
“Nga Universiteti drejt Suksesit Profesional – Udhëtimi i Inxhinierëve Ekonomikë”
Më 28 maj 2026, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Universiteti Politeknik i Tiranës, u zhvillua aktiviteti “Dita e Alumni-ve të Inxhinierisë Ekonomike”, me temë “Nga Universiteti drejt Suksesit Profesional – Udhëtimi i Inxhinierëve Ekonomikë”.
Aktiviteti mblodhi rreth 100 pjesëmarrës, përfshirë Alumni të programit të studimit Inxhinieri Ekonomike, studentë aktualë, stafin akademik të Departamentit të Prodhim Menaxhimit, si dhe Dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Prof. Dr. Genti Guxho. Veprimtaria kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ndërmjet universitetit dhe të diplomuarve, shkëmbimin e eksperiencave profesionale dhe krijimin e një platforme bashkëpunimi mes brezave të ndryshëm të inxhinierëve ekonomikë.
Një nga treguesit më të rëndësishëm të suksesit të programit të studimit Inxhinieri Ekonomike është integrimi i lartë i të diplomuarve në tregun e punës. Gjatë aktivitetit u theksua se Alumni-t e Inxhinierisë Ekonomike janë të punësuar në institucione publike dhe private, si dhe në kompani kombëtare dhe ndërkombëtare që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Të diplomuarit e programit kontribuojnë si menaxherë projektesh, specialistë të planifikimit dhe analizës ekonomike, ekspertë të financës dhe kontabilitetit, konsulentë biznesi, specialistë të marketingut, menaxherë të operacioneve, si dhe sipërmarrës që kanë krijuar bizneset e tyre. Ata janë pjesë e industrisë prodhuese, sektorit bankar dhe financiar, telekomunikacionit, energjisë, teknologjisë së informacionit, ndërtimit, logjistikës, turizmit dhe administratës publike.
Prania e Alumni-ve në pozicione drejtuese dhe vendimmarrëse në kompani të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë dëshmon cilësinë e formimit akademik të ofruar nga programi i studimit Inxhinieri Ekonomike dhe aftësinë e tij për t’u përshtatur me kërkesat në ndryshim të tregut të punës.
Aktiviteti u hap me një video retrospektive që solli momente nga historia e programit të studimit, auditorët, laboratorët, ceremonitë e diplomimit dhe rrugëtimi profesional i shumë Alumni-ve. Në fjalët përshëndetëse u theksua rëndësia e komunitetit Alumni si një urë lidhëse mes universitetit dhe tregut të punës, si dhe kontributi i tyre në zhvillimin e mëtejshëm të programit.
Një nga momentet më të veçanta të ditës ishte sesioni “Alumni Stories – Turning Points”, ku ish-studentët ndanë me audiencën historitë e tyre të suksesit, sfidat e hasura gjatë karrierës, momentet vendimtare që kanë ndikuar në rrugëtimin e tyre profesional dhe mësimet më të vlefshme të nxjerra gjatë viteve.
Në vijim, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutimin “Career Myth”, ku u analizuan dhe u sfiduan disa prej miteve më të zakonshme që lidhen me suksesin profesional, tregun e punës dhe zhvillimin e karrierës. Diskutimet dëshmuan se fleksibiliteti, mësimi i vazhdueshëm dhe aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet janë faktorë kyç për suksesin në një mjedis gjithnjë e më dinamik.
Interesi i studentëve u reflektua veçanërisht në sesionin “Ask Me Anything – Alumni Edition”, ku ata patën mundësinë të adresonin pyetje të drejtpërdrejta mbi mundësitë e punësimit, intervistat, praktikat profesionale, zhvillimin e aftësive, ndikimin e Inteligjencës Artificiale në profesionet e së ardhmes dhe sfidat reale të tregut të punës.
Një atmosferë frymëzuese shoqëroi sesionin “What I Wish I Knew at 20”, ku secili Alumni ndau një mesazh të shkurtër motivues për studentët aktualë. Këshillat e tyre u fokusuan në rëndësinë e përkushtimit, rrjetëzimit profesional, guximit për të provuar mundësi të reja dhe investimit të vazhdueshëm në zhvillimin personal dhe profesional.
Një moment i rëndësishëm institucional i aktivitetit ishte zgjedhja e Bordit Alumni të Inxhinierisë Ekonomike, kryetarit të tij dhe pedagogut koordinator. Ky hap shënon fillimin e një strukture të organizuar bashkëpunimi, e cila do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve mes Alumni-ve, studentëve dhe universitetit, si dhe në organizimin e aktiviteteve të ardhshme profesionale dhe akademike.
Aktiviteti u mbyll me një sesion networking-u informal, realizimin e fotografisë së përbashkët dhe prezantimin e iniciativave të reja për zhvillimin e komunitetit Alumni, përfshirë zgjerimin e rrjetit profesional në LinkedIn dhe krijimin e mundësive të reja për mentorim, bashkëpunim dhe mbështetje të studentëve aktualë. Dita e Alumni-ve konfirmoi edhe një herë vlerën e komunitetit të Inxhinierisë Ekonomike dhe rolin e tij në ndërtimin e urave të qëndrueshme ndërmjet arsimit universitar dhe suksesit profesional

