Intervistoi Albana Nexhipi Lekaj
Përjashtimi nga grupi parlamentar i PD-së, i liderit historik të saj Sali Berishës, prej kreut aktual të saj Lulëzim Bashës, ka prodhuar tashmë një debat të fortë më vend mbi pasojat e këtij vendimi, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi karrierën politike të Bashës në të ardhmen, të Berishës po ashtu, por sidomos të vetë PD-së, e cila rrezikohet prej një përçarjeje të mundshme, që do të shpinte pashmangshmërisht në shpërbërjen e një prej partive me rolin më kyc në historinë e demokratizimit të vendit.
Për të kuptuar më mirë pasojat e kësaj krize të lidershipit në PD, MetropolPost iu drejtua studiueses Iris Halili.
MetropolPost.al: A është at-vrasje politike kjo e Bashës, sikurse e konsiderojnë shumica?
Dr. Iris Halili: Le të bëjmë një analizë të shkurtër nga vjen fraza “Të vrasësh babanë”. Dr. Frojdi, mes shumë teorive psikoanalitike të tij, më të famshmen ka pikërisht teorinë e kompleksit të Edipit. Pasi analizoi tragjedinë e Edipit që vrau babanë dhe u martua me të ëmën. Dr. Frojdi e konsideron kompleksin e Edipit apo të Elektrës (kur vjen çështja tek seksi femër), si instiktin bazë që drejton jetën tonë. Ai e konkludon teorinë e tij, duke thënë: “Në qoftë X është një njeri, atëherë ai është një Edip”. Sikur dihet, baza e zhvillimit të teorisë, ndërtohet tek komplekset fëmijënore dhe ato të adoleshencës, ku fëmija kërkon instiktivisht ta zëvëndësojë babanë duke “e vrarë atë” nëse është djalë, apo të zëvëndësojë nënën, po duke “e vrarë”, ë nëse është vajzë. Maturia e njeriu, sipas Dr. Frojdit, mbërrihet kur fëmija e shmag këtë at-vrajse apo nënë-vrasje. Djali bëhet burrë kur arrin paqen me babanë dhe vajza bëhet zonjë kur arrin paqen me nënën. Domethënë, nëse vazhdojmë metaforën, at-vrasja e Bashës, nuk është asgjë më tepër, përveçse fakt i pamaturisë së tij politike. Dhe që t’i përgjigjem pyetjes suaj, “A është at- vrasje politike veprimi i Bashës?” Po, padyshim, është pa-maturim politk.
MetropolPost.al: I drejtë apo i gabuar ky vendim i Bashës?
Dr. Iris Halili: Mendoj se ishte vendim i gabuar për disa arsye:
1. Nuk mund të përjashtohet themeluesi i Partisë, se ta kërkon një superfuqi sado e madhe të jetë ajo! Basha duhej të kishte dhënë dorëheqjen, pasi Berisha nuk udhëhoqi vetëm. Edhe korrupsionin, nëse e ka bërë, nuk e ka bërë vetëm. I gjithe ekipi i tij i takon tashmë të shkuarës dhe Basha, si favoriti i Berishës, i përket asaj më shumë se kushdo, pavërësisht se, si më i riu i ekipit që ishte, ai jo vetëm që nuk solli progres në PD, edhe pse i pati të gjitha shancet, por, përkundrazi, falë tij PD-ja sot njihet si “humbësja e madhe”
2. I gjithë incesti politik i Bashës nuk përputhet me moralin apo kulturën shqiptare. Baba nuk nxirret nga shtëpia, baba nuk vritet, baba, e shumta nuk dëgjohet nëse sheh që ai të pengon progresin. Basha mund të mos e vendoste Berishën në listat e deputetëve. Por ai nuk guxoi ta bënte këtë, pasi e dinte që pa mbështetjen e Berishes, ai kurrë nuk do mundte të merrte as votat e lagjes ku është lindur dhe rritur. Domethënë, vendimi i tij i tanishëm, mbi të gjitha, nuk është i sinqertë dhe nuk ka moral apo etikë, por është një skemë e shëmtuar.
3. Basha nuk mund të justifikohet duke thënë “mua më janë servirur fakte që nuk mund t’i bëj publike”. Të gjithë ne mund të hamendësojmë shumë fakte, ashtu sikur dimë shumë ngjarje historike që nuk e nderojnë lidershipin e Berishës, por provat e fakteve janë ato që kane vlerë, sidomos në çaste si këto të tanishmet. Unë e kam shprehur në disa shkrime të mëparshme: karriera politike e Berishës mbaroi me ngjarjen e Gërdecit, çdo moment tjetër në lidershipin e Berishes ka qenë rrëshqitje pa fund. Ne atë momen Berisha theu në besë shqiptarët, pasi u kishte premtuar atyre “duar të pastra”, por në atë çast u tregoi “duar e nxira nga baruti”. Nëse Berisha do qe tërhequr atëherë , historia e lidershipit të tij, e partisë së tij, apo edhe Shqipërisë, do të ishte krejt ndryshe. Por Berisha nuk i pranon fajet dhe të tërhiqet, s’e ka bërë kurrë dhe as që pritet ta bëjë. Ai edhe mund t’i ketë pranuar fajet, por vetëm kur ato nuk kanë prekur stabilitetin e tij politk. Kështu, sot vuan e gjithë shoqëria shqiptare. Nga ana tjetër. Basha si jurist në profesion, duhet të kuptonte se për aq kohe sa faktet nuk jane vërtetuar në gjykatë, askush nuk mund ta quaj Berishën të dënuar.
Unë mendoj se vendimi i Bashës, jo vetëm që nuk e shpie PD-në drejt progresit, por është hapi që do ta thërrmojë atë totalisht, e çdo ditë e më tepër, dhe fatkeqësisht kjo do shkojë në favor të një qeverie super të korruptuar, që e ka lënë vendin pa asnjë shpresë. Them se berishistët e shumtë në PD, tani do të mbidhen edhe më shumë rreth këtij të fundit. Basha duhej ta kishte kuptuar se më shumë se fuqitë e huaja, lidershipit të tij të dobët në Parti i duhej fuqia e militantëve. Nga ana tjetër, amerikanët vetëm e forcuan Berishen në këtë moment. Ky është sërisht një gabim amerikan, që shtrijnë politika pa njohur mirë terrenin, kulturën dhe mënyrën e të menduar të vendit ku duan të bëjnë eksperimente politike sikur ky i fundit.
MetropolPost.al: A mund të quhet ky hap, si një hap që do mund të nxisë reformimin e vërtetë të PD-së?
Dr. Iris Halili: PD-ja nuk reformohet as nga heqja e Berishës dhe as nga forcimi i Bashës. PD-ja reformohet nga individë që janë larg të kaluarës. PD-ja do të reformohet vetëm kur në krye të saj të vijë një lider me integritet e karakter, që as nuk e vret babanë, as nuk sheh Partinë si strehën e sigurtë për strehim personal, që nuk e mban atë peng të së shkuarës, apo që nuk luan me të ardhmen e saj. Fshirja e të shkuarës që tentoi të bënte Basha artificialisht, është nocion sa komunist aq edhe fashist, është sikur arti futurist, që thoshte se çdo gjë nis nga unë, e që në fund prodhoi portrete si “Mona Liza me mustaqe”. Unë nuk kam asnjë shpresë se Basha do sjellë progres, pasi mua më mjafton të njoh karakterin e një lideri, për të kuptuar nëse ai ka shance të sjellë progress. Fatkeqësisht, Basha nuk ka as karakter, as vizion dhe as guxim për t’u përballur. Me Bashën PD-ja do humbasë edhe më shumë ndjekës, dhe zgjedhjet e tjera do të jenë disfata më e madhe e saj, për të mos thënë shuarja e saj.
MetropolPost.al: A duhet të tërhiqet Berisha nga Parlamenti?
Dr. Iris Halili: Unë them jo, pasi një deputet kontratën e ka me votuesit e tij, dhe atyre që e kanë zgjedhur, ende nuk u është thënë asnjë fakt konkret apo i vërtetuar. Kjo lloj mungese transparence të plotë, nuk të shpie askund, dhe besoj se Berisha edhe një here, po e shfrytëzon shumë mirë këtë gabim tjetër të palës kundërshtare. Berisha është kompleks. Është ambivalent. Është sa i paparashikueshëm, aq edhe i tillë. Kur e zgjodhi Bashën, e dinte që ky i fundit ishte dhe do mbetej vetëm hija e tij. Dhe në fakt Basha hyri dhe doli në politikë e në Parti si shtojcë e Berishës. Iu desh Berisha për të hyrë në PD, po Berisha po e nxjerr nga politika, dhe kush mendon të kundërtën e ka gabim. Basha veproi ekzaktësisht ashtu siç Berisha e kishte parashikuar. Ai e dinte që Basha kishte dy rrugë, dhe që të dyja shkonin në favor të tij, ndaj dhe kur u bënë zgjedhjet në parti, u duk qartë që ai favorizoi atë që ia njihte më mirë dobësitë. Berisha e dinte se nëse Basha do e “vriste” – të nesërmen, do shpallej nga militantët e djathtë si tradhëtar, atëvrasës, i pabesë apo i paburrë. Nëse nuk do e “vriste” Berisha prapë do ishte “ok”, pasi do vazhdonte të mbetej figura më dominuese në PD. Forcimi i Berishës do shtohet çdo çast e më shumë nëse amerikanët nuk nxjerrin faktet, dhe këto duhet t’i nxjerrin një orë e më pare. Në të kundërt, e gjitha kjo do t’ju kthehet në një bumerang. Unë mendoj se e djatha shqiptare dhe miqtë amerikanë, e kishin shancin e madh për ta reformuar PD-në kur u bënë zgjedhjet për kryetar në parti, dhe nuk e kuptoj pse nuk e shfrytëzuan atë moment, që vërtet do të kishte sjell një shpresë të mirë dhe progres në PD dhe në vend. Fatkeqësisht, në gjithë këtë lojë për pushtet, ai që po vuan me tepër është elektorati i djathtë shqiptar, ai elektorat që në 1990 kishte mundësi të vriste apo të hakmerrej, por nuk e bëri, dhe ia la të shkuarën qetësisht historianëve, duke e hedhur vështrimin vetëm drejt së ardhmes! Uroj me gjithë zemër që ky elektorat të ketë sa më shpejt liderin që meriton!
© MetropolPost.al