Irena Beqiraj, eksperte e Ekonomisë dhe një prej zërave më realë në opinionin publik, sugjeron një variant tejet interesant për të dalë nga qerthulli i së “keqes më të vogël”, me të cilën shqiptarëve u duhet të bëjnë hesapet, sa herë që ka zgjedhje parlamentare. Një kuti shtesë, një alternativë tjetër për t’u zgjedhur në fletën e votimit, do qe një prej gjërave që do na ofronte jo vetëm një pasqyre reale të mbështetjes politike që gëzojnë partitë e liderat e tyre në popull, por do nxiste edhe shumicën e njerëzve, atë që ndihet i papërfillshëm përballë mekanizmit gjigand të votimeve, të shkojë e të japë verdiktin e vet, sa i takon delegimit të pushtetit një force politike.
I nxitur prej një shkrimi në gazetën Si, MetropolPost i drejtoi disa pyetje zonjës Beqiraj, me shpresën se disa ide të mira mund të bëhen realitet, edhe në kontekstin shqiptar.
Në një shkrim për gazetën Si, ju thoni se ka ardhur koha që në fletën e votmit të shtohet edhe alternativa “asnjë nga partitë”. Çfarë do t’i sillte kjo realitetit politik shqiptar dhe si do të kontribuonte në përmirësimin e situatës politike “zgjedhim të keqen më të vogël”, që duket se na është kthyer në refren, sa herë na duhet të zgjedhim parlamentin e radhës.
Po ta shohim të paktën që nga 2001, pjesmarrja në zgjedhje ka rënë në mënyrë drastike, duke arritur pikën më të ulët të saj në vitin 2017, ku pjesmarrja në zgjedhje qe 46.8 %. Nëse do përpiqemi të analizojmë pse ka rënë besimi tek institucioni i zgjedhjeve, faktorët që mund të rreshtohen janë të ndryshëm. Një politikan sipërfaqësor, që s’është i rrallë tek ne, do t’ju thotë që ky është një fenomen që po ndodh në tërë botën; një analist i rreshtuar në ushtritë e komunikimit të partive, do thotë se në demokraci është e vështirë të detyrosh një votues të paraqitet në kutinë e votimit, nëse nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Të dyja këto qëndrojnë, por do të thoja vetëm me një këmbë.
Ekonomistët, sidomos ata të sjelljes, kanë studiuar sjelljen e votuesve në demokraci qysh më 1959-n, duke na ofruar koncepte për ta kuptuar sa më qartë realitetin shqiptar.
Në 53.2% e shqiptarëve që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 2017, ka pasur votues që kanë menduar se vota e tyre nuk do kishte asnjë efekt në rezultatin përfundimtar, duke u kthyer kështu, na thonë ekonomistët e sjelljes, në votues të painteresuar. Ndërkohë, informimi politik kërkon kohë, e cila për këdo nga ne ka një kosto të caktuar, ndaj shumë shqiptarë vendosin të jenë të painformuar politkisht. Këto dy grupe, të pa informuarit dhe të pa interesuarit, në gjuhën e ekonomisë së sjelljes quhen “të paditur racionalë”, por, në këndëvështrimin tim tek 53. 2% I shqiptarëve që nuk votuan në 2017-n, pjesën më të madhe e zënë votuesit e informuar, por të zhgënjyer, që kanë humbur besimin tek politika, duke e ditur mirë që e keqja më e vogël nuk ekziston.
Pikërisht ky segment i dëshiruar për të votuar, por pa zgjedhje, sepse asnjë nga partitë nuk i përfaqëson, duhet të matet (siç ndodh në Zelandën e Re apo në disa shtete të SHBA), duke vendosur në fletën e votimit mundësinë “asnjë nga partitë”. Pra, thënë shkurt, kjo mundësi, në vend ta detyrojë votuesin të zgjedhë se në cilin restorant të partive poltike do të ndalojë për të konsumuar me vetëdije “çorbë të prishur”, u jep mundësinë atyre të protestojnë kundejt kësaj oferte, duke dhënë mesazhin e fortë që oferta duhet ndryshuar.
Mendoni për një moment sikur në 2017-n të kishin marrë pjesë në zgjedhje 76% e votuesve, ku 30% e tyre të kishin mundësi të shprehnin mendimin e tyre, duke zgjedhur alternativën “asnjë nga partitë”. Fituesi i zgjedhjeve të 2017-s, fitoi nga vota e vetëm 28.6 të votuesve. A do mundej përndryshe të prishej teatri mbi të gjitha, duke folur në emër të përfaqësimit të shumicës? A do mundte ndonjë nga partitë, të recitonte në emër të popullit dëshirat e veta? A do kishte lulëzuar tregu i politikanëve shëtitës sa nga njëra parti tek tjetra, për atë pak elektorat tifoz që ato kanë me vete?
Ekonomisti i sjelljes tregon se, nëse ky segmenet i njerzve që nuk janë dakord me politikën, do ta shprehte votën e vet të protestës duke u ndarë nga grupi i votuesit të painteresuar, sjellja politike do të ndryshonte katërcipërisht. Rotacioni është është pozitiv padyshim, por me një kusht! Duhet të ndodhë së pari në përfaqësimin partiak. Dhe ky është ngërçi ynë. Ka pak, ose aspak rotacion e ndryshim brenda partive.
Si i parashikoni rezultatin e zgjedhjeve së 25 prillit?
Fushatat tejet negativiste, spektakolare për nga propaganda boshe, të shoqëruara me premtime ekstravagande, jo realiste, ku partitë kanë mbi 15 vjet që përfaqësohen nga të njëjtat figura, të provuara dhe të stërprovuara, padyshim që shtojnë mosbesimin e shqiptarëve tek politika, duke e larguar atë nga kutitë e votimit. Në këtë mënyrë, politikanët arrijnë atë që duan: një rezultat që vendoset nga pakica e partiakëve dhe tifozëve. Paradoksi përsëritet, askush nuk shqetësohet për më shumë se gjysmën e votave që mungojnë në kutitë e votimit, dhe të gjithë vrapojnë për zgjidhjen e çështjes së numërimit të 11 votave. Thënë këtë, vetëm fallxhorja argëtuese e Klanifornias, mund të ketë një përgjigje shteruese sa i takon parashikimit.
Ka diçka që mund t’ua këshillonit shqiptarëve në këtë kontekst?
Duhet të marrin pjesë me çdo kusht në votime, madje edhe ata që nuk preferojnë asnjë alternativë. Dita e zgjedhjeve është dita më e mirë kur mund të shprehim protestën e heshtur qytetare, pa thyer, pa djegur, e pa zhurmën akustike të ulërimave të liderve politikë. Kjo është mundësia e vetme, kur mund të themi qartësisht se nuk duam të endemi në kërkim të së keqes më të vogël, por duam që politika të ndryshojë ofertën e saj.
Duhet të shkojmë në votime. Sot më shumë se kurrë, një votë e pavlefshme ka shumë vlerë për ndryshimin.