E shtunë, 26 Shtator, 2026
Hetimi

Mashtrimi ndaj Fideuram: nën hetim një shtetas izraelit 48-vjeçar/ Fondet u transferuan përmes llogarive në Maltë, Luksemburg dhe Holandë…

· 3 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit


Ekziston një i dyshuar – ndonëse mbetet e paqartë nëse personi ka vërtet atë identitet – i lidhur me goditjen e rëndë prej 36 milionë eurosh, që pësoi Fideuram në muajin shkurt. Kjo shumë ishte pjesë e një shume fillestare prej 95 milionë eurosh përvetësuar nga mashtruesit, që e bënë kryetarin e atëhershëm të bordit, Paolo Molesini, të besonte se po ndiqte udhëzimet e dërguara përmes WhatsApp-it nga CEO i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina.

Hetuesit, të cilët kishin bashkëpunuar tashmë me bankën për të rikuperuar dy këste të mëdha prej 40 milionë dhe 13 milionë eurosh, kanë gjurmuar rrjedhën e parave deri tek një shtetas izraelit 48 vjeçar. Ai lidhet me një nga llogaritë e huaja që mori 4 milionë euro – fonde që kishin kaluar më parë nëpër llogari në Maltë, Luksemburg dhe Holandë, mandej përmes një “platforme kanadeze për transferimin e parave”, dhe në fund “dy portofola Bitcoin” që i atribuohen të dyshuarit.

Praktikisht, do të nevojiten kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare, për të verifikuar nëse dokumentet e tij korrespondojnë me një person real apo nëse ky është thjesht një hap tjetër i ndërmjetëm në përpjekjen për të identifikuar mashtruesit e vërtetë.

Mobileri


Zëvendësprokurori i Milanos, Eugenio Fusco, u bën thirrje kompanive dhe drejtuesve që t’i rezistojnë tundimit për të menduar se “kjo nuk mund të na ndodhë kurrë”. Në fakt, në Milano, rastet po pasojnë njëri-tjetrin me shpejtësi: rasti i fundit që ka dalë në dritë, është një mashtrim ndaj Banca Ifis, një institucion i specializuar në menaxhimin e kredive me probleme (të pashlyera), kontrolluar nga familja Fürstenberg përmes La Scogliera Holding S.A. Në këtë rast, në muajin maj, një drejtuese e sektorit tatimor u nxit të besonte – përmes një sërë emailesh hartuar me mjeshtëri – se po komunikonte me një drejtues tjetër brenda grupit lidhur me alokimin e 24 milionë eurove; megjithatë, pasi fondet ishin transferuar, ajo kuptoi se ato ishin përvetësuar në fakt nga mashtrues shumë dinakë.

Një ngushëllim i pjesshëm, është fakti se edhe këtu – ashtu siç ndodhi pjesërisht me Fideuramin – orët e para të reagimit rezultuan vendimtare për rikuperimin e një shume totale prej rreth 20 milionë eurosh, nga 24 milionë eurot e përfshira. Për shembull, 3 milionë euro u sekuestruan në Spanjë, ndërsa 3 milionë euro të tjera u bllokuan në Portugali dhe Singapor.
Banca Ifis po kalon aktualisht një fazë riorganizimi të brendshëm dhe një tërheqje graduale nga aktiviteti i kredive me probleme (NPL), krahas një procesi të gjerë pastrimi të bilancit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top