Jo më shumë se pak minuta më parë, dëgjova një material të përgatitur prej gazetarëve të A2CNN, sipas së cilëve, 80% e të rinjve shqiptarë janë anlfabetë funksionalë, duke e renditur për pasojë Shqipërinë në vendet e fundit në vlerësimin e Piës, diku nga vendi i 86.
Por çfarë do të thotë anafalbetizëm funksional? Për të tërë ata që nuk e dinë, analfabetizëm funksional do të thotë kur ti mund t’i lexosh gjërat, por nuk arrin t’i kuptosh e si rrjedhojë nuk arrin t’i riprodhosh saktë.
Në Shqipëri për anafalbetizmin funksional ka nisur të flitet pë herë të parë rreth viteve 2010-2015, pas rritjes në Shqipëri të brezit me të ashtuquajturin altertekst (tekst alternativ shkollor), një koncept futur prej Genc Pollos kur qe Ministër Arsimi në vitet 2005-2008, ku, nisur nga kurrikula bazë caktuar prej ministrisë së Arsimit, autorë të ndryshëm në bashkëpunim me shtëpi botuese të ndryshme, përgatisin tekste të caktuara shkollore, që prej abetares, matematikës, historisë, diturisë, gjeografisë e me radhë, e mandej, mësuesit, duke njohur kapacitetin apo duke synuar një vizion të caktuar për nxënësit e tyre, zgjedhin tekstin që mendojnë se u përshtatet.
Altertekstet në fakt prodhuan një kaos të madh në dijen që iu dha brezave atyre viteve. Shumë njerëz të fushave përkatëse, profesionistë ose jo, nisën të shihnin një parajsë të ardhurash tek prodhimi i teksteve shkollore, ndaj iu futën me themeli punës për të sjellë në shqip tekstet përkatëse, duke u përpjekur mandej të lidheshin edhe me shkollat, drejtoritë apo mësuesit, në mënyrë që ata t’i përzgjidhnin ato. Nuk besoj se u respektuan kritere, si për sasinë, ashtu edhe për cilësinë e këtyre alterteksteve.
Për një farë periudhe në mos gaboj, anej nga 2015a, u arrit të botohej edhe 12 variante të ndryshme për një lëndë, duke e futur nxënësin dhe mësuesin në krizë. Për hir të kësaj, aso kohe Ministria e Arsimit ndërhyri dhe la vetëm 3 tekste alternative për një lëndë, dhe, vajti si vajti, qysh prej asaj kohe e deri më tani, vazhdon ende e njëjta problematikë: klasat e të njëjtës moshë, fjala bie klasë e pestë, nisur nga ajo që zgjedhin mësuesit përkatës, pavarësisht se janë në të njëjtën shkollë, mund të mësojnë më dy libra të ndryshëm, përkthyer në mënyrë të ndryshme, shqipëruar në mënyrë të ndryshme, me koncepte të njëjta ardhur me shqipërime të ndryshme (se m’u kujtua, teksa shkruaj për altertekstin. Jo më shumë se para pak ditësh, pashë një tekst shkollor të klasës së katërt, ku shkruhej se “drogat janë të mira e të këqija”, në një kohë që në KONTEKSTIN SHQIPTAR, pavarësisht atij amerikan apo anglez nga mund të jetë përkthyer pjesa, po the drogë, ke thënë vetëm cilësi negative).
Që të mos zgjatem, e tëra kjo mori e pakontrolluar konceptesh, ka bërë konfuz e lëmsh jo vetëm prindërit, që shohin të pataksuar morinë e librave që ngarkojnë si gomerë çanta e fëmijëve të tyre, por edhe cilësinë që lë për të dëshiruar të teksteve shkollore, që keqbrumosin brezat konceptualisht, pa mundur të gjejnë dot një fajtor, të cilit mund t’i kërkohet llogari e padyshim edhe përmirësim i situatës.
Po çfarë bëhet në këtë rast?
E vetmja gjë për t’u bërë në këtë rast, është që Ministria e Arsimit të marrë në dorë frenat e botimeve të teksteve shkollore e ta unifikojë dijen e dhënë në to, duke i dhënë fund një herë e mirë këtij mish-mashi dijesh e konceptesh që po na i bëjnë të rinjtë analfabetë funksionalë. Ndonjë liberal dijeje do të thotë se kjo është diktat i dijes shkollore, por jo, sepse askush nuk i pengon profesionistët e fushës të botojnë e të analizojnë e të studiojnë si të jetë më e mira, veç ama me librat shkollorë nuk mund të luajmë. Fëmijët shqiptarë literaturën shkollore duhet ta kenë një e të unifikuar, me koncepte të qarta e të mirëshqipëruara, në mënyrë që të fillojë e të rritet një brez jo analfabet funksional.
Ministria e Arsimit, duket të marrë përsipër, në bashkëpunim me një, dy a tre shtëpi botuese, të prodhojë 1 abetare, një gjuhë, një lexim, një histori e me radhë, për të tëra shkollat, sipas klasave, në mënyrë që dija të vejë tek brezi e kontrolluar, dhe tjetra, Ministria e Arsimit duhet ta heqë urgjentisht gjuhën e huaj përpara klasës së pestë (nuk janë të marrë bota që e fusin kaq vonë gjuhën e huaj, kanë një motiv), sepse që fëmija të nisë e mësojë një gjuhë të dytë, duhet të ketë të ngulitura fillimisht strukturat dhe fjalët e gjuhës së vet, në mënyrë që dija e marrë prej gjuhës së dytë, të ketë ku e si t’i përthyhet, apo, thënë më mirë, t’i përkthehet. Mësimi i gjuhës së dytë qysh në fillore, shkon vetëm në dëm të gjuhës shqipe e fëmijëve).
Vetëm kështu pra, do të shmanget anafalbetizmi funksional në Shqipëri, vetëm duke kontrolluar në mënyrë rigoroze dijet që u vihen fëmijëve në libra (që nuk mund të bëhet e mundur nëse nuk ngjizen prej një burimi zyrtar), që të jenë të tretshme sipas grupmoshave e jo t’i kapërcejnë ato, me idenë se fëmija mban e bëhet më i ditur. Dhe vetëm kështu do mund 1) të shmangim anafalbetizmin funksional në vijim, e po ashtu edhe të ngjitemi në klasifikimin e Pizës. Sepse arsimi dhe arsimimi janë procese që u shëmbëllejnë ndërtesave: në fillim ngrihen themelet e forta e mandej ndërtohet karabinaja. Dhe kur them themele të forta, nuk e kam fjalën për turlilloj lëndësh që tahmaja e shkollave apo prindërve synojnë, por bazat e nevojshme për grupmoshën, që i bie gjuhë shqipe, matematikë, edukim qytetar e dituri, secila me një libër dinjitoz, e mandej, gradualisht, nga klasa e katërt a e pestë, të futen lëndët e tjera një nga një, me konceptet përkatëse të mirëshqipëruara, jo shabllone copy-paste (se m’u kujtua një tjetër togfjalësh i gjetur në një prej teksteve shkollore të fillores, “gozhda u zgërlaq”, kur ne që merremi me gjuhën e dimë fare mirë se zgërlaqen vezët e frutat e qullta, por kurrsesi gozhdët).
Se m’u kujtua edhe një tjetër gjë tani, se po nise të flasësh për shkollën, librat shkollorë e mësimdhënien në Shqipëri, nuk di ç’të thuash më parë: kam parë shkolla që qysh në parashkollor, kur fëmijët nuk dinë ende të dallojnë gërmat, t’u kërkojnë fëmijëve të lexojnë fjali. Dhe ç’bën fëmija i shkretë, e mëson përmendësh që të jetë në rregull me prindin dhe mësuesin, dhe as nuk e vret mendjen për kuptimin, jo se nuk do, por se pesë vjeç as nuk i bëhet vonë për të. Halli është që, teksa ne vazhdojmë t’ia rëndojmë çantën me libra e koncepte turlilloj, ai nis dhe e bën sjellje këtë, dhe 1) shkollën e sheh si barrë e mezi pret ta heqë qafe dhe 2) bëhet analfabet funksional.
Dikush mund të thotë e ke gabim, por ja që kështu e ka bërë Zoti trurin e njeriut, u përgjigjem unë. Në mosha të ndryshme, përthith një sasi të caktuar informacioni, në të kundërt, e gjitha vete dëm.
Bashkëngjitur tema mbi analfabetizmin, në A2CNN





























