Në një deklaratë për mediat, presidenti Meta, pas zgjidhjes së situatës nga ministrja Balluku, ka kërkuar auditimin e plotë të kompanisë AlbControl nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie, përdorimin e fondeve publike, respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës dhe cdo aspect tjetër që lidhet me funksionimin normal të kësaj kompanie.
Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, shkruan Meta, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, i jam drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:
- mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;
- respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;
- përdorimin e fondeve publike;
- respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe
- çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.
Po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkoj autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale, duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast.
U bëj thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe jam i gatshëm në çdo moment të thërras urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.