E mërkurë, 23 Shtator, 2026
Politikë

Nga 64 në 46 bashki, Alizoti: “Ky është ligj i miratuar me forcë, jo me arsye”

· 3 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin për hartën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Gjatë diskutimit, Alizoti kritikoi mënyrën se si po ndërtohet reforma territoriale. “Do flas pak sepse ju do ta miratoni këtë ligj, nuk do të shkoni nga arsyeja, ju do shkoni te forca”, u shpreh Alizoti, duke argumentuar se ligji në Shqipëri është përdorur historikisht si “instrument represiv” dhe jo si instrument i lirisë dhe arsyes.

Sipas tij, një reformë që ndryshon organizimin territorial “mbi njerëzit, për njerëzit, pa pyetur njerëzit” përbën një dëm të madh.

Alizoti e cilësoi projektin si “një hartë elektorale” dhe kërkoi që banorët e zonave që preken nga bashkimi i njësive vendore të pyeten përmes referendumit.

“Duheshin pyetur. Të pyeteshin banorët e këtyre zonave, ishin dakord që të bashkoheshin, me anë të një referendumi”, tha ai.

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu mënyrën e vendimmarrjes politike, duke deklaruar se në Shqipëri “epshi i liderit është vetë ligji”.

Në fund të fjalës së tij, Alizoti e lidhi debatin për shtetin ligjor me zhvillimet e fundit rreth Shërbimit Informativ të Shtetit, duke iu referuar hetimeve të SPAK ndaj drejtueses së SHISH-it.

Deklarata e plotë:

Mendoj që Komisioni i Ligjeve, pa prekur komisionet e tjera, është komisioni më i rëndësishëm, se ndërton instrumente, raporte ndërmjet marrëdhënieve shoqërore dhe është komisioni më i rëndësishëm. Në traditën e vendit tonë, ligji është një instrument represiv. Ligji ka qenë gjithmonë në dorë të të fortit. Ligji nuk ka qenë asnjëherë realizimi i lirisë dhe i arsyes në këtë vend. Por ka qenë i të fortëve, në këtë rast i shumicës.

Do flas pak sepse ju do ta miratoni këtë ligj, nuk do të shkoni nga arsyeja, ju do shkoni te forca. Dhe ligji në këtë rast, që do të marrë një reformë mbi njerëzit, për njerëzit, pa pyetur njerëzit, është një dëm i madh dhe padrejtësitë më të mëdha në këtë vend janë bërë në emër të ligjit.

Kam përshtypjen se një pjesë e madhe këtu nuk e di konceptin filozofik të ligjit, se çfarë është ligji. Thjesht e do kryetari dhe turren të gjithë pas kryetarit. Dhe në Shqipëri epshi i liderit është vetë ligji.

Më vjen keq për zonat që preken në qarkun tim. Kjo është një hartë elektorale, por të paktën, kur jemi një vend që pretendon të jetë pjesë e një bashkësie ku individi gëzon të drejtat më të mëdha, siç është Bashkimi Europian, duheshin pyetur. Të pyeteshin banorët e këtyre zonave, ishin dakord që të bashkoheshin, me anë të një referendumi. Dhe jam i bindur se dhe ju, në subkoshiencën tuaj, e kuptoni që këto që them janë të logjikshme.

Pastaj të flasim për shtet ligjor në një vend ku dhe drejtori i Shërbimit Informativ është i lidhur me këta, mos ëndërroni më që ka shtet e komision.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top