Ishte barabar me llahtaritë e tragjedive të lashta greke, përballja me imazhin e vjehrrit 61 vjeçar, i cili, pasi shqyente derën ku qe mbyllur e reja, therte me thikë atë që i biri kishte zgjedhur për të ndarë shtratin. Motivi: i kishte prishur familjen, mbante thonj të gjatë dhe nuk bënte për familjen e tyre! Gjaku i së resë që e shoqja e tij fshinte me fshesë të pistë korridorit, ishte edhe më makabër, ngase përmbushte në një farë mënyre edhe një prej mallikimeve më të rënda që mund t’i bëhet njeriut, atë të të shkelurit të gjakut me këmbë. Dhe e tëra ndodhi në Vidhishtë të Roskovecit, një fshat që me shumë gjasa, shumë e kanë dëgjuar për herë të parë prej kësaj historie.
Ndërkaq, jo shumë kohë më parë, në një tjetër fshat po të Fierit, në Grecalli kësaj radhe, horrori meku të madh e të vogël, kur u mësua mbi fatin e trishtë të 8 vjeçarit Mateo, vrarë e groposur prej komshiut, që rronte pak metra larg shtëpisë së tij. Po ashtu si në rastin e 61 vjeçarit Hoxha, i cili kishte kohë që u thoshte poshtë e përpjetë njerëzve se do ta vriste nusen e djalit, sepse i kishte prishur familjen e të birit, edhe në rastin e të ndjerit Mateo, njerëzit përreth e dinin që vrasësi i Mateos ishte problematik, që kishte kërcënuar edhe herë të tjera me vdekje, e pavarësisht kësaj, nuk e kishin problem t’ia linin të vegjlit përreth e madje edhe t’i lejonin t’u blinin e shpinin bukë, nëse atij i nevojitej.
Ç’lidhje kanë, do pyesë dikush, këto raste me njëra-tjetrën? Patjetër që kanë, e shumë madje, se nëse i shohim me vëmendje, do të shquajmë që i përbashkojnë një sërë problematikash, të cilat lidhen jo vetëm me shtetin dhe punën e instancave të tij në parandalimin e tyre, por edhe me kulturën se si ne u qasemi situatave të tilla, me një mosvramendje që të pataks me indiferentizmin e saj ndaj jetës: tjetri ka vrarë e ka kërcënuar, ne e lëmë fëmijën të hyjë e të dalë atje, se këtij tonit nuk i bën gjë, se ne e njohim! Tjetri del rrugëve, e thotë do ta vras bashkëjetuesen e djalit, i biri ia shpie bash mu në shtëpi, se i ati vetëm llafe ka, duke mos ia vënë aspak veshin fjalëve të tij. Dhe pastaj kërcet thika! Humben jetë dhe mbillet dhimbje. E teksa e gjitha kjo ndodh, asnjë sociolog nuk ofron ndonjë analizë shpjeguese, asnjë psikolog nuk sqaron pse kjo prirje në masë për të vrarë, askush nuk shqetësohet për moskuptimin vdekjeprurës mes anëtarëve të kësaj shoqërie, që të gjithë e quajmë shqiptare.
Po çfarë duhet më tepër në këtë shoqërinë tonë, për të kuptuar se shqiptari në mikroambientin ku rron (familje e lagje), ka probleme të stërmëdha me normat sociale që duhet të zbatojë, me komunikimin ndërpersonal po ashtu, duke mos i dhënë fjalës peshën e duhur e duke mos marrë rrjedhimisht as mesazhin e nevojshëm, por edhe me shëndetin mendor, duke qenë se pas fjalës së parë, ia beh një ulërimë e kërcet ose thika ose kallashi?
Çfarë u duhet më tepër atyre që bëjnë politikat sociale në këtë vend, se sa therja poshtë e përpjetë e njerëzve, për t’u ndërgjegjësuar se e kanë lënë komplet pas dore këtë shoqëri e ca më shumë fshatrat e zonat e thella, e se psikologun, sociologun, punonjësin social, bota i mban në këmbë pikërisht për të shmangur fenomene të tilla?
Çfarë na duhet më tepër se rrëketë e gjakut nëpër familje, për të kuptuar se në shoqërinë tonë, instanca të tilla mungojnë komplet (edhe ndërgjegjësimi mbi to, padyshim), ndaj individët, ca nga padija, ca nga pamundësia, ca nga mungesa e institucioneve, u bëjnë apel instinkteve primordiale për mbijetesë, si puna e vrasjes dhe therjes, kur qytetërimi ka kohë që operon me fjalën, përmes ligjit, rregullave dhe normave të bashkëjetesës në një komunitet?
Çfarë na nevojitet më tepër si shoqëri, për të dalluar dhe për t’u ndërgjegjësuar se mendësinë e prindërve nga mendësia e të rinjëve i ndan një stërhon supergjigand, e se duhen marrë masa për të vendosur ura, që në kapërcyell të ndryshimeve të mund të shmangim viktimat?
Çfarë duhet më tepër, për të hapur qendra rehabilitimi për njerëz me probleme, që në të qindën e sekondës marrin jetë njerëzish e prodhojnë tragjedi? Po për të kuptuar dramën e thellë që po kalon shoqëria shqiptare, duke mos pasur asnjë tjetër mbështetje përpos informacioneve të çartura në gugëll dhe fitoreve galopante nga njëri mandat në tjetrin, duke shërbyer vërtet thjesht si numra e jo duke u parë si jetë? Çfarë duhet tjetër, përveçëse këtyre rrëkeve të gjakut që shpëlahen me fshesë, për të shpënë punonjësit sociale që t’u shpjegojnë nuseve e djemëve, vjerrave e vjerrêve, komshinjëve, të rinjëve, të rejave e me radhë, se secili ka kufijtë e vet që nuk duhet të shkelen, e se askush s’mund t’i diktojë rregulla tjetrit, por gjithëçka është marrëveshje brenda mundësive të gjithësecilit?
Çfarë na duhet për të dalë nga mendësia e vëllait të madh, e nuses së djalit të vetëm, të përdalës se është ndarë nga burri, i ka plasur atij fëmijët, dhe ka kërcitur e ikur me tjetrin? Çfarë na duhet, dreqi e mori, që në 28.000 km katrorë, të mos vriten e theren kaq njerëz?
Me shumë gjasa, shumica që do ta lexojnë këtë shkrim, do nisin e merren me kazuset specifike, duke mbështetur herë njërin e herë tjetrin, në varësi në formimit kulturor që kanë (pra normat mbi të cilat ngrenë gjykimin), duke shprehur keqardhje për të voglin e vrarë, urrejtje për vjehrrin kriminel apo mbështetje ai që nuk la një të përdalë t’i prishte shtëpinë, keqardhje për të renë që la pas tre fëmijë, urrejtje per gruan që la fëmijtë e iku me burrin që donte tek prindërit e këtij të fundit, edhe pse ata nuk e donin.
Të paktë do jenë ata që do ta shquajnë dhe pranojnë këmbanën e alarmit që po mëtoj të tund me këto rreshta, pra nevojën urgjente që ka kjo shoqëri për punonjësit socialë, psikologët dhe sociologët mirëfilli profesionistë, në çdo mikroambient të vetin, nëpër qytete patjetër, por sidomos nëpër fshatra e zona të thella, ku njerëzit janë lënë të hanë kokat, pa referenca morale, sociale e psikologjike “të përditësuara” (pra ç’është e mira sot dita me pak fjalë, e dobishmja dhe norma).
Shumë pak do më japin të drejtë për lehtësinë e papërballueshme të indiferentizmit që gjallon në shoqërinë shqiptare ndaj një të sëmuri me probleme psiqike, ndaj një njeriu që i ka të tërë elementet e të qenit apo bërit i tillë, ndaj shkeljes së normave për një bashkëjetesë brenda normales, ndaj respektimit të mendimit të fjalës apo të të drejtave të atij që kemi përballë, qoftë ky fëmija apo prindi ynë.
E pra, teksa njerëzit theren si qingjat për Pashkë e Bajram, askujt nuk duhet t’i mjaftojë vetëm lajmi, por i beftë e shterues duhet të jetë edhe reagimi i institucioneve, se policia dhe gjykatat nuk janë të vetmet që e zgjidhin këtë hall, siç pretendohet rëndom. Duhen sociologët, psikologët, institutet e rehabilitimit, duhet një arsim i fortë që shpjegon diferencat kulturore e të mendësive ku po gjallon aktualisht shoqëria shqiptare, emisione të tëra ku të referohen variantet e mundshme të zgjidhjes (dhe këtu nuk e kam fjalën për emisione të tipit “Me zemër të hapur”, por për emisione me profesionistë të vërtetë, që të identifikojnë problematikat e të orientojnë drejt zgjidhjeve të tyre).
Do thoni ju punë ka, por nuk ka profesionistë! Për fat të keq, kjo është e vërtetë, e teksa kamerat shkojne të xhirojnë varrimin e nuses e vjehrrit që hanë dhé sot, studiot duhet të vazhdojne me javë të tëra sensibilizimin mbi diferencat kulturore e të mendësisë, problematikat që mund të sjellin ato, si do të ishte më mirë të veprohej, për të mos mbërritur në situata të këtilla, e se si mund të ndihmohen njerëzit në kapërcimin e paragjykimeve kaq jetëmarrëse!
Ky gjak që shkon dëm, duhet me patjetër të na dhembë! Të gjithëve. Institutet e Sociologjisë, Psikologjisë, Shërbimet Sociale, duhet sot të ngrihen e të na thonë pse shoqëria shqiptare po degradon në këtë derexhe, ku vrasja e familjarit është kthyer thuajse në rutinë. Se krime vërtet ndodhin ngado, padyshim, por jo kaq shumë e në kaq pak metra katrorë!