Donald Trump është gati të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara do të betohet të hënën më 20 janar 2025 në Kapitol.
Ja cilat janë disa nga pikat kryesore të programit të tij, nga politika e jashtme, tek imigracioni, tek ekonomia, mjedisi dhe kujdesi shëndetësor
POLITIKA E JASHTME
Trump ka nënvizuar në disa raste dëshirën e tij për t’i dhënë fund sa shpejt luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai e quajti gjithashtu Evropën një “armik ekonomik” dhe premtoi të “rivlerësojë rrënjësisht” qëllimin dhe misionin e NATO-s, duke sugjeruar që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga aleanca. Trump pretendoi gjithashtu merita për marrëveshjen e arritur nga Izraeli dhe Hamasi, për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve.
EMIGRIMI
Në temën e politikës së emigracionit, Trump deklaroi se plani i tij do të ndjekë modelin Eisenhower: “Duke ndjekur këtë plan, ne do të kryejmë operacionin më të madh të dëbimit të brendshëm në historinë amerikane”, u shpreh ai. Në fakt Trump synon të kapë emigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara dhe t’i dërgojë ata ata nëpë kampe të mëdha, në pritje të dëbimit.
Trump premtoi gjithashtu se do të rivendosë ndalimin e myslimanëve, ligjin që, në mandatin e tij të parë, pengonte shtetasit e vendeve të ndryshme me shumicë myslimane, të hynin në Shtetet e Bashkuara, duke kërcënuar se do t’u kërkonte Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, të rivendoste kufizimet e epokës Covid, i bindur se migrantët bartin sëmundje infektive si tuberkulozi apo zgjebja.
EKONOMIA DHE POLITIKA TATIMORE
Politika tregtare e administratës Trump, propozon një sërë masash proteksioniste: aplikimin e një tarife 10% për të gjitha importet, tarifat deri në 100% për makinat që nuk prodhohen në SHBA dhe deri në 60% për produktet kineze. Trump ka nënvizuar gjithashtu, se dëshiron të zëvendësojë tatimin mbi të ardhurat me një sistem të ri normash më të larta.
SHËNDETI
Gjatë presidencës së tij, Trump qe përpjekur ta shfuqizonte “Obamacare”, duke mos gjetur mbështetjen e disa senatorëve republikanë. Pavarësisht dështimit, në një intervistë të 11 marsit 2024, Trump zbuloi se nuk kishte ndryshuar mendje, duke deklaruar se donte të shkurtonte disa pika të programeve të sigurimeve shoqërore dhe “Medicare”, për të “reduktuar mbetjet”.
Në një deklaratë tjetër, Trump shprehu gjithashtu synimin për t’i detyruar njerëzit e pastrehë t’i nënshtroheshin trajtimit mjekësor dhe rehabilitues ose, përndryshe, të përballeshin me arrestimin. Një pozicion ky, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, që lejon autoritetet vendore të gjobisin të gjithë ata që flenë në rrugë, duke zënë hapësira publike në qytete.
ABORTI DHE TË DREJTAT CIVILE
Trump, i cili në të kaluarën e ka përcaktuar veten si “presidenti më pro jetës ndonjëherë”, ka mbajtur një qëndrim më të ekuilibruar për çështjen e abortit krahasuar me mandatin e mëparshëm. Ai në fakt quante gjyqtarët e Gjykatës së Lartë përgjegjës për përmbysjen e çështjes historike “Roe v. Wade”.
Më 8 prill 2024, ai përsëriti se ishte “me krenari përgjegjës” për një anulim të tillë, por argumentoi se vendimi për abortin duhet t’u lihej shteteve, duke lejuar ato më konservatoret të monitoronin shtatzënitë dhe të ndiqnin penalisht ata që shkelin ndalimin.
Ish-presidenti është zotuar gjithashtu të heqë të drejtat transgjinore, duke thënë se ai dëshiron ta heqë Rregullin IX të Bidenit për studentët transgjinorë, duke imponuar pasoja të rënda për mësuesit që “u sugjerojnë fëmijëve, se mund të jenë të bllokuar në trupin e gabuar”.
MJEDISI
Në fushatën e tij presidenciale, ish-presidenti përsëriti skepticizmin e tij për rolin e njeriut në ndryshimet klimatike, duke nxjerë pretendime të diskutueshme për bazën shkencore të fenomenit. Qëllimi i tij është të rrisë shpimet e naftës dhe të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Motoja mbi të cilën bazohet politika e tij energjetike, “stërvitja, stërvitja, stërvitja”.