Intervistoi Albana Nexhipi Lekaj
Situta kaotike ku vazhon të endet akoma Partia Demokratike në këtë prag 25 prilli të 2022, pra thuajse një vit pas humbjes së kësaj force në zgjedhjet e përgjithshme më 25 prill 2021, duket se ofron ende një panoramë konfliktuale mes ish liderit demokrat Sali Berisha, i cili përshfaqet tashmë nën logon e Partisë Dmekroatike të Rithemeluar, dhe atyre që mbajnë aktualisht strukturat e PD-së që njihet më s shumti si zyrtare.
Pas largimit të kreut të saj, Lulëzim Bashës, i cili i mori frenat më 2013-n kur Berisha tha se do të tërhiqej nga jeta politike, Partia Demokratike dhe opozita në vend, duket se janë rikthyer sërish në të njëjtën pikë. Nevojitet sërish një kryetar, i pavarur nga Berisha, që ta ngjisë sërisht Partinë Demokratike dhe opozitën në pushtet.
Fakt është që aktualisht, lideri historik i PD-së, e ka centralizuar sërish pushtetin e kësaj PD-je të rithemeluar në duart e veta, duke kushtëzuar, ashtu si në 2013-n, zgjedhjen e kryetarit. Në ligjërimin e tij politik, kryefjala është rikthimi i PD-së në pushtet, duke krijuar më së shumti një paqartësi midis asaj nëse Berisha do vihet sërish vetë në krye të partisë, apo më në fund do lejojë demokratët të zgjedhin një figurë e cila i përbashkon dhe përcon idealet e tyre, përtej Berishës.
Në këtë kontekst, MetropolPost iu drejtua studiueses së Lidershipit, Dr Iris Halili, e cila u është përgjigjur disa prej pyetjeve me gjasa naive në dukje, por që na hedhin dritë, mbi të ardhmen e kësaj partie, lëvizjet e Berishës dhe nevojat që ka realisht opozita në vend.
MetropolPost: Profesoreshë Halili, a duhet të zgjidhet sërisht Berisha në krye të PD-së?
Dr. Iris Halili: Çështja nuk shtrohet nëse Berisha duhet të zgjidhet apo jo? Çështja është nëse ai do të vazhdojë të jetë faktori vendimtar në fatet e PD-së. Pas ngjarjeve të fundit unë mendoj se ai do të vazhdoj të jetë. Berisha në krye, apo i emëruari i Berishës në krye, nuk ka ndonjë ndryshim, pasi Berisha do bëjë kujdes të zgjedhë të duhurin, dhe ai është shumë i saktë në çdo llogaritje të tijën; koha e ka vërtetuar këtë. Sikur e kam thënë edhe në një intervistë tjetër me ju në 17 shtator të vitit 2021, sido të vepronte Basha me vendimin e Departamentit të Shtetit, Berisha do të dilte i fituar, pasi ai kishte një plan suksesi personal për çdo lëvizje të Bashës. Dhe ngjarjet e fundit na kujtuan vargjet e Majakovskit, që na i mësonin në komunizëm: “Kur themi Partia nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini , nënkuptojmë Partia ….!” Pra PD është Berisha.
Unë mendoj se lëvizja e Berishës apo e të emëruarit të tij tani, do të jetë ajo që Berisha ka bërë gjithmonë e që është rrjedhojë e karakterit te tij ambivalent. Domethënë ai do rikthehet në një formë apo tjetër, do t’u shtrijë dorën apo do të thërrasë në tavolinë të gjithë ata që deri dje i ka larguar apo diskredituar. Mos t’ ju duket çudi që edhe i larguari i fundit , domethënë Basha, mund të rri – thirret! Përtej kësaj do shohim krijimin e një KOP të dytë, me pamje vitale dhe rinore, pse jo me prurje edhe nga Diaspora. Por edhe sikur sa më sipër të realizoheshin, sërisht kjo nuk premton fitoren e PD-së në zgjedhje. Pyetja që do zgjidhje sot, nuk është kush e fiton Partinë Demokratike, por kush e përmbys qeverinë që fatkeqësisht drejton sot vendin. Se së pari, qëllimi kryesor nuk është të çosh në kutinë e votimit militantët, por elektoratin gri. Së dyti, bashkimi i të ikurve nuk është se sjell bashkimin e të sukseshmëve, por është thjesht çështje numrash më shumë sesa vlerash. Së treti, portretet e reja, sado të tilla, nuk kanë forcë të bëjnë ndryshime nëse adhurojnë politikat e vjetra. Pikërisht këto arsye e bëjnë skeptik elektoratin gri.
Unë mendoj se ajo që e mban të ngrirë PD-në, është adhurimi i skajshëm i militantëve për Berishën, kjo nga ana tjetër ngrin elektoratin gri. Me gjithë vlerat e lidershipit berishian, unë mendoj se PD-së dhe vendit i duhet një lidership ndryshe në PD, një lidership transformues, që t’i afrohet dinamikës së kohës dhe vullnetit të qytetarit shqiptar, që po kërkon me çdo kusht t’i largohet tranzicionit të stërzgjatur.
MetropolPost: Ka zëra që thonë se Basha duke themeluar një tjetër “Parti Demokratike varianti Basha”. Mendoni se do të bëhet një zë i qenësishëm për të thithur qoftë edhe një pjesë të elektoratit gri që ju përmendët më sipër?
Dr. Iris Halili: Basha nuk arriti të bëhet lider. Edhe kur ju dhanë të gjitha shancet për të ushtruar lidership, ai dështoi, pasi përtej ambicjes në lidership duhen kultivuar edhe shumë vlera të tjera, ku mbi të gjitha autenticiteti dhe empatia zënë vend parësor. Ai nuk arriti kurrë ta bëjë elektoratin për vete, ta frymëzojë dhe motivojë atë. Pra partia e tij, do të jetë një parti pa lidër.
MetropolPost: A do të jetë i aftë në gjykimin tuaj Berisha të mundësojë zgjedhjen e një lideri të PD-së, jo nën ndikimin absolut të tij?
Dr. Iris Halili: PD-ja do të duhej të sillte në krye një lidër i cili do ta niste fushatën e tij me këto fjalë :“ Me duar të pastra – Me zemër të pastër – le të vazhojmë misionin e premtuar dhe të parealizuar”. Nuk besoj se këtij lloj lideri do i jepeshin shancet në një të afërme të afërt dhe ajo që e bën edhe më të trishtë situatën, është se qeveria e majtë që po drejton e ka kthyer vendin në një plantacion ku çdo ditë e më tëpër mbillet ideja e largimit.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit , ndaj le të mos bëjmë Kasandrën dhe le t’i urojmë PD-së një lider vizionar që i duhet kohës më shumë se kurrë në historinë moderne të shtetit Shqiptar.