Dhuna nënkupton veprime, apo qëndrime keqtrajtuese fizike, emocionale, psikologjike dhe seksuale, të kryer në drejtim të një individi, apo grupi, për shkak të mosmarrëveshjeve të krijuara midis palëve, që lidhen me interesa, nevoja, apo qëllime të ndryshme.
Format e shprehjes së dhunës janë të ndryshme. Po veçojmë vetëm dy prej tyre: dhunën fizike dhe psikologjike.
Ndërsa dhuna fizike shprehet nëpërmjet abuzimit fizik trupor, dhuna psikologjike shprehet nëpërmjet përçmimit, nënvleftësimit, shpërfilljes, anashkalimit, veçimit, injorimit, talljes, vendosjes së epiteteve, deri tek kërcënimi verbal. Efekti negativ i dhunës, qoftë fizike, apo psikologjike është afatgjatë dhe le pasoja të pariparueshme në zhvillimin normal të nxënësve.
Dhuna ndaj fëmijëve shfaqet në ambjente të ndryshme, si në familje, në vendet e argëtimit, në rrugë, në shkollë në vendet publike, në terrenet sportive, në kinema, teatër dhe së fundi edhe në telefonin celular apo në internet.
Por, vendi ku shfaqet dhuna ndaj nxënësit dhe ku trupa pedagogjike ka rolin dhe përgjegjësinë kryesore është SHKOLLA.
Në shkollë shfaqen dy lloj mosmarrëveshjesh, që mund të gjenerojnë në dhunë:
a-Mosmarrëveshjet mësues-nxënës.
b-Mosmarrëveshjet nxënës-nxënës
Sot po fokusohemi tek mosmarrëveshjet mësues-nxënës, të cilat lindin për shkaqe të
natyrave të ndryshme, por duke i njohur duhet të përpiqemi t’i shmangim.
Më poshtë po rendisim disa nga këto shkaqe që çojnë në mosmarrëveshjet mësues – nxënës:
- Mësuesi i ndërhyn nxënësit kur ai përgjigjet, e qorton për përgjigjen e pasaktë dhe në ndonjë rast e fyen.
- Mësuesi e vlerëson nxënësin me notë të mirë/shumë të mirë/negative vetëm me një pyetje.
- Mësuesi nuk motivon vlerësimin dhe nuk e bind nxënësin për notën.
- Mësuesi u vë notë negative nxënësve pse ju tregojnë shokëve gjatë testit me shkrim, ose pse hapin librin gjatë përgjigjeve nga banka.
- Mësuesi e vlerëson nxënësin pa ia treguar, duke e
befasuar dhe irrituar kur ai merr vesh notat për të cilat nuk ka dijeni. - Mësuesi e vlerëson nxënësin në bazë të opinionit, që ka për të duke injoruar çdo përparim të mundshëm, që ai mund të ketë bërë.
- Mësuesi prezantohet jo human gjatë vlerësimit të nxënësve, nuk merr parasysh anën emocionale të vlerësimit, duke bërë që nxënësit të përjetojnë një lloj dëshpërimi dhe humbje të besimit tek vetvetja.
- Mësuesi përdor notën si një formë presioni ndaj nxënësit për të “vendosur” autoritetin e tij të padiskutueshëm tek ta.
- Mësuesi kontrollon në mësim orë për orë të ashtuquajturit “nxënës problematikë”, duke bërë, që këto të fundit të acarojnë veprimet apo qëndrimet e tyre në mësim dhe jashtë tij. Etj.
Kusht kryesor për të minimizuar këto mosmarrëveshje është që ne si mësues të fitojmë respektin e nxënësve tanë. Disa nga rrugët për të fituar respektin e nxënësve janë:
1.Qëndrueshmëria.
Mësuesi ju bën të qartë nxënësve kërkesat e tij standarde me të cilat ata do të ballafaqohen, për përvetësimin e programit, për kryerjen e detyrave, për vlerësimet në teste, etj.
2.Drejtësia
Mësuesi duhet të jetë i ndershëm dhe i drejtë me të gjithë nxënësit. Ai duhet t’i trajtojë të gjithë nxënësit në mënyrë të barabartë, si për sa i përket arritjeve, ashtu edhe mosarritjeve të tyre.
3.Nxitja
Mësuesi duhet ta ndjejë detyrim moral dhe profesional të inkurajojë nxënësit e tij drejt sfidave pozitive, të cilat duhet të jenë pak përtej arritjeve të nxënësit, por jo aq sa të tejkalojë mundësitë e tij.
4.Ndihma
Mësuesi duhet të tregojë interes të veçantë, ngrohtësi dhe dashuri për arritjet e nxënësit, për paqartësitë e tij, si edhe për pyetjet e drejtuara në adresë të tij.
5.Gëzimi
Mësuesi duhet të shfaqet i besueshëm, kompetent dhe i gëzuar kur
nxënësi arrin të zgjidhë sfidat. Ai duhet t’i trajtojë problemet me humor të mirë, besim dhe siguri.