Milan Kundera shkruan se “litost” është një fjalë çekisht, e papërkthyeshme në gjuhë të tjera. Shqiptimin e fjalës e krahason me angullimën e një qeni, ku rrokja e parë duhet të jetë e zgjatur dhe e theksuar. Për ta shpjeguar, e ilustron me një ngjarje: Dy studentë lahen në lumë, ku studentja është shumë sportive, ndërsa studenti komplet e kundërta, noton keq dhe me nervozizëm. Vajza është shumë e dashuruar dhe prandaj e kujdesshme që të ruajë ritmin e tij, por në fund, mbizotëron instikti sportiv dhe me një krol të shpejtë, i drejtohet bregut përballë. Djali tenton të bëjë të njëjtën gjë, por gëlltit ujë, duke ndjerë poshtërim për shkak të demaskimit të inferioritetit fizik. Ai përjetoi litost.
Litosti, shkruan Kundera, është një gjendje mundimtare, lindur nga spektakli i zbulimit të befasishëm të mjerimit tonë. A ka ilaç? Po, dashuria, shkruan Kundera te “Libri i së qeshurës dhe harresës”, sepse kush është i dashuruar s’mund të jetë i mjerë. Litosti, i papërkthyeshëm, është tipar i moshës së papërvojës. Është stoli e rinisë.