Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka shqyrtuar sot kërkesën e 49 deputetëve socialistë për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës. Kreu i Komisionit Ulsi Manja ka bërë me dije se kjo kërkesë e më shumë se ¼ të deputetëve është bazuar në nenin 90/2 të Kushtetutës dhe në atë 112 të Rregullores së Kuvendit, dhe po ashtu i është bërë e ditur edhe Presidentit Meta, i cili ka kërkuar që më 10 maj të paraqitet përpara këtij Komisioni për t’u shpjeguar.
Teksa paraqitën këtë nismë përpara këtij Komisioni, deputetët Hysi dhe Bushati thanë se gjatë procesit zgjedhor, Presidenti Meta kishte shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën, duke cënuar kështu besueshmërinë e qytetarëve në rolin e kreut të Shtetit
“Presidenti i Republikës, tha Hysi, në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet , madje e ka dëmtuar atë, madje, ai, si para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak.
Ndërkohë që Bushati ka shtuar se kjo është një situatë e përsëritur e përpara dy viteve, gjë që duhej zgjidhur sa më parë dhe presidenti të rrinte larg politikës:
Në mënyrë të përsëritur ne vijmë sot prapë në të njëjtin vend që kemi ardhur dhe para 2 vitesh, tha Bushati, ndaj mendoj që kolegët që do ta shqyrtojnë, ta marrim parasysh më shumë seriozitet, jo vetëm për rastin në fjalë, por sepse një herë e mirë, ky Kuvend, themeli i një Republike Parlamentare, duhet të vendosë precedentin. Presidenti i Republikes jo vetëm duhet të jetë larg politikës, jo vetëm duhet të flasë me gjithë shqiptarët, por duhet të jetë në radhë të parë i pari që ruan Kushtetutën, ruan ligjin, integritetin e shoqërisë dhe të Republikës dhe nuk mund të lejojmë të përsëriten në të ardhmen aventura të tilla presidenciale politike, të cilat dëmtojnë themelin e Republikës së Shqipërisë, shoqërisë dhe harmonisë shoqërore në Shqipëri, tha Bushati.
Komisioni vendosi që mbledhja e radhës, ku presidentit Meta të shprehej për këtë cështje, të zhvillohej në datën 6 maj, ora 11, dhe jo në datën 10, siç Meta kishte kërkuar.