
Pas reagimeve të shumta në media mbi ndotjen e plazhit të Hamallajt, në dukje prej hapjes së ndonjë kolektori pranë, ka reaguar edhe Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës.
Sipas njoftimit të saj bërë publik në faqen zyrtare të saj, ajo sqaron se pamjet e ndotura të plazhit të Hamallasit në afërsi të Hidrovorit, nuk kanë të bëjnë me ujërat e zeza, por me mbledhjen e papastërtive dhe llumrave prej erërave të shumta që kanë fryrë këto ditë në zonë.
Sa më posht, njoftimi i plotë i UKD-së së Durrësit.
NJOFTIM PËR MEDIA
Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj
Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare.

Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.
Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.

SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar.
Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det.
Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.

*Foto nga Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Lalëz.


