Një sherr i të premtes mes dy mësueseve të shkollës “Çajupi”, asaj të Historisë (D.T) dhe asaj të Letërsisë (E.Q), është bërë shkak që mëngjesin e sotëm, në mëngjesoren pranë shkollës, të plasë arma.
Sipas asaj që raporton News 24, dy mësueset kanë shkëmbyer të premten një sherr banal me njëra-tjetrën, sherr të cilin, kolegia e letërsisë nuk e ka toleruar duke i sjellë koleges shtatë persona mes të cilëve edhe të armatosur, ndërsa vetë qe futur në mësim.
Duke iu referuar dëshmisë së mësueses, kolegia e saj e Letërsisë nuk e kishte lënë debatin me kaq, njofton News24, pasi ditën e sotme kishte dërguar para shkollës 7 familjarë të saj, që sipas saj thuhet se kanë qenë të armatosur dhe se vetë ishte futur në mësim. Ndërkohë, sipas saj, mësuesja e Historisë nuk ishte lejuar që të futej në mësim nga këta persona, ndërsa ata thuhet se e kanë kërcënuar dhe se kanë kërkuar që ajo të sillte familjarë për sqarim.
Sipas koleges së tyre, e cila shprehet se ka qenë në brendësi të konfliktit, një familjar i mësueses që po kërcënohej kishte kaluar aty rastësisht ndërsa ishte përballur me skenën. Pasi kishin shkëmbyer disa debate verbale, sherri ka degjeneruar deri në përdorimin e sendeve të forta, apo dhe karrigeve, ndërkohë që i plagosur ka mbetur familjari i shtetases me inicialet D.T., 32-vjeçari me inicialet E. K. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 5 persona, si dhe është sekuestruar një pistoletë me të cilën mendohet se është qëlluar disa herë në ajër.