Gazetat italiane kanë publikuar ditën e sotme rastin e një profesori të Universitetit të Aquila-s në Itali, i cili, pas një përplasjeje me një makinë shqiptare në afërsi të Tiranës, mbahet i burgosur që prej gushtit kur ka ndodhur aksidenti.
Sipas rindërtimit të lajmit burri, Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor i biologjisë në Universitetin e L’Aquila-s, teksa drejtonte një Lancia Ypsilon, është goditur nga një automjet tjetër, drejtuar nga një shqiptar. Mediat italiane thonë se profesori nuk po udhëtonte më shpejt se 40 kilometra në orë, ndërsa automjeti tjetër po udhëtonte me një shpejtësi më të lartë. Por pavarësisht kësaj, theksojnë ato, D’Angelo është akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe braktisje të një automjeti, pasi dyshohet se është larguar nga makina menjëherë pas përplasjes.
Avokatët e tij mbrojtës e konsiderojnë këtë sjellje si veprim instiktiv dhe jo si një përpjekje për t’u arratisur, por pavarësisht kësaj, thonë mediat italiane, profesori, një fytyrë e njohur në komunitetin akademik, është mbyllur në burg në pritje të gjyqit.
Ndërsa pret zhvillime të mëtejshme në lidhje me çështjen, Universiteti i L'Aquila-s ka shprehur angazhimin e tij. "Po bëjmë gjithçka që mundemi," është shprehur rektori Fabio Graziosi për mediat italane , "për lirimin e profesorit dhe për të ulur presionin psikologjik mbi palët e përfshira."
Disa përfaqësues zyrtarë, thonë mediat italiane, e kanë ngritur gjithashtu si shqetësim. Midis tyre është senatori Luciano D'Alfonso, i cili më 11 shtator i paraqiti një kërkesë parlamentare Ministrit të Punëve të Jashtme, duke kërkuar bashkëpunim të plotë me autoritetet shqiptare dhe sqarimin e rrethanave të incidentit.
Ambasada italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë, thonë mediat italiane, po "ndjekin me vëmendjen më të madhe" rastin e Michele D'Angelo-s, një profesor biologjie në Universitetin e L'Aquila-s, i cili mbahet në një burg shqiptar që nga gushti. Kjo u raportua nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila "po mban kontakt të vazhdueshëm me bashkëkombësin e vet, duke kryer vizita në burg dhe duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme konsullore".
Michele D'Angelo dhe partnerja e tij, u përfshinë në një aksident me makinë në Shqipëri më 8 gusht 2025.
Të nesërmen, italianët u ndaluan nga policia dhe vetëm z. D'Angelo, i akuzuar për mosdhënie ndihme, u la në paraburgim. Procedurat kundër tij janë aktualisht në vazhdim.