Një ide që ka nisur së pari për të ricikluar flamujt nautikë të blerë për shkollën e Velës. Dhe, meqë kisha ekspozitën time, përse të mos kisha dhe një fustan të veçantë! Kështu shprehet Anna Nina, vajza detare që magjeps me fotot majë direkëve, e cila, së fundmi, pas eksperiencës në letërsinë për fëmijë, dhe disa ekspozitave me piktura me tematikë detin, vjen tashmë me një cikël fustanesh, që me sa duket, përmbledhin jo vetëm detin, por edhe pasionet e tjera të saj.
Flamurët nautikë janë edhe alfabet, dhe fustani ka gërmat që formojnë fjalën ‘love’. Bashkëpunimi vjen me Lira Zahirin, e cila është edhe kostumierja e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’. Meqë fustani i parë pati shumë sukses, bashkë me çantën, vazhduam të krijonim veshje dhe aksesorë të ndryshëm
Më pas vijnë ‘Nina Chakra Dress’, logo që e kam vizatuar në Indi, të cilën më pas e stampova në një copë dhe krijuam fustane, cantë e tshirt.
Për ekspozitën ‘Art në kafaz’, vij me një fustan të sajuar, sepse fustani që kisha blerë onlajn nuk vinte dot në kohë, dhe atëherë, me një palë rroba banjoje dhe një peshqir plazhi, u sajua fustani dhe një kafaz i vogël u bë si çantë, për të qenë në temë me ekspozitën, dhe një rreth me guaska.
Së fundmi, me pjesën e mbetur të flamujve nautikë, kemi realizuar një pardesy me rrip litari gërshetuar me perla.
Në prodhim kemi dhe fustane të tjera, por nuk kanë mbaruar dhe po i lë surprizë.
Ideja që mund të vishemi me kujtime dhe me materiale të ricikluara më pëlqen. Materiale që i ka çdokush në shtëpi, por që nuk i shikon me syrin për t’i veshur përditë në forma të ndryshme. Dhe kam dëshirë ta zgjeroj këtë ide.