Diskutimeve të shumta nëse mund të ketë barazi në trajtimin e të ardhurave nga punësimi dhe atyre nga vetpunësimi i janë përgjigjur shumë ekspertë të ndryshëm në mëmnyra të ndryshme, por në fakt cili është angazhimi i secilit nga këto role, cilat janë rrisqet që hasin këto role, kostot e veprimit, çfarë mund të bëhet ndryshe, si tatohen sot të ardhurat personale, dhe të tjera pyetje lindin për të krahasuar barazinë në angazhim për të gjykuar edhe barazinë në taksim.
Statusi i një punëmarrësi, vetëpunësuari ose person fizik tregtar me apo pa punëmarrës janë dy role, por në diskutimet aktuale nga ekspertë të ndryshëm është harruar të përfshihet në këtë temë edhe individi jo i punësuar dhe jo i regjistruar si i vetpunësuar. Konkretisht një punëmarrës, ushtron një detyrë kundrejt një marrëdhenie kontraktuale, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Punëmarrësi mbi pagën paguan kontributet dhe përsa i përket atyre punëmarrësve që tejkalojnë pagën maksimale për të cilën paguhen kontributet shoqerore e shëndetësore, kemi të bëjmë me një punëmarrës i cili ka kontribuar për një pension shumëfish mbi atë mesatar, paguhet me një pagë më shumë se dyfishi i pagës mesatare në shkallë vendi dhe si rrjedhojë gëzon një jetesë në shkallën e luksit, i administruar nga një marrëdhenie e vetme pa rrisk. (Pagat e nivelit të lartë u përkasin kryesisht niveleve drejtuese, sektorëve të inteligjencës dhe jo atyre të kualifikuara si punë me rrezik të lartë), ndërkohë që një i vetpunësuar, zakonisht heq dorë nga investimi për pension ,duke përfituar menaxhimin e të ardhurave në kohë reale.
Personi fizik tregtar me ose pa punëmarrës, ushtron aktivitet në një treg të lirë, nën presionin e disavantazheve të konkurencës jo të ndershme, shumëherë i detyruar nga papunësia dhe mbart një marrëdhënie me shumë operatore mbikqyrës ose bashkëveprues. Personi fizik tregtar përgjigjet personalisht për detyrimet ndaj të tretëve dhe është i ekspozuar 100 % ndaj çdo rrisku, ndryshe nga punëmarrësi që në çdo rast, gëzon mbrojtje nga çdo hierarki institucionale. Personi fizik tregtar, investon i vetëm për trajnime dhe zhvillim personal, ndërkohë që punëmarrësit i ofrohet nga punëdhënësi një mundësi e tillë në përgjithësi. Të ardhurat nga pagat kanë një cikël të programuar kohor dhe mospërmbushja e këtij detyrimi, rregullohet dhe penalizohet me ligj. Mospagesa e një klienti për të vetpunësuarin i nënshtrohet një procesi pa fund kërkese për arkëtim, i cili mund të ketë edhe përfundim në borxh të keq. I vetpunësuari paguan edhe taksë vendore, sado e vogël qoftë. I vetpunësuari i nënshtrohet një legjislacioni ndryshe për njohjen e shpenzimeve. Prandaj i Vetpunësuari dhe Punëmarrësi nuk janë një status i ngjashëm për t’u krahasuar, përsa i përket nivelit të taksimit apo për të qënë në linjë të njëjtë taksimi. Duke patur në strategji taksimin progresiv, qeveria duhet t’i qëndrojë kësaj metodologjie, por në dukje shfaqet një sistem jo i mirëkuadruar me qëllimin e vet, ose që, nga ndryshimet e shumta, ka nevojë për një konsolidim të qëllimit të përgjithshëm, me normimin e taksimit mbi të ardhurat personale. Nga njëra anë sistemi i taksimit mbi pagën në Shqipëeri është ruajtur i thjeshtë ndër vite. Ajo çka është e nevojshme, por tashmë që ekonomia ka marrë një formë dhe është krijuar një strukturë e mirë administrimi të marrëdheniës fiskale institucion – biznes – individ, nëpërmjet edhe investimeve ne digjitalizim të shërbimeve, do të ishte momenti për diversifikimi të nivelit të të ardhurave individuale, familjare dhe i statuseve të veçanta.
Aktualisht kemi diversifikim të ardhurash vetëm në lloj, të trajtuara me nivele tatimi ndryshe.
Të ardhura nga paga; tatimi progresiv i pagës;
Të ardhura nga qeratë, 15%
Të ardhura nga i vetpunësuari, 0%-15%
Të ardhura nga shpërndarja e fitimeve 8%
Të ardhura nga shërbime të ndryshme si individ apo pjesëmarrje në borde etj., 15%
Pra diversifikimi për lloj tatimi mendohet të ketë ardhur si pasojë e ndryshimeve të fraksionuara të ligjit dhe të pakuadruara më së miri. Ky diversifikim krijon imazhin e taksimit ndryshe të individit dhe nuk përkon me konceptin e taksimit progresiv mbi të ardhurat. Statuse të tilla si: Kryefamiljar me fëmijë në kujdestari, Kryefamiljar që ka në ngarkim njerëz me aftësi të kufizuara, të rinj deri në moshën 25 vjeç, (politikat e mbështetjes së rinisë), e kështu me radhë, duhet të përjashtohen ose të gëzojnë status të veçantë ndaj trajtimit të të ardhurave personale qoftë si punëmarrës ashtu edhe si i vetpunësuar pavarësisht trajtimit të tyre në disa avantazhe të ofruara si subvencion i kostos së energjisë, etj. Ndërkohë që individi është totalisht i pamonitoruar në marrëdhënie me transaksionet individ-individ. Në rastin kur kjo marrëdhenie është me një biznes apo marrëdhenie qiraje, transaksioni i nënshtrohet tatimit në burim. Por rastet e transaksioneve individ me individ, përveç rasteve të trajtuara nga një marrëdhenie kontraktuale noteriale, janë të pamonitorueshme.
Shembull: Një individ kërkon të rregullojë një pajisje në shtëpi. Kërkon një teknik, i cili kryen shërbimin si individ duke marrë pagesën në dorë. Kjo mënyrë as nuk kontrollohet dhe as nuk mund të matet. Por nësë një individ nuk do të kishte detyrim deklarimi, e as taksimi për një të ardhur të limituar, ata do të orientonin pagesat e tyre në bankë. Banka minimalisht do të kishte një formalizim të shumë indikatorëve që masin indeksin e konsumit, qarkullimin etj. Por edhe në përgjithësi, orientimi i transaksioneve nga ato me para në dorë, drejt atyre bankare apo produkteve bankare, orienton ekonominë drejt formalizimit. Prandaj një zgjidhje e mirë, e aplikueshme edhe nga shtete të tjera, qoftë edhe nga ato të zhvilluara, do të ishte përcaktimi i nivelit të të ardhurave afërsisht 480.000 lekë në vit, si një e ardhur personale pa detyrim deklarimi dhe taksimi. Kjo, jo vetëm për marrëdhënien individ-individ por edhe Individ Biznes, do të mund të lehtësonte qarkullimin e paligjshëm në rr ugë ligjore, duke u njohur si shpenzim edhe nga biznesi, në rast se një shpenzim i tillë lidhet me të, kundrejt një kontrate shërbimi.
Nga ana tjetër edhe hendeku i nivelit të taksimit ndryshe duhet të ketë një logjikë të qartë dhe të matshëm me distancën nga të ardhurat e minimumit jetik, pagës minimale, mesatare dhe medianës për status e për sektor. Kjo kërkon një stud im metodologjik për të dalë në konkluzione vlerash, duke iu referuar analizës kosto e përfitime. Por patjetër duke mos u ngatërruar midis konceptit “të ardhura nga punësimi” (Punëmarrës), “Individ”, apo të ardhura si i vetpunësuar apo “Punëdhënës” dhe duke mbajtur një qëndrim diversifikimi të taksimit mbi të ardhurat personale sipas statusit të individit, familjes apo nivelit të të ardhurave apo llojit të të ardhurave, qoftë edhe në cilësinë e individit, punëmarrësit, punëdhënësit, apo të vetpunësuarit.
Pra ky sistem kërkon së pari identitetin dhe në bazë të këtij identiteti të përkufizuar, të përshkallëzohet tatimi mbi të ardhurat personale/ APELMEDIA
* Titulli redaksional