Ditën e djeshme presidenti ukrainas Zelenski ka deklaruar anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Sa më poshtë, fjala e plotë e tij.
De facto aleatë. Sot, këtu në Kiev, në zemër të vendit tonë, po bëjmë një hap vendimtar për sigurinë e tërë komunitetit të kombeve të lira. E shohim kush na kërcënon. Kush është gati të vrasë e të na sakatojë. Që për të zgjeruar zonën e vet të kontrollit, nuk ndalet përpara asnjë egërsie. Më 24 shkurt, u krye sulmi i parë në Ukrainë. Rusia nuk do ishte ndalur në kufijtë tanë, po të mos e kishim ndalur ne. Shtetet e tjera do të ishin nën sulm, vendet baltike, Polonia, Moldavia dhe Gjeorgjia, Kazakistani… Rusia pretendonte të nënshtronte kombe të ndryshme të Evropës dhe Azisë. Kjo gjashtë muaj më parë. Tani kjo ambicie kriminale po rrënohet në Ukrainë. Ajo u shpërbë në periferi të Kievit dhe Chernihiv, në “Azovstal”, në rajonin e Sumyt dhe atë të Kharkivit, në ishullin Zmiinyi. Do rrënohet edhe në Donbas dhe në jug të Ukrainës kur t’i çlirojmë. Dhe përfundimisht, në Krime, në Krimenë e lirë të Ukrainës. I gjithë territori i vendit tonë do të çlirohet nga ky armik – armiku jo vetëm i Ukrainës, por edhe i vetë jetës, njerëzimit, ligjit dhe së vërtetës. Rusia tashmë e di këtë. Ajo ndjen fuqinë tonë.
Ajo sheh se këtu, në Ukrainë, ne dëshmojmë forcën e vlerave tona. Dhe ndaj ngutet. Organizon këtë farsë me tentativën e aneksimit. Përpiqet të vjedhë diçka që nuk i përket. Dëshiron të rishkruajë historinë dhe të ricaktojë kufijtë me vrasje, tortura, shantazhe dhe gënjeshtra. Por Ukraina nuk do ta lejojë këtë. Sot mbajta një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm Suprem. Sapo ka përfunduar edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes. Ne kemi një vendim. Së pari – është vetëm forcimi i Ukrainës dhe dëbimi i pushtuesve nga i tërë territori ynë që rivendos paqen. Ne do ta shpiem deri në fund këtë mision.
Së dyti – Ukraina ishte dhe mbetet lider në përpjekjet e negociatave. Ishte shteti ynë që i ofroi Rusisë arritjen e një marrëveshjeje për bashkëjetesë në kushte të barabarta, të ndershme dhe të drejta. Por u bë e qartë se kjo është e pamundur me këtë president rus. Ai nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe ndershmëria. Prandaj, ne jemi gati për një dialog me Rusinë, por tashmë me një president tjetër të Rusisë. Dhe së treti – na duhet të regjistrojmë de jure gjithçka që kemi arritur tashmë de facto. Në Ukrainë po vendoset fati i demokracisë në përballjen me tiraninë. Pikërisht këtu, me vendosmërinë e kufijve tanë shtetërorë, ne mund të sigurojmë qëndrueshmërinë e kufijve të të gjitha shteteve evropiane. Ne mund të garantojmë se askush tjetër nuk do të guxojë të rikthejë luftën në kontinentin tonë. Pikërisht këtu, në Ukrainë, vlerat e komunitetit tonë euroatlantik kanë marrë energji të vërtetë jetike. Forca e kombit që lufton për liri dhe forca e kombeve që ndihmojnë në këtë luftë. Ne jemi de facto aleatë. Kjo tashmë është arritur. De facto, ne tashmë kemi përfunduar rrugën tonë drejt NATO-s. De facto, ne kemi provuar tashmë ndërveprimin me standardet e Aleancës, ato janë reale për Ukrainën – reale në fushën e betejës dhe në të gjitha aspektet e ndërveprimit tonë. Ne i besojmë njëri-tjetrit, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e mbrojmë njëri-tjetrin. Ky është thelbi i Aleancës. De facto. Sot, Ukraina po aplikon për ta bërë atë de jure. Nën një procedurë në përputhje me mundin tonë për mbrojtjen e të gjithë komunitetit tonë. Nën një procedurë të përshpejtuar.
Ne e dimë se është e mundur. Ne kemi parë Finlandën dhe Suedinë të fillojnë anëtarësimin në Aleancë këtë vit pa një plan veprimi për anëtarësimin. Kjo është e drejtë. Kjo është gjithashtu e drejtë për Ukrainën. Ky është konsolidimi në nivelin e traktatit të asaj që tashmë është arritur realishte që janë janë vlerat tona. Ne e kuptojmë se kjo kërkon konsensusin e të gjithë anëtarëve të Aleancës. Ne e kuptojmë që është e nevojshme të arrihet një konsensus i tillë. Dhe për këtë arsye, ndërkohë që kjo po ndodh, ne ofrohemi të zbatojmë propozimet tona në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe të gjithë Evropën, në përputhje me Paktin e Sigurisë së Kievit, i cili u zhvillua dhe iu prezantua partnerëve tanë. Siguria nuk ka alternativa. Por duhet vendosmëri për ta garantuar atë. Ne po bëjmë hapin tonë vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”.