Nga Albana Nexhipi Lekaj
Një roman, në dukje dashurie, por me tërë gjurmët e historisë së Izraelit brenda, “Djali me biçikletë”, shqipëruar prej pedagogut dhe përkthyesit Alban Reli, përbën më së pakti një fenomen letrar në lëmin e përkthimeve shqip, ngase është hera e parë që letrave shqipe u bashkohet edhe një një roman i përkthyer nga origjinali në hebraisht. Përkthyesi Alban Reli, në në intervistë mbresëlënese jo vetëm për hir të subjektit të romanit, por dhe për hir të zhvillimit të një gjuhë siç është hebraishtja përmes shqipes, rrëfen për MetropolPost-in, se sjellja e këtij romani në shqip nuk ka qenë aspak e lehtë.
Metropolpost.al/ Alban, sillni në shqip për herë të parë një roman të tërë të përkthyer nga hebraishtja. Keni pasur vështirësi në shqipërimin e tij? A mund të na rrëfen diçka?
Alban Reli: Romani ‘Djali me Biçikletë” i shkrimtarit të mirënjohur izraelit Eli Amir, është vepra e parë e literaturës izraelite që vjen nga hebraishtja në shqip; ky fakt përbën në vetvete një sfidë, pasi nuk kemi asnjë model të mëparshëm përkthimi në shqip të literaturës nga hebraishtja, e cila është një nga gjuhët më të vjetra të botës por edhe një nga gjuhët më me ndikim në civilizimin botëror…
Vështirësitë e përkthimit të këtij romani do t’i përmblidhja në tre aspekte:
Së pari: Hebraishtja është gjuhë e familjes semitike, mjaft e ndryshme nga familja
Indoevropiane e gjuhëve ku bën pjesë edhe shqipja. Për ta ilustruar këtë, mjafton të përmendim faktin se hebraishtja ka vetëm tri forma foljore për tri kohët e foljes – e tashme, e shkuar, e ardhme, ndërsa shqipja dhe indoevropianet e tjera; qofshin këto latine, sllave, anglo-saksone etj, kanë disa forma, të thjeshta dhe të përbëra, për secilën nga këto kohë.
Që këtu përkthimi, nga hebraishtja, bëhet krijues; pra, të duhet të kesh në rradhë të parë një të kuptuar mjaft të mirë të tekstit në orgjinial, pastaj të gjesh format foljore të kohëve përkatëse në shqip. Një tjetër tipar dallues i gjuhëve semitike në përgjithësi, dhe i hebraishtes në veçanti, është përdorimi mjaft i dendur i pjesoreve, përemrave apo lidhëzës konsekutive “vav” (dhe) në fjali të gjata -si trashëgimi e hebraishtes biblike që është është një gjuhë mijëra-vjeçare; përdorimi i këtyre strukturave gjuhësore dhe morfologjike është tërësisht atipik për gjuhën shqipe apo edhe për indoevropianet e tjera… Për këto arësye -dhe jo vetëm- sjellja e literaturës hebraike në shqip kërkon -jo rrallë herë një përkthim kontekstual shumë të kujdesshëm, që përfshin, edhe copëzimin e fjalive të gjata, për ta bërë atë sa më të pranueshëm për lexuesin shqiptar … Mjafton të përmendim këtu faktin se, përkthimi i literaturës hebraike-izralite në gjuhë të tjera -dhe anasjelltas- bëhet kryesisht nga vetë izraelitët nativë hebraisht-folës që i njohin mirë edhe këto gjuhë. Gjej me vend të theksoj këtu, se për të arritur tek ky nivel i të kuptuarit të gjuhës-jo vetëm nga aspekti leksikor, por edhe ai gramatikor, morfologjik, semantik etj, më është dashur një rrugëtim i gjatë, mbi njëzet vjeçar me gjuhët e Lindjes së Mesme; rrugëtim i cili fillon me arabishten, për të vazhduar më pas me hebraishten, arameishten dhe persishten.
Sigurisht që një ndihmesë të veçantë në këtë rrugëtim më ka dhënë edhe përvoja mëse katër vjeçare e mësimdhënies së hebraishtes dhe arabishtes -si lëndë kurrikualre- në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Së dyti: Libri përmban jo pak fraza arabisht dhe jidisht të cilat unë – ashtu si dhe vetë autori i librit – zgjodha t’i përcjell me transliterim për të ruajtur origjinalitetin, duke i shoqëruar me përkthimin e tyre në shqip – shpesh nëpërmjet shënimeve në fund të faqes. Në këtë aspekt, nuk e pata të vështirë me arabishten pasi, ashtu si vetë autori Eli Amir, krahas hebraishtes kam studjuar edhe për gjuhë e letërsi arabe; por nuk e kam patur kaq të lehtë me frazat në jidisht, e cila është një gjuhë hibride, përzjerje e hebraishtes, arameishtes, gjermanishtes dhe sllavikeve – e folur kryesisht nga hebrenjtë e Evropës Qëndrore; megjithatë, e pati edhe kjo dobinë e vet, sepse fillova të familjarizohem me fjalorin jidisht…
Së treti: Libri përmban një mori emrash, konceptesh dhe ngjarjesh që me shumë gjasa janë të panjohura për lexuesin shqiptar – prandaj zgjodha të vendos në fund të faqeve, sqarime, që libri origjinal nuk i përmban. Në vetvete kjo përbën një punë kërkimore, ku pjesa më e vështirë është dilemma se çfarë lipset të sqarohet e çfarë jo… Por, në fund të fundit, të qënit i pari në përkthimin e literaturës nga një gjuhë e botës – sidomos nga hebraishtja si një gjuhë me ndikim të madh në civilizimin botëror – por edhe kënaqësia e përkthimit të një vepre kaq interesante në shumë aspekte; si për nga subjekti, personazhet, ngjarjet dhe figurat historike që përshkruan, dhe sidomos informacionit të pasur që na sjell për një botë jo shumë të njohur për shqiptarët, por me shumë rëndësi për kulturën, historinë dhe aktualitetin boëtëror- besoj se i justifikon të gjitha këto vështirësi.
MetropolPost.al/ Një sfidë e vështirë ky përkthim. Përse lexuesi duhet ta bëjë pjesë të leximeve të tij. Diçka mbi atë rrëfehet në të?
Alban Reli: “Djali me biçikletë” është një roman autobiografik. Personazhi qëndror i romanit Nuri – Fuad Iljas Halasxhi; është emri arab i vetë autorit Eli Amir, një djalë i vogël hebre i cili, në fillimvitet 1950’, emigroi për në Izrael, bashkë me familjen e tij, nga Bagdadi. Gjuha e tyre amtare ishte arabishtja, gjuha e liturgjisë fetare për ta ishte arameishtja, ndërsa tani u duhej të mësonin gjuhën e kombit të tyre, hebraishten; por kjo ishte ndoshte pjesa më e bukur e vështirësive që ata hasin për t’u integruar në një shoqëri të përbërë nga bij të të njëjtit komb, atij hebre, por me prejardhje nga vende, kultura, gjuhë, dhe mendësi të ndryshme.
Ky roman është një histori shumë e bukur njerëzore, ku çdo lexues mund të gjejë një pjesë të vetvetes.
Tashmë lexuesi shqiptar është njohur me romanin autobiografik “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, të shkrimtarit izraelit, Amos Oz, i cili përshkruan fillimet e shtetit të Izraelit nga këndvështrimi i një të riu, ashkenazit, pra me prejardhje Evropiane. Romani autobiografik, ‘Djali me biçikletë’, i Eli Amirit, na e përcjell të njëjtën përiudhë në këndvështrimin e një të riu sefardit, lindor, me prejardhje nga Lindja Arabe, nga Iraku. Dy këndvështrime të ndryshme, si Lindja dhe Perëndimi. Shteti i Izraelit – si një rast unikal – u formua nga emigrantë të ardhur nga të gjitha vendet e botës, që fetarisht ishin ‘Jehudinj’, pra të fesë judeje, por nga pikëpamja kulturore-gjuhësore u përkisnin vendeve nga vinin, me mbi shtatëdhjetë gjuhë por dhe me mentalitete të ndryshme, shpesh kontrastive. Të gjitha këto potretizohen në roman nëpërmjet një larmie personazhesh konkrete. Për shembull, hebreu nga vendet gjermanike, si filozofi austriak Martin Buber, ndryshon nga hebreu polak (siç është personazhi i kryeministrit të parë të Izraelit, David Ben Gurioni, apo personazhi i Elhanan Shislerit, babait të Mihalës, të dashurës së Nurit), apo nga hebreu rumun ballkanas (si shoku rumun i Nurit, Aleksi, si pronarja rumune e kafenesë së fshatit, roja rumun etj), edhe pse të gjithë këta konsiderohen si hebrenj ashkenazitë- evropianë. Po kështu, hebreu Iraken (Nuri dhe familja e tij), ndryshon si kulturalisht ashtu edhe në mentalitet nga ai Kurd (Amu Berekati, Amu Zejdi), nga ai Jemenas (Shalom Jemenasi), nga ai Turk- Urfali, apo nga ai ‘cabari’, “vendaliu” (familjet e vjetra jeruzalemase); megjithëse këta, të gjithë, konsiderohen si hebrenj Sefarditë-Lindorë, pra me prejardhje nga Lindja e Mesme apo ish Perandoria Osmane.
Sigurisht që dallimet krijojnë një lloj “droje nga tjetri” nga “e ndryshmja”, me mure dhe barriera kulturore që janë ngritur në botë prej mijëra vitesh. Për të thyer këto barriera, David Ben Gurioni, kryeministri i parë i Izraelit hodhi, asokohe, idenë e ‘shkrirjes së diasporave’ “mizug ha gelujot”, pra të unifikimit dhe integrimit kulturor, gjuhësor, që është bërë tashmë realitet. Kjo na përcillet, natyrshëm, nëpërmjet një historie shumë të bukur dashurie, midis Nurit, djalit hebre sefardit nga Bagdadi, dhe Mihalës, një vajzë hebreje ashkenazite me origjinë polake. Pozita shoqërore, gjendja ekonomike, mënyra e jetesës dhe mentaliteti i ndryshëm i familjeve të tyre, e bëjnë këtë dashuri pasionante, të duket e pamundur, e dhimbshme, por pastaj, barrierat bien, duke përcjellë ndjesinë se të gjithë ne, qeniet njerëzore, në lindje apo perëndim, jemi njëkohësisht, të ndryshëm por edhe shumë të ngjajshëm.
Lexuesi shqiptar do të gjejë gjithashtu në këtë libër shumë gjëra të ngjashme midis realitetit izraelit të fillimeve të shtetit të Izraelit dhe realitetit shqiptar të 70 viteve te fundit; duke filluar nga ndikimet e Lindjes Komuniste, e deri tek ndikimet e Demokracisë Liberale Perëndimore. Ka shumë karaktere tipologjike që do na duken të njohura; instruktorët e kibucit për shembull, na kujtojnë instruktorët e organizatave rinore; vetë “kibuci” na kujton aksionet e rinisë, mbrëmjet e vallëzimit, kampet e pionierit… apo të gjitha format e tjera të “formimit të brezit të ri që do të ndërtonte socializmin”. Në kontrast me këtë kemi konservatorët si Agasi me familjen e tij, mbështetës së të Djathtës Izralite. Mjaft aktuale janë edhe figurat e militantëve partiakë si Kalinski dhe Shtarski, që flasin tërë kohën për shokët e partisë, për organizatat bazë dhe për “dallaveret” e përfitimeve nga pushteti. Por, nga ana tjetër paraqiten edhe njerëzit e moderuar, intelektualë e mendjehapur, si Navoni apo Shtarku që i japin impuls zhvillimit. Të gjitha këto të bëjnë të reflektosh thellë mbi realitetin shqiptar dje dhe sot… Prandaj, edhe pse rrëfen ngjarje që kanë ndodhur para shtatëdhjetë vitesh, romani përcjell një aktualitet ku secili prej nesh mund të gjejë një pjesë të përditshmërisë së tij, në të shkuarën apo në të tashmen…
Në këtë libër janë përmendur pothuajse të gjitha figurat e mëdha të mendimit dhe politikës hebreje përgjatë shekullit të njëzetë. Ben Gurioni, Moshe Shareti, Menahem Begini, Golda Mejeri, Shimon Peresi etj, janë ata që dominuan politikën izraelite për pesëdhjetë vitet që pasuan. Aty përmenden edhe shumë poetë e mendimtarë të njohur si Martin Buberi, Josef Gedalia Klausneri etj, filozofë dhe historianë me përmasa botërore, apo poetë e shkrimtarë si Shaul Çernikovski, Shai Aganoni, Jic’kah Bashevis Zingeri etj, shumë prej të cilëve fitues të çmimit Nobel.
Në këtë kuptim, ky libër është vërtet një lloj ‘Enciklopedie’ e përmbledhur judaike dhe do ia vlente ta lexoje librin edhe vetëm për këtë; por i gjithë ky informacion na vjen shumë natyrshëm, nëpërmjet rrëfimit të personazheve të librit, midis të cilëve edhe disa nga figurat e sipërmendura.
Sigurisht, nuk është e vështirë të shkruash për këto figura edhe pa i njohur nga afër. Megjithatë, autori Eli Amir, ka mbajtur disa pozicione si ai i Këshilltarit të Kryeministrit të Izraelit për çështjet arabe, apo Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Sefardite Botërore etj., që ia kanë mundësuar t’i njohë nga afër të prej këtyre figurave, çka i jep librit një natyrë mjaft jetësore dhe aktuale.
Për mua personalisht, për shkak të kontakteve të gjata me kulturën hebraike dhe izraelite, shumë nga këto ngjarje dhe figura ishin të njohura; megjithatë në këtë roman ato përshkruhen në një sintezë tejet të natyrshme dhe të rrjedhshme nëpërmjet rrëfimit të personazheve qendrore të romanit.
Nuk e ekzagjeroj nëse them se të njihesh me kulturën dhe mendësinë e komuniteteve të ndryshme judaike, sefardite apo ashkenazite, lindore apo perëndimore, do të thotë të njihesh me kulturën dhe historinë botërore… Dhe ky roman, e bën këtë më së miri.