Duket se përjashtimi nga listat zgjedhore 2021 i Romeo Gurakuqit, ka shpërthyer një debat mes ish presidentit Nishani dhe deputetit Romeo Gurakuqi.
Në një shkrim botuar tek e përditshmja Mapo, Gurakuqi shpreh rezervat dhe vërejtjet e tij për përjashtimin nga listat, duke i cilësuar ata që e kishin ndërmarrë një vendim të këtillë, si ‘komisionerë të paçertifikuar’, gjë që, me sa duket, ka acaruar ish-presidentin Nishani.
Të dashur miq, shkruan Nishani në fejsbukun e tij, Romeo i 2017 është bashkuar me korin e korbave, të tmerruara nga përparimi, civilizimi dhe vizioni i jetësuar prej Partisë Demokratike në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për listën e deputetëve. Romeo na u shfaq si shpifësi ordiner i radhës, duke përsëritur logorenë e enveristëve dhe ish bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit, që ka 15 vite që tenton më kot të ndotë, me të vetmin qëllim, që të na zmbrapsë nga beteja me kodoshët stalinistë.
Të nderuar miq! E di fare mirë se ju të gjithë, do të më thoni që një ish president nuk ja vlen të merret me një llaxore korridoresh. Po, shumë e vërtetë si parim, por unë do të lutesha për mirëkuptimin tuaj. Në fakt nuk ja vlen që të ndalemi e të qëllojmë me gur çdo qen që na del përpara e na leh, se ashtu, nuk do të kishim kohë të mbërrinim në destinacion kurrë. Por sot aq e madhe sa ç’është mundësia e komunikimit dhe shprehjes po aq është edhe mundësia e shpifjes dhe intrigës! Gjithashtu, unë mendoj se vemjet po nuk i dezinfektove, kthehen në krimba e gangrenizojnë gjithnjë e më shumë. Të gjithë mbartësit e këtyre shpifjeve, pararendës të Romeos së 2017, janë dënuar nga gjykatat e këtij vendi si “shpifës”. Ata do të kujtohen gjithmonë si shpifës ordinerë, e fëmijët e tyre si fëmijë të shpifësve ordinerë!
Por Romeo i 2017, ka një dallim prej tyre. Romeo është edhe burracak, frikacak e zvarranik, nuk i del shpifjes ballazi! Para zgjedhjeve të vitit 2017, Romeo më dërgonte sms, ku kërkonte ndihmë se (sipas Romeos) punëdhënsi i tij H. Çili, i kërkonte me ngulm që Romeo të sulmonte e shante në media Sali Berishën. Atë kohë kisha ndjesinë se kisha të bëja me një kameleon që “luan me dy porta”. Por në 2017, Romeos ju dha një mundësi e artë dhe vlerësim maksimal, duke e vendosur të udhëheqë listën elektorale të Partisë Demokratike në Shkodër. Këtë besim, Romeo e shndërroi në dështimin dhe rezultatin elektoral më skandaloz dhe poshtërues për Partinë Demokratike në Shkodër, gjatë gjithë historisë së pluralizmit shqiptar.
Romeo 2017, e lëshon gjuhën me akuza banale pa u nxirë e pa u skuqur, për sa thotë. Si një ish Ministër i Brendshëm, do t’i sugjeroja Romeos 2017 të kërkonte e lexonte në arkivin e Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Brendshme) kartelën Nr. 379, të datës 08.01.1949, të rekrutimit të “SATELITIT” prej oficerit të sigurimit, Anastas Bojaxhi dhe kartelen Nr. 2641 të datës 27.02.1980, të rekrutimit të “VIGJILENTIT”, prej oficerit të sigurimit, Selfo Islami. Jam i bindur se paskëtaj, Romeo 2017, do të kthjellohej, pakëz. Unë e kuptoj fare mirë se logoreja e Romeos 2017 është turfullimi i serbofilit të Tiranës, kur sheh diferencën e madhe të modeleve midis një partie moderne me profil perëndimor si Partia Demokratike e nga ana tjetër Rilindja e serbofilit të Tiranës që përzgjedh vrasës, trafikantë, rrëmbyes e zhvatës për deputetë. Unë e kam të qartë, të nderuar miq, se filoserbi i Tiranës dhe banda e tij, sponsorizon gjithçka për të na perfshirë në debat. Megjithatë, ja jap me dëshirë këtë kënaqësi.
A e dini pse? Sepse, përtej kënaqësisë që do të shijojnë nga ky debat, do të kuptojnë edhe se cila është e ardhmja për ta. Çdo pasuri të paligjshme që kanë vënë, do t’i kthejnë mbrapsht, të gjitha. Pa përjashti! Nuk ka alternativë dhe as shpëtim! Me këtë rast, njohim edhe ata mjeranë që identitetin dhe dinjitetin e tyre, e kanë sa vlera e një sufllaqeje!
Ca më pas këtij statusi, reagon po në fejsbukun e tij, Gurakuqi: Pas një deklarate shantazhuese të z. Nishani, deklaroj me përgjegjësi para opinionit publik, se të dhënat e paraqitura nga ish- Presidenti i vendit, nuk kanë të bëjne as me mua dhe as me familjen time. I kërkoj publikisht Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish Sigurimit të Shtetit, të japë opinionin e vet përkufizues, brenda parashikimeve të ligjës, mbi dy dosjet e cituara.
Personalisht jam kontrolluar dy herë nga Autoriteti për Informim në vitin 2017, herën e parë si kandidat për organet e reja të Drejtësise dhe herën e dytë pas fitores nga PD Shkodër të zgjedhjeve të vitit 2017,.para marrjes se mandatit, me nismën time. Personazhet, oficerët, të dhënat nuk kanë të bëjne me mua dhe me asnjë anetar të familjes sime.
Nën përgjegjësi publike, deklaroj se as unë dhe asnjë anetar i familjes sime, nuk ka qenë kurrë as bashkpunetor i Sigurimit dhe as anëtar i PPSH. Problemi është se këtë shpifje shantazhuese e bën një person që ende nuk ka shkuar vetë për të bëre kërkesë para Autoritetit.
Bashkëngjitur është vërtetimi i Autoritetit. Shpifesi do të mbajë përgjegjesi ligjore. Qytetarët kanë rastin të kuptojne se nën drejtimin presidencial të kujt ka qenë! Kjo sa për fillim, mbasi lajmi më gjeti në udhëtim.