Pak orë më parë kisha shkruar një status për marrëzinë popullore të profanëve që i janë përveshur, përkundër analfabetizmit të tyre, misionit për të bindur këdo mbi dhe se çdo gjë që ka lëvizur, lëviz e fluturon – shpegohet vetëm me fjalë shqipe. Asnjë gjuhë s’ka guxuar të ndodhë, pa rrjedhë prej pellazgjishtes? Ndoshta shqipja edhe është Big-Bangu i çdo gjuhe mbi faqe të dheut dhe qejfi do na bëhej të ishte, – nuk ishte ky thelbi i diskutimit – por si e vërtetojnë këtë levendët e pellazgologjisë sonë? Me çfarë fjalësh? Se me etimiologjinë akrobatike të shqipes-dalipishte, step-by-step, nuk shkohet as në derë të vogël. Marrim vetëm një shembull, fjalën e mbetur nga leksiku turk “aksham”. Si përgjigjen adeptët dalipistë?
“Aksham” – fjalë turke?! Jooo, është shqipe e kulluar. Si? Shumë e thjeshtë. Ndiq hapat:
- a-në e dytë e bëjmë ‘e’. (Po pse nuk bejme edhe a-në e parë? Ashtu ështe një muhabet). Pra, akshEm.
- Shtojmë nga xhepi një “a” tjetër pas ‘k’-së. Pse? Sepse nuk del. Pra, u bë akAshEm. A shtojme një ‘a’ ose ‘u’pas ‘m’? Rri urtë!
- Shtojmë nga xhepi një ‘h’ pas ‘e’-së që ishte ‘a’. Heu bre! Pra, del ‘akasheHm’.
- Tani arritëm në finale! Jo prit! Shtojmë edhe një “ë” tjetër pas ‘m’-së. Del “akashehmë”
- Tani që e rregulluam sipas qejfit, vjen surpriza pellazge! Le ta ndajme se bashku: a-ka-sheh-më. E kuptuat? Eshte shqip mo, shqip. Domethene eshte fjalë-fjali pyetëse (duhet t’i shtojme edhe nje pikepyetje akshamit ne fund, por e leme me kaq, se do bezdisen njerezit). Pra, si themi ne kur erresohet dhe nuk sheh më: “A ka sheh më?” Hë mo, themi apo jo keshtu? Ne pellazget keshtu e themi. Ju qe jeni shitur te turku, thoni: aksham. Ja pra, ika, se më zuri akashehmëi?
Pikërisht këtë lloj marrëzie, që çdo gjuhë të huaj, pa përjashtim, e shpjegojnë demos përmes shqipes me këtë metodë “mbushamendëse”, e quajta Egofallocentriste. Dhe përfundoja: “Egofallocentristët tanë tashmë janë bërë të rrezikshëm, brutalë e kanosës. Provo t’i kundërshtosh!”
Nuk vonoi dhe u vërsul mbi mua “shkenca dhëmbaçe dalipiste”! O burra, t’i biem jezitit që na mohoi vatanë! I mbushën fejsbuqet e tyre deri më tash plot me mërzi jeshile botërore. Bini mor trajma, bini…!
Hall të ushtrosh lirinë tënde të mendimit pa këto pasoja, përndryshe, lëre derdimenin në shenjtninë e vet…!