
Nga qelia e paraburgimit në Durrës, Erion Veliaj ka miratuar fonde shtesë për çerdhet, kopshtet dhe abonetë falas të pensionistëve. Ai ka pranuar dorëheqjet e Anuela Ristanit, Eldi Hoxhës dhe Blerina Beshkut, ndërsa ka rikthyer Alban Dokushin në detyrën e sekretarit të Përgjithshëm.
TIRANË– 48 orë pasi shkarkoi Anuela Ristanin nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka firmosur nga paraburgimi i Durrësit pagat për punonjësit e institucionit.
Në vijim të angazhimit për t’i ushtruar vetë kompetencat e kryetarit, nga qelia e paraburgimit të Durrësit, ku mbahet prej 19 muajsh, Veliaj ka miratuar këtë të martë edhe shtesë fondesh për çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, si dhe abonetë e transportit falas për pensionistët e Tiranës.
Bashkia e Tiranës njoftoi gjithashtu se Veliaj ka pranuar dorëheqjet edhe të nënkryetares së Bashkisë Anuela Ristani, sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha, dhe Shefes së Kabinetit Blerina Beshku. Në mënyrë që institucioni të jetë funksional, më herët u mësua se Veliaj ka rikomanduar në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Alban Dokushin.
Alban Dokushi ka qenë edhe më herët i komanduar si Sekretar i Përgjithshëm, teksa ishte edhe drejtor juridik. Ai u shkarkua nga Anuela Ristani një muaj pas arrestimit të Veliajt.
Dokushi e dërgoi çështjen në Gjykatë dhe më 3 qershor, Apeli vendosi kthimin e tij në detyrë. Moszbatimi i këtij vendimi ishte edhe një nga argumentet e Veliajt kur i tërhoqi Ristanit delegimin e kompetencave.
Pas largimit të Ristanit, Veliaj nuk ia ka deleguar asnjë prej nënkryetarëve kompetencat e drejtimit të bashkisë. Për këtë ndryshime në Bashkinë e Tiranës qeveria qendrore ka pasur vetëm një reagim, pas interesimit të Report Tv.
Kryeministria tha se gjithçka ishte një ushtrim i drejtë i mandatit të Veliajt, i njohur edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kryeministria tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lë asnjë hapësirë për interpretim: Veliaj është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Për Ramën kjo është çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, e drejta e të cilëve po cenohet me qëndrimin e Veliajt në burg.

