Duke nisur nga dita e nesërme Tirana do të blindohet me masa të shumta sigurie për shkak të samiteve dhe vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në kryeqytet.
Pritet që presidenti i Ukrainës të mbërrijë në Rinas mbrëmjen e 27 shkurtit ku do të marrë pjesë në samitin për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.
ABC News mëson se masat e Policisë e Shtetit do të nisin që më datë 27 shkurt, ku do të angazhohen mbi 1600 forca policore. Të gatshëm do të jetë i gjithë reparti RENEA, por edhe FSK. Ditën e nesërme në Rinas do të zbarkojnë sektori i Antiterrorit, shërbimet e SHISH por edhe RENEA per të kontrolluar sigurinë në aeroportin e Rinasit.
Ndërkohë policia rrugore do të ndalojë që nga nesër parkimet në rrugët që do të bllokohen për dy samitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha informacionet dhe përmbajtjet e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vendin tonë.
Sa i përket sigurisë së personaliteteve që do të jenë në samit prej ditësh në vendin tonë ndodhen edhe ekspertë të huaj, të cilët kanë asistuar ndihmën e tyre në shoqërimin me eksortë të personaliteteve të huaja nga Rinasi si dhe një grup i posaçëm që merret me sigurinë e presidentit ukrainas Zelensky.
Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.
Do të bllokohen në intervale të ndryshme kohore:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.