Në do të marrësh vesh seç je, pyet edhe një të tretë, thotë populli shqiptar, e kjo thënie nuk zë asesi vend më mirë, se sa në rastin e libërthit të vogël të Joseph Roth Fjala dhe koburja, ngjizur me artikujt e botuar prej tij për herë të parë më 1927-n, në faqet e gazetës gjermane Frankfurter Zeitung.
Libri në fakt ka rreth 15 vjet që ka ardhur në shqip prej Lindita Arapi-Boltz, por, siç ndodh rëndom me gjërat që nuk duhen humbur, edhe krijesëza nazike në dukje e Jozeph Roth-it, rrezikon të mbetet rafteve të librarive e bibliotekave, nën pezhishkat e ngatërruara të merimangave apo pluhurave të kohës, pa na përcjell dot atë mesazh aq thelbësor, që do na nxiste të kuptonim ndoshta më tepër nga vetja, si në pikëpamje sociale, ashtu edhe politike, kulturore e intelektuale, me shpresën se do mund të ndryshonim diçka për më mirë.
Në qendër të tij është Shqipëria dhe Tirana e viteve 1920. Austriaku Roth, gazetar e shkrimtar me profesion, me një sy fotografik, ashtu siç vetëm një mjeshtër i gazetarisë mund ta bëjë, na sjell përmes rrëfimeve, copëza nga Shqipëria e asaj kohe, të cilat, jo rrallë, na ndërmendin të sotmen.
Jemi në 1927-n. Ahmet Zogu është më i ri se presidentët e republikave evropiane, shkruan Roth-i. Sapo i ka kaluar të tridhjetat. Megjithatë ka një të shkuar të rrëmbyer e më të pasur se qindra evropianë të moshës së tij. […] Ka zëra se Ahmet Zogu është një diktator pa skrupuj. Por prapë, jemi në Shqipëri, – ku çdo kapobandë shpallet vetë diktator, çdo pronar toke vasal i tij, dhe çdokush që shkruan e lexon, synon të jetë sekretari i tij, – ku nuk është gjë tjetër e mundur, veç diktaturë pa skrupuj. Dhe që këtu, faqeve të para, vëmendja nis e bëhet më e mprehtë, sepse teksa lexon, jo vetëm që s’të duket sikur flitet për 100 vite të shkuara, por vende-vende mendon se ke të bësh me një kronikan të së sotmes, që e njeh deri në palcë Shqipërinë.
Teksa Roth-i na përcjell me penën e tij rrugëtimin drejt Tiranës, nuk ka se si të mos vësh re një tjetër element, përshkruar aq me aq realizëm në libër, po ashtu pjesë e debateve të sotshme: njësoj si polici i Konicës tek Doktor Gjilpëra, edhe polici i Roth-it, të ndërmend një imazh thuajse të përhershëm: Përpara meje polici shqiptar, shkruan Roth-i. I njohur me alfabetin, por akoma i pamësuar me shkrim e këndim, ai qëndron aty dhe u merr kohën të sapoardhurëve me leximin e pasaportave (f. 34). […] Djathtas meje, vazhdon Rothi teksa hyn në Tiranë, qëndron xhamija, majtas platforma primitive e një kafeneje, në të cilën klientët piqen në diell dhe qeleshet diskutojnë (f.37) […] Në Tiranë janë ndryshuar rrugët, shtëpitë janë prishur me qëllim që qyteti të bëhet më modern dhe mbretëror. Gjysmështëpitë, qëndrojnë akoma si rropulli të zeza e të hapura… (f. 44). Dhe nuk ka se si, me xhaminë e kafenetë mbushur plotë, ku “qeleshet” diskutojnë zjarrshëm për politikë, me qytetin që ndryshon pambarimisht, me ngrehinat që shemben, e të tjerat që ngrihen sakaq, të mos të ndërmendet Tirana e sotme.
Jemi në fakt në kohën kur Tirana politike është në fillimet e veta. Zogu, asokohe President, kishte nisur të formatonte shtetin shqiptar, duke imponuar rregulla e futur vendin në axhendat diplomatike të Evropës. Jemi në kohën kur intelektualët i nevojiten më shumë se kurrë Shqipërisë, e cila s’kishte më shumë se 15-20 vite që kishte fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane, me synimin për t’u bërë pjesë e Evropës (ashtu sikurse sot, dalë prej 30 vitesh prej komunizmit, pa mundur të jemi ende pjesë e Evropës!). Por, na thotë Roth-i, situata nuk është dhe aq e thjeshtë, sepse: Ajo shtresë e hollë intelektuale që ka ky vend, më shumë prish se ndreq punë. […] Të pasurit i dërgojnë bijtë e tyre në Vjenë, Gjermani, Francë, Itali apo Kondastinopol. Nga qeveria jepen disa bursa për studime jashtë shtetit, por këto i marrin të afërmit, miqtë e qeveritarëve apo njerëz me influencë. Përveç kësaj, edhe fqinjët e Shqipërisë apo shtete të interesuara politikisht, japin fonde për qëllime studimi. Madje mund të thuhet se tetëdhjetë përqind e akademikëve shqiptarë, shkollimin e kanë falë fqinjëve të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, ata jo vetëm që janë të përcaktuar politikisht e të parapërgatitur, por janë edhe të korruptuar e të prishur për krejt veprimtarinë e tyre të mëvonëshme.
Qartësia e të përshkruarit një shqiptar prej tij, duket sa reale aq edhe mahnitëse për nga saktësia edhe sot. Eshtë e vështirë, na thotë ai, të bindësh një shqiptar se njeriu mund të veprojë dhe falas për të mirën e përgjithshme, domethënë që dikush mund të punojë përkundrejt rrogës, sipas marrëveshjes. […] Një shqiptari me arsim të lartë, vazhdon ai nuk i bie ndërmend të bëhet komisar policie. Po qe se më e pakta ai nuk bëhet president, preferon më shumë të komplotojë kundër qeverisë në fuqi, ose të përpiqet të bëhet mik apo “anëtar partie’ i këtij apo atij ministri. Edhe pse i pajisur me një dyshim jashtëzakonisht të mprehtë kundër të huajve, intelektuali shqiptar ka aftësinë që po me këta të huajë të bëjë pazare për burimet që ka vendi i vet (f. 51).
Përshtypje në libër të bën edhe qasja e Roth-it ndaj diplomatëve. Teksa përshkruan diplomatët e asaj kohe në Shqipëri, ai thekson pikërisht atë anë, aq të diskutuar edhe sot lidhur me ta: përfshirjen e tyre në punët e brendshme të shqiptarëve, duke i ngatërruar edhe më keq ato: Karakterin ekzotik të tokës shqiptare, shkruan ai, e kupton qysh nga mënyra e veçantë e jetesës së evropianëve të civilizuar që jetojnë këtu.[…] Diplomatët kanë misionin të tregojnë se punojnë për interesin e vendeve të tyre […] vizitojnë njëri-tjetrin, konsultohen, e bëjnë mizën elefant, e kodojnë dhe e nisin me telegram në vendlindje. Pastaj çfarë ndodh? Pastaj tensionohet çikëz situata…
Libri i Rothit vazhdon të portretizojë Shqipërinë e 1927-s, një identikit që vitet e shumta s’e kanë zbehur dot. Ata që janë vërtet të shkolluar, thotë ai ca më tej, këtu, nuk i dëgjon askush. […] Ndërsa një pjesë e të gjysmë shkolluarëve, është e korruptuar, shikon se si të pasurohet për vete, duke bërë pazare me fqinjët për interesat e veta, dhe duke tjerë intriga nga teka, ambicia dhe lakmia.
Dhe ti si lexues mbetesh pa fjalë. Mbase ngaqë në mendje të buisin me qindra histori të ngjashme. Mbase ngaqë je vërtet i shkolluar dhe kupton diçka prej fatit tënd të trishtë. Mbase, ngaqë je gjysmë i tillë, dhe kupton se nuk je ti i pari që ia ke gjetur anën kësaj pune. Por më shumë. me gjasa nga frika që kjo ngjashmëri shekullore të shtin në palcë, duke mos të të lënë asnjë shpresë për të ardhmen, e duke të të bindur se fati i shqiptarit qenka shkruar keq, me krerë që duan diktaturat, e me të shkolluar që nuk i pyet kush.
©MetropolPost.al