Ashtu siç e bëri të ditur pak ditë më parë Komisioni Teknik i Ekspertëve, më 1 shtator hyjnë në fuqi rregullat e reja anti-covid, të cilat në gjykimin e këtij komisioni, mund të parandalojnë përhapjen e variantit Delta dhe mbase edhe një përmirësim të situatës.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja e Shëndetëisë, Racakolli, citoi si një sërë rregullash që hynin në fuqi gjatë shtatorit, e më specifikisht, ndryshimin e orës policore që nis që sot në orën 23 deri në 6, kërkimin e një dokumenti që vërteton mosprekjen prej variantit Delta për këdo që hyn nga jashtë në Shqipëri, e po ashtu edhe vaksinimin e detyrueshëm të studentëve, pedagogëve dhe mjekëve.
Duke analizuar shkaqet që cojnë në këtë tendencë përkeqësimi, tha Racakolli në fjalën e saj, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të marrë disa masa, të cilat e parandalojnë përkeqësimin e mëtejshëm e madje edhe mund të përmirësojnë situatën.
- Duke filluar nga data 1 shtator, ora policore nga 24.00-06.00 që është, do të shkojë nga 23.00 deri në orën 06.00.
- Duke nisur nga 6 shtatori, qytetarët që hyjnë nga të gjitha pikat kufitare, duhet të plotësojnë një nga këto 3 kushte: a) të paraqesin pasaportën e vaksinimit, ku data e vaksinimit të plotë të jetë jo më e vonshme se dy javë nga data e hyrjes në kufi, b) të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejtë, antigenin, brenda 48 orëve, c) ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në gjashtë muaj pas shërimit. Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç, nuk u nënshtrohen këtyre rregullave. d) Qytetarët shqiptarë, rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë, dhe të informojnë autoritetin shëndetësor në fund të periudhës së izolimit.
- Komiteti i Ekspertëve të Vaksimit, në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik, ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët. Vlerësoj që shtatori duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjitha stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin, dhe deri në datën 30 shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe, studentët, pranë qendrave të përcaktuara nga institucionet e arsmit të lartë, kopjen e kartës së vaksinimit, të dalë nga e-albania. Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja perioidike e testit PCR, për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës, një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç specialistit që e ka dhënë, edhe nga specialisti i shëndetit publik.
- Penaliteti për studentët, për marrjen e PCR-periodike, do të nisë pas datës 30 shtator.
- Në ndërtesën e aeroportit do të lejojmë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të respektojnë mbajtjen e maskës, siç është rekomanduar, dhe siç po reflektohet ky ndryshim, edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.
- Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendrat tregtare, supermarket, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
- Nuk lejohen familjarët për personat e shtruar.
- Në të gjitha rastet kur nuk zbatohen masat e rekomanduara, do të zbatohen penalitete, siç është ai individual, kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara, në masën 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në masën 5 mijë lekë.
- Në rast se bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara prej Shëndetit publik, masat shkojnë nga 100 mijë, deri në 700 mijë lekë, në varësi të masës që nuk është zbatuar.