Kreu i qeverisë Rama i është kthyer edhe një herë skandalit të publikimit të pagave, por kësaj here për të paralajmëruar biznesin që t’i deklarojë saktë ato, në të kundërt do të ketë penalitete që do të shkojnë që nga gjoba, e deri tek hetimi për evazion fiskal. Gjatë bashkëbisedimit pyetje-përgjigje me publikun, Rama deklaroi se të gjitha bizneseve të dyshuara për mos deklarim të pagave u është nisur një letër nga Drejtoria e Tatimeve, ku u është kërkuar që t’i vetërregullojë ato deri më 20 janar.
I rikthehem për një moment historisë së daljes së të dhënave mbi pagat, tha Rama, duke qëndruar tek aspekti që ka të bëjë me çfarë që lidhet me administrimin e këtij sistemi, dhe nuk po flas për sistemin e të dhënave e të IT-së, pasi aty çështja është nën hetimin intensiv të Prokurorisë, por po flas për sistemin e pagave, ku në një farë mënyre, dalja e të dhënave na ka ndihmuar që të kemi një qartësi për një masë të madhe njerëzish, lidhur me çfarë ndodh, dhe pse disa masa që duam të marrim, shkojnë në drejtimin e duhur.
Së pari u është dërguar një letër nga Drejtoria e Tatimeve të gjitha atyre të cilët në deklarimin e pagave, rezultojnë të dyshuar për një pasaktësi, e cila fsheh evazion, dhe u është kërkuar që të ndërhyjnë për ta vetërregulluar deklarimin në 20 janar, kur deklarohen pagat e punonjesve. Ndërkohë u është bërë e qartë se letra do t’u shkojë edhe të gjithë punonjësve të kompanive ku tatimet kanë vendosur një fokus të veçantë, për shkak të mos përputhjeve në deklarim. Kini parasysh që deklarimi i pasaktë, është një shkelje administrative që dënohet me gjobë, por n]ë rast se do të hyjmë në hetim për evazion, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje penale, që dënohet me burg. Kështu që një apel për të gjithë ata që e kanë marrë apo do ta marrin në vijim këtë letër, është që të reflektojne seriozisht, pasi ne e duam patjetër një klimë sa më pozitive, sa më të favorshme për bizneset, por në asnjë mënyrë, një klimë ku në emër të binezeve e të favorshmërisë të biznesit, të goditen pagat e punonjësve e saktësisht pensionet e tyre, por edhe skema në tërësi e pensioneve në Shqipëri, tha mes të tjerave Rama, i cili theksoi po ashtu se një prej temave ku do të vendosej fokusi i këtij mandati do të ishte edhe tema e dhënies së pagave ashtu siç ato deklarohen, “pasi e dimë shumë mirë që ka raste abuzimi me pagën minimale, e edhe këtu do të bëjmë ndërhyrje të vazhdueshme, duke shkuar deri në sanksione të forta për abuzuesit me pagat”, përfundoi Rama.