
UEFA po përgatit një kallëzim penal kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në gjykatat zvicerane, lidhur me keqmenaxhimin e mundshëm financiar, që lidhet me planin e tij të dështuar për t’u shitur investitorëve privatë fitimet e ardhshme të Kupës së Botës.
UEFA njoftoi sot se ka dorëzuar dokumente në gjykatën e Manhatanit, duke kërkuar provat përkatëse nga firma investuese “Thrive Capital Management”, me seli në Nju Jork.
Fondi, krijuar nga Joshua Kushner – dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump – qe planifikuar të ishte investitori kryesor, me synimin për t’i paguar FIFA-s 4,2 miliardë dollarë për një kuotë prej 20%, në një shoqëri të krijuar posaçërisht për të menaxhuar anë komerciale të eventeve të mëdha të futbollit, përfshirë edhe Kupën e Botës.
“UEFA dhe këshilltarët e saj ligjorë po shqyrtojnë mundësinë e nisjes së procedimeve penale në Zvicër kundër Infantinos e ndoshta edhe zyrtarëve të tjerë të FIFA-s për keqmenaxhim, sipas Nenit 158 të Kodit Penal Zviceran,” deklarojnë avokatët e UEFA-s, në një dokument prej 56 faqesh, të shqyrtuar nga agjencia “Associated Press”.
Dokumenti sugjeron se shifra prej 4,2 miliardë dollarësh përfaqësonte një “çmim mashtrues dhe jashtë tregut, promovuar nga Infantinoja për përfitimin e tij personal.”
Presidenti i FIFA-s hoqi dorë nga plani i shitjes më 1 gusht, pas kundërshtimeve të forta nga drejtuesit e futbollit botëror, përfshirë UEFA-n.
DOKUMENTI I FIFA-S: “KEQMENAXHIM KRIMINAL”
“Keqmenaxhim kriminal”: kështu e përshkruan UEFA sjelljen e Infantinos dhe —”ndoshta, të zyrtarëve dhe konsulentëve të tjerë të FIFA-s”— lidhur me projektin për privatizimin e të drejtave komerciale të Kupës së Botës. Në dokumentin e gjatë ligjor, përmes të cilit UEFA i kërkon një gjykate amerikane qasje në dokumentacionin e dy subjekteve të lidhura me FIFA-n në prag të një kallëzimi penal në Zvicër, UEFA thekson se projekti FFE “ishte në fakt një mjet që Infantino dhe rrethi i tij i ngushtë të siguronin një pjesëmarrje të përhershme dhe të përfitonin nga asetet më të vlefshme të FIFA-s, në dëm të vetë FIFA-s”.

