
Historia e Teresios Bundit dhe biznesit të tij të shkrimit të punimeve akademike për llogari të të tjerëve, ilustron se si tregu i punës po ndryshon tashmë.
Ata që argumentojnë se inteligjenca artificiale herët a vonë do të zëvendësojë njerëzit dhe do ta transformojë përgjithmonë peizazhin profesional, kanë të drejtë. Dhe kjo ka ndodhur tashmë. Rasti i Teresios Bundi e dëshmon më së miri.
Për dymbëdhjetë vitet e fundit, Teresios siguronte jetesën duke shkruar rreth 2,500 ese për studentë universitarë që hasnin vështirësi.
Sipas një raportimi të New York Times, ai të fitonte para me këtë mënyrë qysh në fillim të të njëzetave, ndërsa përpiqej të paguante shkollimin universitar, duke u bërë i pari anëtar i familjes që ndiqte universitetin.
Fillimisht, punimet që ai shiste në internet, kushtonin 7 euro secila. Por lajmi u përhap me shpejtësi në internet dhe, shumë shpejt, ajo punë e thjeshtë dytësore u shndërrua në një punë me kohë të plotë, aq sa Teresios e la universitetin, pjesërisht sepse ngarkesa e punës dhe kërkesa për shërbimet e tij u bënë të papërballueshme, por edhe sepse fitimet ishin marramendëse, gati pesëfishi i asaj që do të kishte fituar po të ndiqte një karrierë në shëndetësinë publike, që ishte qëllimi i tij fillestar.
Ndërkaq biznesi i të riut u zgjerua dhe u strukturua si një rrjet bashkëpunëtorësh dhe kolegësh, të gjithë të përkushtuar për të shkruar punime në anglisht për studentë nga çdo cep i botës. Me pak fjalë, ishte një biznes i mirëfilltë, që dukej imun ndaj krizave. Por, ja ku ia beh inteligjenca artificiale, që prish punë. E qasshme dhe mbi të gjitha, falas. Kështu perandoria e vogël, por domethënëse e Teresios, filloi të lëkundej. Brenda një kohe shumë të shkurtër, inteligjenca artificiale solli uljen në mënyrë drastike të kërkesës për shërbimet që ofronte biznesi i tij – një sipërmarrje që, gjatë dymbëdhjetë viteve të veprimtarisë, kishte prodhuar rreth 2.500 punime studentore, ndonjëherë me një ritëm prej tre punimesh në ditë. Megjithatë, puna filloi të pakësohej dhe të ardhurat ranë në mënyrë drastike.
Duke qenë se çmimi për çdo detyrë ishte rritur me kalimin e kohës nga 7 në 70 dollarë, ndikimi financiar ishte i rëndë. Për më tepër, pasojat nuk i ndjeu vetëm Teresios dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe familjet e tyre, sepse fitimet u dërgoheshin prindërve – shumica e të cilëve jetonin në varfëri ekstreme në margjinat e shoqërisë, në periferitë e qyteteve të mëdha. Vlerësohet se, falë këtij sistemi të pagabueshëm riprodhimi, rreth 40.000 njerëz në mbarë vendin vareshin nga ky treg shumëmilionësh për të siguruar jetesën.
Pas kësaj situate specifike qëndron një paradoks i thellë e mizor gjeopolitik. Për vite me radhë, ekonomitë e mëdha perëndimore mbështetën globalizimin dixhital dhe outsourcing-un e punës, duke i paraqitur ato pothuajse si çelës për shpëtimin e Botës së Tretë. Por, siç i ndihmoi të rinjtë e botës së tretë të integroheshin në ekonominë globale përmes shërbimeve dixhitale, Perëndimi prezantoi ndërkohë një tjetër teknologji, që vjetëroi në të qindën e sekondës atë fuqi punëtore të vjetëruar. Puna nuk u zhvendos. Ajo u fshi në duke u përthithur nga serverat e vendosur në Shtetet e Bashkuara apo Evropë. Dhe është tejet ironike të mendosh, se shumë nga sistemet e inteligjencës artificiale që tani po zëvendësojnë redaktorët afrikanë, u “trajnuan” pikërisht nga këta të fundit, që paguheshin me shuma të vogëla, për të ndërtuar makinën që në fund do t’i linte ata të varfër.

