Shqipëria renditet në vendin e 80 për të bërë biznes, një vend tejet i ulët ky krahasuar me vendet e rajonit, ku Maqedonia e Veriut është e shtatëmbëdhjeta, Serbia e 44 dhe Mali i Zi i 50-i. Objektivi ynë, është që ta fusim vendin mes 30 vendeve më të mira, për raportin doing-biznes.
Kështu është shprehur kreu i PD-së Lulëzim Basha në prezantimin e planit për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Për të përmirësuar këtë situatë, tha ai, PD-ja do ndryshojë realitetin ku operojnë sot bizneset në vend, duke ndërmarë së pari:
- një moratorim 12 muajsh, gjatë të cilit do të ndalen gjobat nga operatorët lokalë për 1 vit dhe do reformohet plotësisht sistemi i inspektimit;
- do ulim dhe kufiojmë më ligj numrin e kontrolleve ndaj bizneseve, gjatë një viti nuk do bëhen më shumë se 10 % inspektime apo kontrolle të bizneseve;
- Do ulim në mënyrë drastike numrin e licensave që jepen sot nga shteti. Për këtë, do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve e licensave, me qëllim që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror apo lokal, të mos shtojë kërkesa të reja për biznesin;
- Do përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimarrje shtetërore. Nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipi A, në vetëm 30 ditë e kështu me radhë;
Basha theksoi se do fokusoheshin edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm, që është motorri i ekonomisë shqiptare, tek mbi 100 mijë familje të vetëpunësuara që sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre.