si një i vetëm, në lidhje me të gjithë krimet që ndodhin në territor, siç funksionon në lidhje me krimet e tjera.
Duke filluar që sot punonjësi i policisë do jetë përgjegjës për çdo shkelje dhe dhunim të territorit në Republikën e Shqipërisë, sa i takon ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, mbrojtjes së pyjeve. Këtu i bëj thirrje edhe pushtetit vendor, që të rrisë përgjegjësinë në këtë fushë, sepse mbajnë përgjegjësi ligjore të drejtpërdrejtë, që nga Inspektori që kanë atje në terren, dhe deri tek administratori, kryetari i bashkisë përkatëse për këto dhunime dhe këto shkeljet flagrante të ligjit.
Në fjalën e tij ministri i Brendshëm Çuçi u bëri apel edhe atyre që kishin dhunuar territorin dhe mjedisin, duke u thënë ta harrojnë celularin e ministrit e se do të përballen me forcën e ligjit si kurrë më pare për çdo shkelje.
Nuk dua të zgjatem shumë, por dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues, që nga veriu dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm. Kushdo qoftë sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë, nuk do të tolerohet më dhunë mbi territorin, përfundoi fjalën e tij ministri Çuçi.