E lindur në nëntor të 1941-it, shkrimtarja austriake me origjinë hebreje Ilse Aichinger, është pjesë e atij korpusi shkrimtarësh, që sjellin të gjallë përpara lexuesit perpipecitë e Luftës së Dytë Botërore, vuajtur në fakt prej asaj vetë, për hir të origjinës hebreje i ati.
Ilse do të studionte mjekësi, por pasionin për letërsinë nuk do ta linte kurrë pas dore dhe, nën firmën e saj, lexuesit gjerman fillimisht, e atij botëror më pas, do t’i mbërrinin një sërë veprash dhe një sërë çmimesh letrare, nga të cilat veçojmë Petrarka-Preis në ’82-shin, dhe Europalia-n më 1987-n.
Shpresa më e madhe është një gur themeli në letërsinë e pasluftës, që u rrek të thyente tabutë e të folurit mbi persekutimin e hebrenjve nga Gjermania. Romani rrëfen për një vogëlushe, e cila dëshiron të shkojë në Amerikë, sepse atje i ka emigruar edhe e ëma, por që të shkojë atje, i nevojitet viza. Ndërkohë, Amerika i ka shpallur luftë vendit të saj, dhe ajo është e detyruar të rrijë me të gjyshen, e cila, për fatin e keq të së mbesës, është “gjyshja e gabuar për ato kohë”.
Teksa Ilse nis rrëfimin, Elena, personazhi kryesor është 11 vjeçe. Ne rrugëtojmë me të derisa ajo mbush të pesëmbëdhjetat, duke përjetuar hap pas hapi, një fëmijëri të rrojtur në një klimë kërcënimesh, nën joshjen e një ylli të verdhë në jakat e bashkëmoshatarëve, që për dikë mund të shënojë dhe shënjestrën e vdekjes.
I tërë romani sjell të detajuar atmosferën e Luftës së Dytë Botërore, duke na përcjellë në mënyrë të magjishme, mesazhin se njeriu nuk duhet t’i humbasë kurrë besimin dhe ëndrrat e tij, dhe se qielli dikur do të jetë i kaltër.
.
Romani vjen nën përkthimin mjeshtëror të Ana Koves, për të cilën ky roman, është romani i rrëfimeve të pazakonta:
Si mund të flasësh e mendosh për tema aq të mëdha dhe tronditëse si lufta, kur je fëmijë? shprehet përkthyesja Ana Kove për Metropolpostin. Si mund të flasësh e mendosh për përndjekjen raciste, kur je fëmijë? Po për marrëdhëniet e dashurisë, për ato familjare dhe miqësore? Po për besimin në Zot?
Të gjitha këto tema të mëdha dhe ekzistenciale, vijnë mjeshtërisht nga Ilse Aichinger përmes jetës dhe lojërave të një fëmije në romanin e saj më të mirë, dhe në një nga 100 më të mirët e shekullit XX. Me një gjuhë gati poetike, përmes iluzionit dhe shpresës,
Elena, fëmija i këtij romani, rrëfen një histori të tërë, atë të Luftës në vitet 1941-1945. Prandaj është e veçantë kjo shkrimtare, sepse nuk flet e shkruan për të rriturit dhe përvojat e tyre në kohën e ngjarjeve të mëdha që tronditën botën, por për fëmijët dhe përjetimet e tyre, të cilët, si pasojë e prejardhjes u përndoqën, u keqtrajtuan dhe shpesh humbën jetën.
Ne kemi lexuar për Gestapon. Por kurrë nuk e kemi parë si baba një oficer të Gestapos. Por si një vrasës. A mund të jetë vrasës babai, vetëm se nëna e fëmijës së tij është çifute?
Ne kemi lexuar nëpër libra për dashuritë e gjysheve, për përrallat e tyre jetëdhënëse, por a mundet një fëmijë ta shpëtojë gjyshen? Po si? Duke e helmuar, që të mos e gjejë Gestapoja se i merr jo vetëm jetën, por edhe kufomën?
Ne kemi lexuar për Amerikën si ëndrrën e madhe dhe shpresën më të madhe të jetës në liri, por si mundet një konsull ta konsiderojë qenie të lirë fëmijën, duke të privuar nga mundësia e takimin me nënën e arratisur në Amerikë, duke i thënë se zogjtë dhe delfinët shkojnë ku të duan dhe s’kanë nevojë për vizë. As era… Ata shkojnë atje ku është më kaltër… Ndaj fëmija ëndërron vetëm qiell dhe ujë të kaltër.
Ja, të gjitha këto ngjarje na i rrëfen Elena njëmbëdhjetë-vjeçare, personazhi kryesor i romanit. Kur ta lexoni, të gjithë do ta doni shumë Elenën. Ashtu siç e desha shumë edhe unë. Elena më bëri të ëndërroj për ëndrrat e fëmijërisë time të parealizuara, më bëri të ndjej mungesën e përkushtimit të prindërve vetëm për mua, dhimbjen për ikjen e gjyshes pa iu lutur Zotit në liri, se ashtu ishte atëherë. Diktaturat njësoj ta asgjësojnë lirinë edhe në qofshin nacional-socialiste, si në roman apo komuniste, si në rastin e jetës së fëmijërisë time dhe të brezit tim.
Ilse Aichinger renditet me autorët më të mirë austriak. Pa dyshim, ky roman është ndër veprat më të mira të letërsisë austriake, në veçanti, dhe asaj të shkruar në gjermanisht, në përgjithësi.