E dielë, 25 Tetor, 2026
Uncategorized

Kujdesi psikologjik nuk mund të bëhet pjesë e kërcënimit policor/ Nga Neli Demi, psikoterapist-psikiatër

· 2 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

E dëgjova deklaratën e sotme të kryeministrit. Përtej masave të shpallura, toni ishte kërcënues dhe ndëshkues. Një qytetar që po mendon të protestojë mund ta dëgjojë atë si paralajmërim se kundërshtimi do t’i kushtojë.

Dhuna kërkon përgjegjësi individuale, prova dhe proces të rregullt ligjor. Ajo nuk mund të shërbejë si justifikim për ta vendosur çdo protestues nën dyshim dhe për ta mbajtur çdo qytetar që shprehet publikisht në pasiguri për pasojat.

Mobileri

Si psikiatër dhe psikoterapist, e konsideroj veçanërisht të papranueshme përfshirjen e “mbështetjes psikologjike” në të njëjtën procedurë ku policia kërkon fshirjen e një postimi dhe paralajmëron ndjekje penale.

Çfarë roli i caktohet këtu psikologut? Kush e përcakton nevojën për ndihmë? Si garantohet pëlqimi i lirë kur oferta vjen nga institucioni që njëkohësisht të paralajmëron për ndëshkim?

Zemërimi politik nuk është diagnozë. Pjesëmarrja në protestë nuk është tregues çrregullimi. Edhe një shkelje e mundshme ligjore nuk përbën, në vetvete, indikacion për ndërhyrje psikologjike.

Profesioni ynë nuk mund të përdoret për t’i dhënë një pamje përkujdesjeje presionit policor. Një ndërthurje e tillë cenon dinjitetin e qytetarit, stigmatizon nevojën për ndihmë dhe dëmton besimin te profesionistët e shëndetit mendor.

Pasoja e një komunikimi të tillë shkon përtej atyre që mund të ndëshkohen. Ai prek edhe qytetarin që nesër heq dorë nga protesta, fshin një mendim apo zgjedh heshtjen, sepse nuk e di si do t’ia interpretojë pushteti fjalën.

Qeveria ka detyrimin të mbrojë edhe lirinë e atyre që kërkojnë largimin e saj. Kur i frikëson për ta ushtruar këtë liri, po abuzon me pushtetin që i është besuar.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top