Jo më larg se sa dje, Danimarka ka deklaruar pezullimin e vaksinimit me AstraZeneca, për shkak se kishte dhënë mpiksje të gjakut tek disa persona, duke u shkaktuar madje edhe vdekjen.
Por Danimarka nuk është i vetmi vend europian që e ka pezulluar vaksinimin me AstraZeneca. Norvegjia dhe Islanda kanë vendosur gjithashtu ta pezullojnë vaksinimin me këtë vaksinë. Italia dhe Austria po ashtu kanë pezulluar seri të ndryshme të saj. Estonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, kanë pezulluar përdorimin e të njëjtës seri që ka pezulluar Austria, ndërkaq, Rumania ka pezulluar përdorimin e 4200 dozave marrë nga e njëjta seri e vaksinave të Italisë.
Në deklaratën e lëshuar për këtë çështje, Agjencia Europiane e Barnave pohon se vendimi i Danimarkës ka ardhur si pasojë e raportimeve mbi koagulimin e gjakut tek pacientët që e kishin marrë këtë vaksinë, përfshi edhe një jetë të humbur për këtë motiv, dhe nisjen e hetimeve më të plota mbi këtë fakt.
Enti italian i Barnave ka pohuar se vendimi i tij është paraprak, duke shtuar se ende nuk është verifikuar ende ndonjë lidhje mes vaksinës dhe efekteve të rënda të saj mbi shëndetin, edhe pse nga sa është referuar, dy italianë kanë humbur jetën deri më tani pas marrjes së saj. Ndërkaq Austria e ka marrë këtë vendim pasi një grua humbi jetën 10 ditë pas marrjes së vaksinës, për shkak të problemeve të rënda të koagulimit të gjakut. Nga sa referohet në mediat e huaja, dozat austriake qenë pjesë e një serie prej 1 milionë dozash, identifikuar si ABV5300, e cila është shpërndarë në 17 vende europiane.
Vetëm Franca dhe Gjermania, kanë deklaruar ndërkohë se do vazhdojnë ta përdorin vaksinën AstraZeneca. Përfitimet janë më të mëdha se sa rreziqet, është shprehur ministri i Shëndetësisë franceze, Olivier Veran.