Teksa kreu i qeverisë Rama, është duke shpjeguar atë që ai e cilëson si “Paketa e rezistencës”, pra ndihmën që qeveria parashikon të japë për qytetarët, kreu i PD-së, Basha, e ka cilësuar këtë paketë dhe pikat e saj si një tallje me qytetarët.
Në statusin e tij të gjatë në FB, Basha thotë se kjo është e njëjta skemë që Rama përdori në kohën e pandemisë, e që i zhyti edhe më shqiptarët në mjerim, e po ashtu edhe që Rama, po parashikon ndërkohë të kthejë taksat për biznesin e vogël, e po ashtu edhe shumë taksa të tjera.
Statusi i plotë i Bashës:
Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.
Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka.
Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.
Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 %. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 %.
Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.