Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, e huazon motivin e skëterrës për ta shtjelluar në disa prej veprave të tij, sidomos tek romanet Muzgu i perëndive të stepës (1978), Prilli i thyer (1980), Pallati i Ëndrrave (1980) dhe Zhgaba (1996). Në tri romanet e para, motivi i skëterrës vjen përmes huazimeve të elementëve nga Ferri i Dantes, kurse për ta mishëruar këtë motiv në romanin e katërt, Kadare huazon një njësi tematike nga folklori shqiptar: përrallën Qerosi në botën e poshtme.
Përpjekjen e parë të dukshme për ta shtjelluar motivin e skëterrës huazuar prej Ferrit të Dantes, Kadare e bën tek romani Muzgu i perëndive të stepës, roman që dallohet për ngjyra të forta autobiografike[1]. Në roman, ky motiv, është sfondi ku shtjellohet tematika kryesore e tij dhe në tekst vjen përmes këndvështrimit të studentit shqiptar, protagonistit kryesor, i cili është edhe narratori i rrëfimit. Bazuar kryesisht në kujtimet e Kadaresë nga koha kur studionte në Moskë, “Muzgu…” trajton në thelb tharjen dhe shterpësinë që po mbyste letërsinë në vendet e kampit socialist, duke na sjellë jo pak pasqyrime të skëterrës danteske.
Dy fjalë mbi subjektin
I ndodhur mes njerëzve që kishin ardhur të studionin letërsi në Institutin “Gorki”, të cilët ndodheshin aty vetëm pasi kishin mbaruar disa punë më të rëndësishme, që nuk kishin pasur të bënin me letërsinë, pra kishin mposhtur kundërshtarët, i kishin fajësuar për stalinizëm, liberalizëm, nacionalizëm borgjez, rusofobi, shovinizëm, semitizëm, modernizëm, folklorizëm etj., etj.; u kishin prishur karrierën letrare atyre që mëtonin drejt letërsisë së vërtetë, duke u ndaluar edhe veprat; pasi i kishin detyruar të jepeshin pas alkolit, të vrisnin veten, apo i kishin internuar, pra pasi kishin vrarë letërsinë e vërtetë, protagonisti, i gjendur mes tyre, ndihet i huaj me gjithçka kishte dhe ëndërron, duke na sjellë përmes fluksit të ndërgjegjes, ndjesitë që e pushtonin, të cilat e bëjnë t’i shëmbëllejë më tepër një qenieje të vdekur, se një të gjalle. Këtë ndjesi të të qenit midis, që luhaet mes të gjallës e të vdekurës, protagonisti-narrator e dëften qysh në fillim të romanit: “Kjo jetë kishte diçka të tharë qyshkur, shkruan ai, do të thoshe antologjike, apo ndoshta kështu më dukej mua, ngaqë sikurse në Jaltë, edhe këtu e ndjeja se po jetoja në një botë disi të çuditshme, ku e vdekura dhe e gjalla ishin përzierë bashkë.[2]“
Ngrirja muzeale që karakterizon një pjesë të mirë të studentëve, mërzia e një trajtshme e ditëve, njerëzit me iniciale që protagonistit i duken si gurë varri me mbishkrime, të gjitha këto bëjnë që me kalimin e kohës, protagonisti të kalojë nga ndjesia e midistë, pra as i gjallë e as i vdekur, në ndjesinë e të qenit një qenie e vdekur, rrethuar nga shumë të pa shpirt të tjerë, që ditë pas dite ngërthenin dhe mbysnin letërsinë e vërtetë. Pikërisht kjo atmosferë, bëhet burim edhe për analogjinë me skëterrën, e cila përforcohet edhe prej imazhit të godinës së konviktit, që në tekst vjen përmes disa elementëve të huazuar prej Ferrit të Dantes.
Së pari, tek romani “Muzgu i Perëndive të Stepës”, vërejmë një përqasje implicite me Ferrin, ku elementi që shquan më tepër përgjatë tërë romanit është terri, ndriçimi i mekët e i pakët. Kadare e lë në në kompetencën e lexuesit të krijojë analogjinë me Danten, i cili në pjesën më të madhe të kohës, e sheh protagonistin e romanit të ecë tutje-tëhu nëpër gjysmë terr apo në terr të plotë: “Katet njëri mbi tjetrin nxinin të gjithë, por sidomos m’u duk më i errëti i katërti. […] U largova dhe fillova prapë të zbrisja shkallët. Katet e tjera ishin krejtësisht të vdekura.”[3] Ky është një terr që të kujton terrin e Ferrit të Dantes, kur futet së bashku me Virgjilin në Limb: “Unë ecja tani në pjesën e errët të korridorit. S’dukej asgjë…[4] …dhe mbërritëm në një vend që gja s’e ndrit.“[5] shkruan Dantja, e po si Dantja që kalon nw terr rrathët njëri pas tjetrit, edhe studenti i “Muzgut..” të Kadaresë përshkon katet e godinës së konviktit.
Një tjetër element po implicit, me të cilin përshfaqet huazimi i motivit të skëterrës prej “Ferrit” të Dantes në roman, është edhe kaosi e zhurma që vikat brenda godinës së konviktit. Pasazhi në tekst mund të përcaktohet më së miri si një element i pastër intertekstual, në formën e aludimit, huazuar prej Ferrit: “ …të shkombëtarizuarit ishin përzierë tani me njëri-tjetrin, duke folur të gjithë gjuhët e tyre të zhdukura, ose që po jepnin shpirt. Të shfytyruar nga pija, të djersitur, të llangosur […] të skuqur, ata flisnin me zë të çjerrë, […] i binin gjoksit, dënesnin. […] Ata vazhdonin të flisnin. Midis atij kaosi fjalësh të gjuhëve të vdekura ose të sëmura, pluskonin fjalë ose fraza rusisht.[6], shkruan Kadareja tek “Muzgu i Perëndive të stepës”, ndërkohë që në hyjre të Ferrit tek Dantja dëgjojmë po të njëjtën potere: ” Gjuhë t’ndryshme, t’folme-tmerr gjithkah gjëmonin/ fjalë dhimbjeje për hatá, britje nga mnija,/ vikatje e zane shue e shplakë ushtonin./ Përftohej një poterë, që kurrë qetnia…[7] “
E përveç përqasjes implicite, motivi i skëterrës vjen në vepër edhe përmes përqasjesh eksplicite. Ka një moment në roman, ku personazhi kryesor, pasi i pohon të dashurës se jeton në ferr, shkon bashkë me të në konvikt t’ia tregojë. Situata që konturon këtë pasazh të sjell ndërmend futjen e Dantes në Ferr shoqëruar prej Virgjilit. Studenti vihet në rolin e Virgjilit, e vajza në atë të Dantes. Ashtu si Virgjili i rrëfen Dantes rrathët mbushur me mëkatarë të ndryshëm, edhe ai i rrëfen vajzës katet e godinës-ferr. “Që pas thurimës së hekurt, brenda së cilës lëvizte kthina e ashensorit, dukeshin vetëtimthi, pamje të prera, numra dyersh, fytyra ose shpina njerëzish. Unë u përpoqa t’i shpjegoja diçka për ndërtesën dhe banorët e saj. Kati i parë: këtu ishin vendosur studentët e viteve të ulëta, ata që kishin më pak mëkate letrare. Kati i dytë: kritikët letrarë, dramaturgët, puthadorësa, lajkatarët, sllavofilët. Rrethi i katërt: gratë, liberalët, të zhgëngjyerit nga socializmi. Rrethi i pestë: shpifësit, denonciatorët. Rrethi i gjashtë: të shkombëtarizuarit, ata që kishin braktisur gjuhët e tyre dhe shkruanin rusisht.[8], shkruan Kadareja tek “Muzgu…”. Por pavarësisht se atmosfera ku shtjellohen ngjarjet mbart më tepër elementet të brendshme të Ferrit, arkitektura e godinës së konviktit përngjason më tepër me atë të Purgatorit. Ashtu si dhe Purgatori që ka shtatë rrathë, edhe kjo godinë ka gjithësej shtatë kate, e po ashtu si Purgatori edhe ajo ndodhet mbi tokë….
Vijon…
- Pjesë shkëputur prej “Intertekstualiteti në veprën e Kadaresë, punim SPU (2008)
[1] Ismail Kadare, Ftesë në Studio, vepër e cituar, fq. 143-144.
[2] Ismail Kadare, Muzgu i perëndive të stepës, roman, vepër e cituar, fq. 16.
[3] Ismail Kadare, Muzgu i perëndive të stepës, roman, vepër e cituar, fq. 55-57.
[4] Ismail Kadare, Muzgu i perëndive të stepës, roman, vepër e cituar, fq. 55.
[5] Dante Aligeri, Ferri (Komedia Hyjnore), Shtëpia Botuese “Argeta-LMG”, Tiranë, 2006, fq. 46 (sapo hyn në Limb).
[6] Ismail Kadare, Muzgu i perëndive të stepës, roman, vepër e cituar, fq. 116.
[7] Dante Aligeri, Ferri, vepër e cituar, kënga II, fq. 36.
[8] Ismail Kadare Muzgu i perëndive të stepës, vepër e cituar, 105.