Gazpromi ka ngritur sërish shqetësimin për përballimin e të ftohtit në Evropë gjatë dimrit. “Të gjitha qytetet evropiane mund të ngrijnë gjatë pikut të të ftohtit,” është shprehur gjigandi rus i energjisë Aleksey Miller. “Askush nuk mund të garantojë, që Evropa do jetë në gjendje ta përballojë dimrin që po vjen, me vëllimin aktuale të rezervave të gazit”, shtoi më tej Miller, sipas të cilit “rreth 800 milionë metra kub gaz në ditë, mund të mos mjaftojnë për BE-në, në rast të ndonjë të ftohti jo normal”.
Ndërkaq në Moskë, gjatë javës ruse të energjisë, presidenti Vladimir Putin iu rikthye sërish cështjes së gazit: “Jemi gati t’i rrisim furnizimet në BE” deklaroi ai, “por kjo varet prej saj, duke parë mundsinë e kalimit përmes Nord Stream2-it, një tubacion gazi që nuk u aktivizua kurrë pas pushtimit rus të Ukrainës”.
Sa i takonte tavanit të çmimit, Putin deklaroi se : “Nuk kemi për t’i furnizuar me energji ato shtete që vendosin tavan për çmimet e energjisë”. Për të në fakt, bëhet fjalë thjesht për një “lojë të shitur” nga e cila “do të përfitonin vetëm SHBA-të”, të cilat mund të furnizonin energji me çmime të larta, edhe vendet me rrugë alternative furnizimi si Ukraina apo Polonia”.
“Qëllimi i aktit terrorist kundër tubacioneve të gazit Nord Stream, ishte të minonte sigurinë energjetike të të gjithë kontinentit. Pas sabotimit, ndodhet dikush që dëshiron të ndërpresë plotësisht lidhjet midis Rusisë dhe BE-së, duke dobësuar kështu Evropën,” tha Putin mes të tjerave.
Pas këtyre deklaratave të Putinit, nuk ka munguar as reagimi nga Berlini. Nga sa sjellin mediat e huaja, zëdhënësja e qeverisë gjermane Christiane Hoffman, ka vënë në dyshim pretendimet e Putinit mbi gatishmërinë për të përdorur NordStream2-in. “Rusia nuk është më një furnizues I besueshëm. Qysh përpara dëmtimeve të Nord Stream1-it, aty nuk rridhte më gas. Nuk ka asnjë embargo ndaj gazit rus”, është shprehur mes të tjerave ajo.