Zemra më thyhet për Pal Kolën, 60 vjeçarin me 5 lek në xhep, që priste të dilte në pension.
Ngushëllime familjes së Palit për njeriun e zemrës!
Më vjen keq për kolegët që punojnë tek Topi apo ata të vijës së parë, që do të ndihen të vendosur në shënjestër.
Sulmi ndaj Top-it ishte paralajmërim mafioz, jo sulm terrorist, pavarësisht pasigurisë që mbjell.
Ky dallim është i rëndësishëm, përtej deklaratave të zhargonit, sepse metodologjia përcakton rrugën që do të ndiqet për të shkuar te fajtorët e mandej, porositësit.
A është kjo për shkak të linjës editoriale apo për prishje pazaresh biznesi?
Mundemi vetëm të aludojmë në këtë pikë.
Për shembull, Topi ka refuzuar të njohë aferën e incineratorëve, por ka mbuluar rregullisht denoncimin e lidhjeve korruptive mes Ahmetaj e kokave të incineratorëve Zoto e Mërtiri.
Asgjë kundër nga ana ime,- përplasje të tilla prodhojnë padashje të mira publike, – thjesht më është dukur shumë paradoksale.
Por, përplasja për incineratorët shkon përtej këtyre emrave sepse Ahmetaj është hedhur në kampin Berisha-Meta në një pikë të paidentifikiuar në kohe dhe të tre tani janë në luftë me kampin Rama. Këtu futet edhe Topi.
A po e shfrytëzon dyshja Meta-Berisha këtë luftë për pazare personale?
Ku ishin këta kur afera u zbërthye nga Artan Rama në 2017?
Edhe këto pyetje janë pjesë e ekuacionit.
Është përplasje titanësh kjo dhe nëse dyshimet e mia qëndrojnë, sulmi shumë i guximshëm ndaj Top-it, e vërteton.
Por, Topi ka pasur edhe konflikte për pronësinë deri para 2 javësh, kur Gjykata vendosi në favor të pasardhësve të Dritan Hoxhës.
Para këtij vendimi, pala kundërshtare zbuloi se Hoxhat kishin firmosur një kontratë shitjeje të TV kundrejt një kompanie offshore. Dokumentet janë autentike, por transaksioni nuk është finalizuar.
Topin e ka akuzuar Kryeministri si gjobëvënës para pak muajsh dhe jemi dëshmimtar të ndryshimit drastik që pësoi linja editoriale e këtij televizioni. Pas muajsh sulmesh të përditëshme ndaj Ministrisë së Bujqësisë për dështimet e saj, prej pak javësh Topi publikon çdo ditë një histori suksesi të këtij institucioni. I rilidhën fijet.
Topi ka akuzuar veten si gjobëvënës vitin e shkuar, kur përzuri Endrit Habilajn nga Top Story.
Një tjetër media, CNA e Elvi Fundos ka akuzuar Habilajn si të paguar nga Zoto e Mërtiri dhe Topin të paguar me paratë e incineratorëve. Vetë Fundo duket se luan për skuadrën Ahmetaj.
Duhet saktësuar se vetë Topi e ka hequr kronikën në fjalë nga qarkullimi.
A ka ndonjë kryqëzim mes konflikteve të mësipërme?!
Nuk e di, por qartësisht, sado i vëmendshëm të jesh, ka plotë detaje në këtë mes që të shpëtojnë.
Në kushtet e mësipërme ama, më duket e pabesueshme që SPAK e sponsorat e tyre, Ambasada e SHBA-ve, të mos jenë në dijeni.
Fakti është që, kur përplaset titania, shtypet vegjëlia.
Lufta vazhdon…
PS: Mos ejani me komente mbi lirinë e mediave, ju lutem, se do hasni një cinizëm epik nga ana ime.
Mediave iu është mbyllur goja me para publike e leje ndërtimi këtu.
Gazetarët i rrezikojnë, jo aq pushteti, sa zullumet e pronarëve. Atyre ua qaj hallin.