Ashtu siç edhe qe paralajmëruar, ditën e djeshme, kreu i PD-së Lulëzim Basha, i shkarkuar prej Kuvendit të Delegatëve thirrur nga Berisha, ka mbledhur Këshillin Kombëtar të PD-së, i cili ka shkarkuar tërë anëtarët e kryesisë që morën pjesë në Kuvendin e thirrur prej Berishës.
Po ashtu Këshilli i PD-së ka nxjerrë edhe një rezolutë, ku i cilëson të gjitha vendimet apo qendrimet e këtij kuvendi, si nul, duke i cilësuar si falsifikisme vulën e re, statutin e rid he logon e re, bërë publike nga Kuvendi.
Sa më poshtë rezoluta e plotë e nxjerrë nga Këshilli i Bashës
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbledhur sot, në 12 dhjetor 2021, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve, diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor, konstatoi se thirrja e këtij tubimi, me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike, dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
- Vëren se tubimi fallsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
- Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm, si finalizim i saj, janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
- Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.
- Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm dhe gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet dhe vendoset, në mënyrë demokratike, për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
- Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve, pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar dhe mbledhur rreth vetes një grup organizatorësh me axhendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij Sali Berisha, hodhi dje bazat e një organizate politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
- Partiai Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.
- Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetësimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me axhendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.
- Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend
- Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.
- Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.