E enjte, 5 Nëntor, 2026
Debati

“PROJEKTI” – Nga Auron Tare

· 8 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

“Është shumë mirë që ka francezë me origjinë aziatike, francezë me ngjyrë të zezë dhe francezë me ngjyrë kafe. Ata tregojnë se Franca është e hapur ndaj të gjitha racave dhe se ka një mision universal. Por kjo, me kusht që ata të mbeten një pakicë e vogël. Përndryshe, Franca nuk do të ishte më Francë.”

Charles de Gaulle, sipas kujtimeve të Alain Peyrefitte, 1959.

Mobileri

Dy vjet më parë shkrova disa radhë për Roin, bariun nga India, që kulloste bagëtitë në malet e Kolonjës. Shënimi nuk ishte as një studimi sociologjik dhe as një zbulimi shkencor por u kthye papritur në lajm. Disa media, me habi dhe mosbesim, u nisën drejt Kolonjës për të parë me sytë e tyre atë që dukej e pabesueshme, një bari indian në malet shqiptare.

Çudia ishte e kuptueshme. Në ato male, deri dje, barinjtë kishin qënë shqiptarë.

Por Roi nuk është më vetëm. Punëtorët e huaj janë bërë tashmë një pamje e zakonshme në Shqipëri. Konviktet e studentëve në Tiranë, të mbushura me emigrantë të huaj që kanë ardhur nga vende të largëta për të kryer punët që shqiptarët e larguar kanë lënë pas, tregojnë qartë se çfarë po ndodh.

Indianë, bangladeshas apo të tjerë i gjen në pikat e karburantit, ku të mbushin makinën me naftë dhe të përshëndesin shqip, që nga Qafa e Gjashtës në Sarandë, në lokalet e bulevardit të Vlorës, në lavanderitë e hoteleve të bregdetit, në kuzhinat e zengjinëve të rinj, në hotele dhe në shërbimet e një Shqipërie që, sipas reklamave zyrtare, po lulëzon nga dita në ditë.

Është një pamje që meriton vërtet vëmendje. Jo për shkak të atyre që kanë ardhur, por për shkak të atyre që kanë ikur.

Punëtori indian nuk e ka fajin që shqiptari është nisur drejt Gjermanisë. As punëtori nga Bangladeshi nuk mban përgjegjësi për faktin se një i ri shqiptar, pasi ka bërë llogaritë e jetës, ka vendosur se më mirë të punojë në një restorant të Londrës sesa në një hotel të Sarandës.

Njeriu shkon atje ku shpreson të jetojë më mirë. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohosh askujt. As shqiptarit, as indianit, as bangladeshasit.

Por çështja është përse Shqipëria po humbet njerëzit e saj me një shpejtësi të tillë, ndërsa përpiqet të gjejë të tjerë për t’i zëvendësuar?

Mjafton të udhëtosh nëpër fshatrat e jugut gjatë dimrit. Shtëpi të mbyllura, oborre të braktisura, ara që nuk punohen, rrugë ku nuk dëgjohet më zëri i fëmijëve. Fshatra që dikur kishin shkollë, dyqan, kishë a xhami të mbushur me njerëz, sot kanë mbetur me disa të moshuar që presin fundin e ditës dhe, bashkë me të, fundin e një bote.

Kolonja, ku bariu Roi kullot lopët, nuk është e vetme. Shqipëria rurale po braktiset masivisht. Leskoviku nuk ka më lindje në spitalin e vet. Përmetit iu mbyll edhe spitali. Këlcyra ka mbetur me vetëm dy klasa në shkollë, Zagoria eshte e shkrete pa folur për fshatrat e shumtë të kësaj ane, nga të cilët banorët janë larguar.

Dhe kur njeriu largohet nga toka e vet, nuk mjafton të sjellësh një punëtor të huaj për të mbushur vendin e tij. Një fshat është kujtesë, gjuhë, zakone, varre të të parëve, histori familjesh dhe një mënyrë jetese e formuar përgjatë shekujsh.

Në Evropë, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore janë probleme të njohura. Disa prej këtyre vendeve ish koloniale po mbartin edhe pasojat e historisë së tyre.

Por Shqipëria, që e ka njohur emigrimin prej kohësh, po përballet ndërkaq me një paradoks që duhet të na shqetësojë më shumë se çdo statistikë turistike, ikjen e të rinjve.

Ndërkohë, po shohim ministra që udhëtojnë herë në Bangladesh, herë në vende të tjera, për të gjetur punëtorë. Kthehen me premtime, marrëveshje dhe shpresa se dikush do të vijë për të mbushur vendet e punës që kanë mbetur bosh.

Por të njëjtët ministra nuk i kemi parë me të njëjtin zell të kërkojnë arsyet përse shqiptarët largohen. Nuk i kemi parë të udhëtojnë nëpër fshatra për të pyetur pse toka mbetet djerrë, pse një zanatçi nuk gjen dot një pagë me të cilën të mbajë familjen, pse një i ri nuk sheh të ardhme në vendin ku ka lindur.

Është, me sa duket, më e lehtë të gjesh një punëtor në Bangladesh sesa të krijosh kushtet që një shqiptar të mos marrë rrugën e mërgimit.

Prandaj, prej kohësh ka lindur një dyshim i arsyeshëm, a është ky fenomen thjesht pasojë e politikave të gabuara, e një ekonomie që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët e saj, apo, larg qoftë, pjesë e një projekti?

Nuk kam prova për të thënë se ekziston një projekt i organizuar për shpopullimin e Shqipërisë. Por nuk është e nevojshme të shpikësh një projekt të fshehtë për të vënë re pasojat e një politike të tillë. Nganjëherë, ajo që nuk është shkruar në asnjë dokument mund të lexohet fare mirë në rezultatet e saj.

Një vend mund të zbrazet edhe pa urdhër. Mjafton që njerëzit të mos kenë arsye të qëndrojnë.

Mjafton që pagat të mos përballojnë jetesën, që prona të mos prodhojë të ardhura, që drejtësia të mos japë siguri dhe që e ardhmja të duket më e besueshme përtej kufirit. Pastaj largimi bëhet zakon, zakoni bëhet kulturë dhe, një ditë, boshllëku që ka lënë pas shndërrohet në një problem që nuk zgjidhet më.

Ndërkohë që kjo zbrazje vazhdon, Kryeministri ynë na kujton herë pas here se shtëpia e shqiptarit është «vetëm e Zotit dhe e mikut».

Është një shprehje e bukur. Madje aq e bukur, sa mund të përdoret për të fshehur shumë gjëra.

Dhe pikërisht këtu më vjen ndër mend paralajmërimi që i atribuohet De Gaulle-it në kujtimet e Peyrefitte-it, ku një vend mund të jetë i hapur ndaj të tjerëve, por duhet të mendojë edhe për vazhdimësinë e vet.

A ka një projekt për shpopullimin e shqiptarëve?

Shpresoj jo. Ndoshta kemi vetëm një varg vendimesh të gabuara, një ekonomi që nuk u jep njerëzve mundësi të barabarta dhe një klasë politike që mat suksesin me ndërtime, hotele e shifra, por harron të numërojë ata që nuk janë më këtu.

Por, nëse pasojat janë të njëjta, pyetja mbetet po aq e rëndësishme.

Kush po fiton nga një Shqipëri që zbrazet? Kush përfiton nga toka e papunuar, nga fshatrat pa banorë, nga të rinjtë që ndërtojnë jetën diku tjetër? Dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi për një vend që po mësohet të jetojë pa njerëzit e vet?

Nuk është racizëm të kërkosh përgjigje për këto pyetje. Është përgjegjësi qytetare. Shqiptarët që largohen meritojnë të dinë pse vendi i tyre nuk u ofron një të ardhme. Dhe ata që qeverisin duhet të përgjigjen për politikat që i kanë çuar gjërat deri këtu.

Sepse një vend nuk humbet vetëm kur i ndryshojnë kufijtë. Mund të humbasë edhe kur kufijtë mbeten të paprekur, por njerëzit janë larguar.

Prandaj malet tona po mbeten pa barinjtë, arat pa bujqit, shtëpive po u bien çatitë.

Dhe një ditë, kur të kthehemi për të kërkuar Shqipërinë që lamë pas, mund të zbulojmë se ajo është ende aty, në hartë, në fotografi e në fjalimet e politikanëve.

Vetëm se nuk do të ketë më shqiptarë të mjaftueshëm për ta mbajtur gjallë.

A është ky projekti?

Ndoshta jo. Por, teksa kërkojmë njerëz për të mbushur hallet tona, nuk duhet të harrojmë fjalët që i atribuohen Charles de Gaulle-it,

«Me kusht që ata të mbeten një pakicë e vogël. Përndryshe, Franca nuk do të ishte më Francë».

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top