Teksa niset në fakt për të bërë analizën nga pikëpamja arkitekturore të një prej kullave që do të jetë në sheshin Skëndërbej, të asaj me formën e fytyrës së këtij të fundit, kritiku britanik i arkitekturës Oliver Wainwright, ka ngritur ndërkaq edhe dias prej dyshimeve më të forta, mbi ndërtimet e pafundme në Tiranë, e sidomos mbi kullat që kanë mbirë përreth sheshit Skënderbej.
Në shkrimin e tij botuar në gazetën britanike “The Guardian”, teksa e cilëson në fakt kullën si fytyra e Skënderbeut, si një ndërtesë që i bën apel nacionalizmit në vend, Wainwright sjell për lexuesin edhe një sërë opinionesh mbi kompaninë arkitekturore që ka marrë përsipër ta ndërtojë atë, lidhjet e saj me Ramën dhe aludimin mbi përfshirjen në ndërtimin e tyre të mafies së ndërtimeve.
Për kompanin arkitekturore MVRDV, që ka marrë përsipër të ndërtojë kullën si koka e Skënderbeut, e po ashtu edhe atë ku spikat harta e Shqipërisë
Vizioni surreal, shkruan Wainwright në shkrimin e tij, është vepër e arkitektëve holandezë të MVRDV-së, që nuk janë të panjohur për ideimin e ndërtesëve me forma objektesh, – projekteve skulpturore, siç i quajnë ata. E tmerrshmja Marble Arch Mound në Londër krijuar prej tyre, që me gjasa i kushtoi drejtimin e zonës këshillit konservator, nuk është veçse e fundit e një serie krijimesh si filma multiplikativë, që duken sikur janë nxjerrë nga thellësia e ndonjë koshi plehërash, të ndonjë dyqani talljesh. Arkitektët kanë prokjetuar një muze në formën e flluskave të mëdha, një godinë arti në formën e një tasi sallate Ikea dhe një kompleks apartamentesh, ku fjala shtëpi gdhendet me vetë blloqet e tyre. Por me sa duket metaforat e tyre më banale i paskan ruajtur për Ballkanin, ndoshta me gjasa ngase mendojnë se klientët dhe kritikët nuk do venë t’i shohin ndonjëherë ndërtesat personalisht.
Por shumë banorë vendas nuk janë aq të sigurt për idenë e krijuar nga Maas (një prej partnerëve themeluesë të firmës holandeze MVRDV) për Shqipërinë, e po ashtu as për listën e arkitektëve të tjerë ndërkombëtarë, që kanë ardhur të riformatojnë qytetin, vijon kritiku britanik i arkitekturës Oliver Wainwright. Një grusht kullash po ngrihen rreth sheshit Skënderbej të Tiranës, katër tashmë të përfunduara dhe të paktën gjashtë të tjera në proces. Ka pasur protesta të zëshme kundër shkatërrimit të vilave të kohës otomane, për t’i hapur rrugë morisë së ndërtimeve të larta, me kritikët që ankohen për humbjen e trashëgimisë dhe rritjen e çmimeve të pronave, dhe akuzat se projektet po përdoren si skema të pastrimit të parave për krimi i organizuar. […]
Përgjatë një leksioni në vitin 2018, kur dy kullat ishin në ndërtim e sipër, Maas trajtoi simbolikën nacionaliste të projektimit, të një ndërtese në formën e hartës së vendit. “Kam diskutuar gjatë me disa politikanë evropianë për këtë,” tha ai. “A mund të bëhet kjo? A është nacionalizmi i mirë apo i keq? Por Shqipëria ka nevojë për të, për të treguar se është seksi dhe në fakt është shumë e lezetshme.” Teksa ecte para-mbrapa në podium, E, Maas e përshkroi Shqipërinë si “një vend pa lekë, ku pihet vetëm kafe dhe ku nuk ka asgjë për të bërë” – si fleta e përsosur bosh për idetë e tij të çuditshme, “si një mini-Kinë” me mundësi të bollshme për arkitektët. “Zhvilluesit po bëhen më të pasur,” u shpreh ai i emocionuar, pa përmendur se nga mund të vinin paratë për vizione të tilla marramendëse, duke pasur parasysh ekonominë e varfër të vendit.
Në shkrimin e tij, kritiku britanik i arkitekturës Oliver Wainwright, nuk ngurron të përmendë edhe përdorimin e sektorit të ndërtimit për pastrimin e parave, një argument ky i dëshmuar edhe prej Global Initiative Againist Transnational Organized Crime, por i papranuar prej zyrës së arkitektëve holandezë e përfaqësuesëve bashkiakë në Tiranë.
Një raport i vitit 2020 nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime, vazhdon Oliver Wainwright, vuri në dukje se industria shqiptare e ndërtimit, ishte kthyer në strehë për bandat kriminale ndërkombëtare që pastronin paratë, kryesisht nga trafiku i drogës. Ajo vlerësoi se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme në tre vitet e mëparshme, me 60% të financimit të projektit që vinte nga burime të paligjshme. Vetë Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri, deklaroi se kishte identifikuar “investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme, me burime fondesh të panjohura”, të cilat i klasifikoi si “të dyshimta”. Ndërkaq, vitin e kaluar, prokurorët antimafia në Itali, zbuluan se grupi kriminal Ndrangheta kishte përzgjedhur kullat e Tiranës, si një mundësi kryesore për pastrimin e parave të tyre. Në një përgjim, dy nga të arrestuarit u dëgjuan duke diskutuar për një ndërtues ndërtesash në Shqipëri, i cili kishte tre leje ndërtimi për ndërtesa me vlerë 180 milionë euro, por kishte vetëm 10 milionë euro në dorë. “Kullat e reja do të shiten për 3000-4000 euro për metër katror”, shprehet një nga të dyshuarit. “Dhe a e dini se sa kushton ndërtimi? 510 €.”
MVRDV thotë se, në përputhje me ligjin holandez, ajo kryen kontrolle të historikut të klientëve të saj, duke përdorur një kompani të palëve të treta që i skanojnë për aktivitete kriminale, ndër të tjera, dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim për fonde të paligjshme. […]
Riformësimi radikal i kryeqytetit shqiptar gjatë dy dekadave të fundit, mund t’i atribuohet kryesisht Edi Ramës, thotë kritiku britanik i arkitekturës Oliver Wainwright, i cili shërbeu si kryetar bashkie nga viti 2000-2011 dhe është kryeministër i vendit që nga viti 2013. Rama ishte një basketbollist profesionist dhe artist në vitet 1990 , dhe Maas në leksionin e tij tha se: “Edin e njoh nga Parisi, kur ishte piktor”. Rama u kthye në Shqipëri për t’u bërë ministër i Kulturës në vitin 1998 dhe kur u bë kryetar bashkie, ndërmori një operacion radikal të pastrimit të qytetit. Ai spikati me politikat e tij të lyerjes së ndërtesave gri sovjetike, me ngjyra të ndezura për të gjallëruar qytetin, me mbjelljen e pemëve, krijimin e korsive për biçikleta dhe mbajtjen e konkurseve ndërkombëtare arkitekturore – reforma që i dhanë atij edhe çmimin World Mayor në 2004.
Një nga projektet e para që MVRDV mori nën qeverisjen e Ramës, ishte qendra tregtare Toptani në vitin 2005, e cila u konceptua si një masë e zbrazur, e pikseluar, e mbuluar me ekrane gjigante reklamash LCD. Pasi fitoi konkursin, Maas nuk kishte dëgjuar më asgjë derisa, vite më vonë, kishte kuptuar se ndërtesa në fakt ishte ndërtuar nga arkitektë të tjerë, dhe gjatë procesit kishte ndryshuar në mënyrë drastike. Fasada dixhitale ishte këmbyer me panele standarde gri, ndërsa vizioni i tij për një harkatë të hapur, ishte shndërruar si ajo e një qendreje të zakonshme të mbyllur. “Projektet këtu shpesh realizohen në mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo që synojnë arkitektët fillimisht,” thotë Van Gerven Oei. “Fillimisht është realiteti i pamjeve dixhitale, gjithmonë i bukur, brilant dhe novator, dhe më pas vjen realiteti i kompanive shqiptare të ndërtimit, që duan të bëjnë gjënë më të lehtë, më të shpejtë, e me çmimin më të ulët të mundshëm.”
Duke mos u dekurajuar nga qendra tregtare Frankenshtajn, MVRDV vazhdoi të kërkonte punë në Shqipëri. Pasuan disa projekte të parealizuara, që nga një grumbull kolosal blloqesh apartamentesh, të planifikuara për një zonë buzë liqenit në vitin 2008 quajtur Tirana Rocks, tek një vendpushim bregdetar për një klient rus, i projektuar si një kodër artificiale që do të shkëlqente në mënyrë të frikshme gjatë natës – “më mirë se çdo film i James Bond”, premtoi asokohe Maas. […]
Një komision i mëtejshëm erdhi në vitin 2018 për të transformuar Piramidën mbresëlënëse të Tiranës veshur me mermer – ndërtuar në vitet 1980 si një muze në nderim të ish-diktatorit komunist të vendit – e cila ishte kthyer në një vend ku të rinjtë e qytetit ngjiteshin e rrëshkisnin. MVRDV u caktua, pa konkurs publik, për ta transformuar atë në një qendër teknologjike.
Dhe në fund, kur bëhet fjalë për kullën e Skënderbeut, origjina e saj është aq e habitshme, sa nuk ju shkon mendja. Maas kujton: “Atëherë Edi tha: “Dua të bëj diçka me historinë. Dhe kështu lindi koka gjigande’.
Banorët vendas thonë me shaka se ndërsa Rama po merr pamjen e një shtetari të moshuar – me fytyrën 6 me 6 inç dhe mjekrën e rritur, e cila sa vjen e i jep gjithnjë e më tepër hije si të Skënderbeut – ndërtesa në formë koke mund të përfundojë me gjasa si një monument i këtij artisti-politikan që riformatoi kryeqytetin, që vështron përjetësisht vizionin e tij të kullave boshe.