
Kryenegociatori iranian Ghalibaf deklaroi: “Ne nuk jemi as entuziastë dhe as të frikësuar nga veprimet e SHBA-së; synojmë si të luftojmë, ashtu edhe të negociojmë.”
Duke folur në emër të Iranit, kryenegociatori dhe Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, konfirmoi se Uashingtoni kishte paraqitur “propozime të caktuara përmes një ndërmjetësi”, pasi Teherani kishte propozuar një udhërrëfyes shtatëditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, theksoi ai, SHBA duhet ta kuptojë se “ka përfunduar epoka e humbjes së kohës dhe e imponimit të kërkesave të njëanshme”, se qëndrimi i Iranit mbetet “i qartë dhe i përcaktuar” dhe se “Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa të plotësohen shtatë kushtet tona, të bazuara në Memorandumin e Islamabadit”.

“Irani nuk është një vend që e formëson strategjinë e tij madhore dhe sigurinë kombëtare bazuar tek cicërimat apo intervistat e përditshme të zyrtarëve amerikanë. Ne i bazojmë veprimet tona te sjellja reale e armikut, jo te retorika mediatike apo dikotomitë e rreme,” shtoi ai, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.
Ministri i Jashtëm Araghchi: “Nëse SHBA-ja e pranon planin 7-ditor, Hormuzi do të hapet. Ashtu siç e marrim seriozisht vetëmbrojtjen, ne jemi po aq të vendosur dhe të palëkundur si në mbrojtjen e vetvetes, ashtu edhe në ndjekjen e rrugës diplomatike” – deklaroi ndërkaq Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, sipas agjencisë IRNA. “Nëse kundërshtarët tanë do të zgjidhnin sërish rrugën e konfrontimit ushtarak,” vazhdoi ai, “do të përballeshin me një përgjigje shumë më të ashpër se ato të mëparshmet. Megjithatë, nëse synojnë të ndjekin rrugën diplomatike, ne jemi të gatshëm të arrijmë një zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze përmes diplomacisë për t’i dhënë fund këtij konflikti.” Lidhur me planin e ri të Iranit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve aktuale me Shtetet e Bashkuara, Araghchi theksoi se, nëse SHBA-ja e pranon planin iranian shtatë-ditor, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet brenda atyre shtatë ditëve.

